Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë festën e Pashkës.
“Le të na shërbejë kjo ditë simbolike e kremtimit të ringjalljes së shpirtit hyjnor dhe besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten, të dashurit tanë, bashkësinë ku jetojmë, marrëdhëniet dhe solidaritetin njerëzor, por dhe për të konsoliduar e nxjerrë më shumë në pah vlerat e patjetërsueshme dhe tradicionale të bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Presidentit Nishani.
Urimi i Presidentit Nishani
“Të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë, kudo ku ndodheni!
Në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj që me rastin e kësaj Feste të shenjtë, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe përshumëvjet Pashkët’!
Festa e Pashkëve është dita e madhërishme e ringjalljes së Krishtit, dita e ripërtëritjes së përdëllimit dhe e rifreskimit të besimit të palëkundur tek i Plotfuqishmi!
Le të na shërbejë kjo ditë simbolike e kremtimit të ringjalljes së shpirtit hyjnor dhe besimit fetar për të reflektuar si dhe për të përsosur sadopak veten, të dashurit tanë, bashkësinë ku jetojmë, marrëdhëniet dhe solidaritetin njerëzor, por dhe për të konsoliduar e nxjerrë më shumë në pah vlerat e patjetërsueshme dhe tradicionale të bashkëjetesës e harmonisë fetare të shqiptarëve!
Përfitoj nga kjo Festë e madhërishme të uroj gjithashtu më shumë lumturi, fat të mbarë, mirëqenie, begati e harmoni jo vetëm për besimtarët ortodoksë shqiptarë, por edhe një të ardhme sa më të begatë e të ndritur për mbarë popullin tonë!
