Maturantët po u drejtohen tashmë procedurave finale, nëpërmjet të cilave garojnë për të fituar një të drejtë studimi në fakultete publike gjatë vitit të ri akademik. Ndonëse nuk janë zbardhur ende kuotat zyrtare të pranimeve për secilin nga programet studimore, maturantët do të garojnë nëpërmjet 10 preferencave për të fituar të paktën njërën prej tyre. Duke përjashtuar mbetësit e provimeve rreth 40 mijë maturantë dhe kandidatë të tjerë në të gjithë vendin do të aplikojnë nëpërmjet formularit A2 për të fituar një të drejtë studimi në një nga 334 programet studimore universitare publike. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vitet e shkuara, për pranimet e reja parashikohet që të reduktohet numri i kuotave për degët më të mbipopulluara . Kjo për shkak të mungesës së hapësirave të punësimit në tregun e punës. Në një dalje publike për mediet gjatë ditës së djeshme zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj ka sqaruar hapat konkrete që do të ndiqen deri në përzgjedhjen e 10 preferencave të maturantëve. Sipas saj duke filluar nga dita e djeshme e deri në datën 22 korrik, personeli drejtues i shkollave të mesme të vendit, do të zhvillojë procesin e hedhjes në Portalin e Maturës Shtetërore, të pikëve mesatare ose notës mesatare të maturantëve ose kandidatët konkurrues në garën për fillimin e studimeve universitare. Pas urdhrave të marrë, të gjithë krerët e drejtorive arsimore, dhe të shkollave të mesme në të gjitha rrethet e vendit do të monitorojnë me shumë kujdes këtë proces, i cili do të zgjasë për rreth një javë. Malaj, ka theksuar se përpara plotësimit të formularit A2 që pritet të nisë në javën e fundit të muajit korrik sipas një kalendari të përcaktuara për secilin rreth, njoftohen të gjithë studentët që të bëjnë ashtu si çdo vit pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë dhe më pas të paraqiten në drejtorinë e shkollës ku kanë bërë aplikimin e formularit A1, ose A1Z dhe të dorëzojnë mandat pagesën. Pas dorëzimit të mandatpagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatik pikët dhe notën mesatare të tij. Maturanti këshillohet të kontrollojë saktësinë e informacionit të hedhur në sistem në mënyrë që të mos cenohet rezultati i pikëve finale me të cilat do të garojë për të fituar universitetin. Fatura, e cila duhet printuar, gjendet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) ëëë.akp.gov.al , në rubrikën “Njoftime”. “Theksojmë se, maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për formularin A2, për shkak të mungesës në sistemin informatik të pikëve dhe notës mesatare, e për rrjedhojë humbasin të drejtën për të fituar universitetin.”, ka sqaruar Malaj. Pas hedhjes në sistemin informatik të pikëve ose notave mesatare, do të fillojë etapa e dytë e plotësimit të formularit A2, në të cilën maturantët përzgjedhin jo më shumë se 10 programe preferencialë, ndër rreth 334 programe studimi të ofruara nga të gjitha universitetet publike të vendit. Pasi të përfundojë procesi i hedhjes në sistem të pikëve dhe notave mesatare, do të ketë një njoftim të dytë online në lidhje me fillimin e aplikimeve të formularit A2 nga maturantët. “Kryerja me cilësi dhe përgjegjshmëri e kësaj etape do të ndihmojë për forcimin e bazave të shëndosha për një proces cilësor, të ndershëm dhe transparent. jo më pak e rëndësishme është dhe faza e dytë dhe përmbyllëse e këtij procesi që ka të bëjë me plotësimin e formularit A2, të përzgjedhjes së programeve të studimit preferenciale, me qëllimin final pjesëmarrjen në garën për t’u shpallur fitues në njërin nga programet e studimit, të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik.”, ka deklaruar zëvendësministrja Malaj.
