Presidenti Nishani u ka kërkuar sot prokurorëve kurajë dhe përkushtim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe dhunuesve të grave. Gjatë takimit me prokurorët e të gjitha niveleve, Nishani u ka kërkuar prokurorëve të mos joshen nga politika.
“Kemi krijuar disa praktika që prokurori të largohet nga hetimi, duke ia lënë oficerit gjyqësor. Ka ardhur koha të shikojmë se të përfshihet drejtpërdrejt në hetim prokurori. Nuk është koha e komoditetit, por e kontributit. Mos u joshni nga politika”, tha Nishani.
Ndërkohë, kryeprokurori i ri, Adriatik Llalla, tha se prokuroria e përgjithshme do të ndjekë çdo rast korrupsioni të zyrtarëve, për t’i kthyer institucionit besimin e qytetarëve. “Prokuroria do të ndjekë me përparësi çdo rast të korrupsionit. Do të hetohet çdo i dyshuar apo i denoncuar për korrupsion. Do të punojmë për të kthyer besimin e qytetarëve te drejtësia. Jemi përballur me një mungesë të theksuar të besimit të qytetarëve te institucioni, kjo për faj të vetë institucionit”, tha Llalla.