U pëcoll drejt banesës së fundit efektivi i FNSH-së, Ardian Kodra.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Qarkut, u zhvilluan homazhet për efektivin e vrarë dje në krye të detyrës Ardian Kodra.
Familjarë të afërm, qytetarë dhe krerë të lartë të shtetit dhe policisë i dhanë lamtumirën e fundit efektivit të vrarë pasditen e së premtes në Torovicë të Shkodrës.
Ministri i brendshëm Saimir Tahiri, kreu i policisë së shtetit Haki Çako, por edhe drejtues të tjerë të lartë të strukturave të policisë morën pjesë në homazhe. Ai do të varroset si dëshmor, në varrezat e dëshmorëve në Shkodër.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me propozim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka shpallur dëshmor të Atdheut efektivin e ndjerë. Gjithashtu, Kodrës i akordohet edhe Dekorata e Artë e Shqiponjës, e cila iu dorëzua familjarëve para ceremonisë së varrimit.
Efektivi humbi jetën gjatë ditës së djeshme në Torovicë gjatë aksionit për arrestimin e një personi që fillimisht kishte qëlluar me automatik në ajër dhe më pas qëlloi me plumba në drejtim të forcave të rendit.

