Nisje e mbarë në Krujë

redaktor

Letër e nënshkruar,

Përparim Shullazi

 

Gazeta jonë DITA! Para disa ditësh është tërhequr vëmendja mbi gjendjen kaotike të tregtimit në

sheshe dhe trotuare të qytetit të Krujës. Nuk e dia nëse ndikoi kjo vërejtje, por një nga punët e para të suksesshme të kryetarit të ri të bashkisë, është lirimi i mjediseve publike. Natyrisht ky aksion përfshiu mjediset në qendër të qytetit, rrugët karakteristike, portën hyrëse në kalanë e Skënderbeut, sheshet dhe bërrylat rreth Muzeut Kombëtar. Siç ndodh në të tilla raste, opinioni i kulturuar e mirëpriti këtë aksion.

Të pakënaqurit duket se janë ata që ushtronin tregtinë në këto vende dhe të mësuar prej shumë vitesh në këtë amulli, iu vështirësohet zbatimi i rregullit apo, pse mos ta themi, ju cenohet dhe interesi vetjak pasi tani ky aktivitet disiplinohet, sistemohet në mjediset e reja, të ndërtuara enkas dhe ajo që është më e rëndësishme, kjo tregti ligjërohet.

Kontaktuam me disa nga personat e prekur nga këto masa që ka marrë bashkia dhe në përgjithësi ato i quajnë të drejta dhe të arsyeshme, por shprehen se duhet të ishin njoftuar më përpara. Njëri nga të prekurit është qytetari Muharrem Alushi i cili ka mbi 20 vjet që ushtron me bashkëshorten e tij dhe djalin, tregtimin e artikujve të ndryshëm artizanale krutane. Tani, befasisht, duhet të ndërpresin punën me të cilën mbahen. Në bashki na thanë se kushdo prej tyre do ta vazhdojë punën që ka, por të bazuar ne ligj. Tregtimi i suvenireve artistike në qytete turistike, siç është Kruja, bëhet një premisë interesante për vizitorët, qofshin ata vendas apo turistë të huaj, sepse kushdo prej tyre bashkë me memorien dhe mbresat për qytetin dhe historinë e tij legjendare të epokës së Skënderbeut merr me vete dhe një objekt të veçantë të punuar me mjeshtëri nga artizanët krutanë, të cilët janë të njohur dhe të vlerësuar për punimet artistike të bakrit, të qilimave dhe sixhadeve dhe plot artikujve të tjerë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *