Shtrirja e kontrolleve edhe pranë institucioneve arsimore për vlerësimin e shikimit tek fëmijët ka nisur të japë rezultatet e para sa i takon problematikave të konstatuara. Me mijëra fëmijë kanë rezultuar të kenë probleme me shikimin, raste të cilat janë referuar tek mjekët specialistë për kujdesin që duhet të tregojnë në vijim. Ka qenë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu që në lidhje me programin e depistimit të kujdesit për shikimin e fëmijëve të nisur prej pak javësh në vend, është e rëndësishme që ky poçes të kryhet sa më shpejt, pasi nga kontrollet e deritanishme kanë rezultuar mbi 5 mijë fëmijë me problematika të shikimit.
“Përgjatë këtij muaji ne kemi zbatuar për herë të parë programin e shikimit tek fëmijët e moshës 6 deri në 14 vjeç. Janë depistuar më shumë se 53 mijë fëmijë, ndërkohë që procesi po vijon me ritme të shpejta. Por nga këto kontrolle të kryera deri më tani, janë më shumë se 5500 fëmijë, të cilët kanë rezultuar me problematika. Dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe është një e dhënë, e cila na nxit akoma më shumë, për ta përfunduar sa më shpejt depistimin e parë për fëmijët në rang vendi. Është një program që do të përfshijë një target prej më shumë se 300 mijë fëmijësh në të gjithë shkollat e vendit”, deklaroi gjatë ditës së djeshme ministrja Manastirliu, rreth të dhënave të grumbulluara nga depistimet e kryera përgjatë këtij muaji.
Programi i Parë Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, që përfshin pa dallim të gjithë fëmijët, nga të porsalindurit e deri në moshën 14-vjeçare, për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve falas prej disa javësh është shtrirë në të gjithë vendin. Ky program do të mundësojë që në momentin e lindjes, deri në moshën 14 vjeç, të kemi një depistim të vazhdueshëm përsa i përket kujdesit ndaj syve, duke bërë kontrollin e parë në shkolla dhe duke referuar të gjitha ato raste të cilat mund të kenë problematika me shikimin, tek mjeku specialist.
Sipas planifikimeve të bëra, për të porsalindurit kontrollet për shikimin do të kryhen nga neonatologët, në maternitetet publike ose jopublike, sipas protokolleve të përcaktuara nga strukturat shëndetësore. Nëse konstatohen probleme do të njoftohet prindi dhe rekomandohet për ekzaminim më të specializuar. Depistimi në 6-mujorin e dytë të lindjes kryhet nga mjekët pediatër/të familjes në konsultorin e fëmijës, në qendrat e konsultorit të shtrira në të gjithë vendin. Fëmijët që shfaqin probleme, rekomandohen nga mjeku i familjes për ekzaminim më të specializuar. Ndërsa kontrollet për fëmijën deri në moshën 4 vjeç po ashtu do të kryhen nga mjekët e familjes në qendrat shëndetësore dhe nga mjekët e konsultorit të fëmijës. Paraqitja e fëmijës në konsultor për vaksinat, sipas kalendarit të vaksinimit do të shoqërohet edhe me depistimin për shikimin. Depistimi dokumentohet në regjistër. Fëmijët që rezultojnë me problematika gjatë depistimit rekomandohen nga mjeku i familjes për ekzaminim të specializuar tek mjeku specialist.
Përpara regjistrimit në klasë të parë, për fëmijën duhet të kryhet depistimi nëpërmjet vizitës okulistike/optometrike. Për moshën 6 deri në 14 vjeç, depistimi sipas udhëzimeve të dikasterit shëndetësor do të kryhet në shkollë nga mjekët e shkollave dhe, në mungesë të personelit shëndetësor në shkolla, depistimi kryhet nga mjekët e familjes, sipas zonave përkatëse që mbulon qendra shëndetësore.
Gjatë viteve të fundit në masë një nga faktorët që po ndikon në dëmtimin e ishikimit tek fëmijët raportohet të jetë edhe koha e gjatë që ata kalojnë para ekraneve. Ndërkohë që ka edhe shumë faktorë të tjerë që mund të jenë shkak për dëmtimin e shikimit. Autoritetet e shëndetit sqarojnë se sa më herët që të bëhen kontrollet për sytë, aq më i lehtë do të jetë edhe trajtimi i problemi që mund të keni. Megjithatë, janë një sërë rregullash që duhet të zbatoni gjatë përditshmërisë, që kanë të bëjnë me marrjen e disa masave të thjeshta në ndihmë të mbrojtjes së syve dhe shikimit, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Kujdesi dentar në shkollat e Tiranës
Paralelisht me programin për kujdesin e syve, në disa shkolla të kryeqytetit janë çelur edhe kabinetet dentare, nëpërmjet të cilave do të ekzaminohen problematikat e shëndetit oral tek fëmijët. Prej disa ditësh kanë nisur punë 10 kabinetet e para, të cilat janë instaluar në shkolla. Ndërkohë që autoritetet e shëndetit bëjnë me dije se po planifikohet që edhe ky program të shtrihet edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë, gjithmonë me të njëjtin model.
“Programin e kujdesit dentar ne po e pilotojmë në 10 shkolla të Tiranës. Kemi investuar në kabinetet dentare dhe nga ana tjetër kemi filluar kujdesin intensiv, edhe për të mësuar nga gjithë kjo eksperiencë, edhe për ta shtrirë këtë eksperiencë në të gjitha shkollat e Tiranës, por gjithashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Vetëm nga investimi me 10 kabinete të reja përfitojnë direkt 11 mijë fëmijë të shkollave ku janë instaluar këto kabinete”, tha dje Manastirliu, teksa ishte në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Kombinat, ku ka parë nga afër zbatimin e dy programeve dy programe për fëmijët në shkolla, që kanë të bëjnë me shërbimin dentar dhe atë të kujdesit për shikimin.
Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç fillon në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Ky program do të ofrojë depistimin periodik, edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrami i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.
Disa këshilla për sy të shëndetshëm?
- Jini të vëmendshëm për sytë. Shkoni tek okulisti juaj nëse vëreni një ndryshim në shikimin tuaj ose keni ndonjë shqetësim në lidhje me shëndetin e syve. Okulisti mund të vlerësojë simptomat tuaja dhe të këshillojë për hapat e ardhshëm.
- Ushqehuni mirë për shikim të mirë. Të konsumosh një dietë të pasur me fruta dhe perime, peshk, arra dhe vajra, të gjitha mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shikimit tuaj.
- Shikoni peshën tuaj. Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjeve të tilla, si: degjenerimi makular i lidhur me moshën (AMD) dhe Glaukoma.
- Bëhuni aktiv. Të qenit fizikisht aktiv ka treguar uljen e rrezikut të dëmtimit të shikimit me 58 për qind kundrejt dikujt me një mënyrë jetese me të ulur.
- Lini duhanin. Duhanpirësit kanë deri në katër herë më shumë gjasa të humbin shikimin sesa dikush që nuk ka pirë kurrë duhan.
- Vini Syze dielli. Vini një palë syze dielli sa herë që indeksi UV rritet në tre, ose më shumë për të minimizuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të tilla, si: kataraktet dhe degjenerimi makular.
- Dilni jashtë. Kalimi i kohës në natyrë mund t’i japë syve tuaj një nxitje dhe të zvogëlojë rrezikun e miopisë. Dy orë lojë në natyrë mendohet se është e dobishme për fëmijët.
- Bëhuni të zgjuar në ekran. 90 për qind e njerëzve përjetojmë lodhje në ekran, sy të lodhur ose të irrituar, shikim të paqartë, dhimbje koke dhe perceptim të dobët të ngjyrës.
- Shmangni lodhjen e syve duke ndjekur rregullin 20-20-20, veçanërisht nëse jeni duke përdorur një kompjuter për periudha të gjata kohore. Shikoni 20 metra para jush çdo 20 minuta për 20 sekonda.
- Vishni syzet e sigurisë. Gjithmonë mbani syze sigurie me cilësi të mirë kur bëni punë nëpër shtëpi.
Ndërsa kabinetet dentare janë hapur në këto shkolla:
- Shkollën “Jeronim de Rada”
- “Shkolla e Kuqe”
- Shkolla “Vasil Shanto”
- Shkolla “Mihal Grameno
- Shkolla “Kushtrimi i Lirisë”
- Shkolla “Bajram Curri”
- Shkolla “Lasgush Poradeci”
- Shkolla “28 Nëntori”
- Shkolla “Halit Caka”
- Shkolla “Qazim Turdiu”
