Nishani vlerëson qeverinë para ambasadorëve: Paketa e reformave, ambicioze

anazapta

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mbajtur dje një pritje me trupin diplomatik me rastin e Viti të Ri. Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se shqiptarët janë evropianë dhe si të tillë pretendojnë dhe meritojnë të jenë evropianë me të gjitha efektet. “Ne duhet t’i vijojmë reformat dhe të provojmë se jemi sa të përgjegjshëm aq edhe të gatshëm dhe të aftë që të plotësojmë të gjitha kushtet, dhe të plotësojmë detyrat për arritjen e qëllimit, anëtarësimin në BE. Në përpjekjen për këtë qëllim do të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me këtë partnerët dhe aleatët tanë në Europë dhe në SHBA, të cilët kanë shfaqur gjithmonë zemërgjerësi dhe mirëbesim ndaj Shqipërisë. Ne kemi qartësinë e nevojshme për ta konsideruar integrimin, si një proces reformash dhe sfidash për përafrimin e standardeve që kërkon kohën e nevojshme, durimin e duhur dhe sakrificat përkatëse,” tha Nishani.

Nishani tha se Shqipëria do të jetë kurdoherë përkrah aleatëve, veçanërisht përkrah Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë. Vendi, tha Presidenti, ka dëshmuar se di ti përmbush detyrime, dhe se ka kapacitete për të drejtuar institucione të rëndësishme. Nishani e shfrytëzoi këtë rast për të përsëritur propozimin e tij që Shqipëria të marrë Presidencën e rradhës së OSBE-së.

“Shqipëria ka kapacitete për të drejtuar institucione të rëndësishme. Është çasti të përcaktohet koha kur Shqipëria do të marrë drejtimin e rradhës së OSBE-së.”- theksoi Nishani. Presidenti tha se gjatë këtij vitit pritet që Shqipërinë ta vizitojnë presidentët e vendeve si Bullgaria, Italia, Austria dhe Kosova, si dhe të tjera janë në proces. Duke vlerësuar dialogun me Kosovën, Nishani theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fort njohjet e reja të Kosovës dhe të kërkojë në vazhdimësi përfshirjen e saj në nismat rajonale dhe më gjerë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *