Opozita është skeptike për propozimet e dy ministrave të qeverisë “Berisha” për të ashpërsuar dënimet për personat që kryejnë vrasje apo kapen me armë pa leje. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, thotë se maxhoranca ka pasur shtatë vite kohë për të propozuar të tilla nisma, por është kujtuar tani në fund të mandatit të dytë.
Në lidhje me nismën e ministres së Intergimit, Majlinda Bregu, dhe ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, socialisti Gjoni shprehet se maxhoranca ka pasur kohën e mjaftueshme për të miratuar çdo lloj ligji dhe norme.
“Këtu nuk ka asgjë për të komentuar. Këta zotërinj, ashtu si dhe e gjithë qeveria kanë pasur kohën e mjaftueshme e të nevojshme për të miratuar çdo lloj ligji apo norme. Askush nuk i ka penguar deri tani. Kanë shtatë vjet e gjysmë që janë në pushtet. Problemi nuk qëndron tek ligjet, por tek mungesa e legjitimitetit të ardhjes së tyre në pushtet, mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin, mungesa e dëshirës për të zbatuar ligjet. Po ju sjell një shembull shumë domethënës. Në 2011-n, me propozim të deputetëve të PS-së u ashpërsuan ekstremisht ndëshkimet penale për dhunën ndaj grave. Atë vit pati 19 viktima (të vrara). Vitin 2012, kur tashmë ndryshimet kishin hyrë në fuqi, numri i grave të vrara arriti në 29. Faktet flasin vetë. Por, ka dhe diçka tjetër. Këta që propozojnë ashpërsimin e dënimit për armëmbajtje pa leje, po këta kanë prurë në Kuvend për miratim ligjin për përdorimin e armëve ku zgjerohet ndjeshëm spektri i shtetasve që kanë të drejtë të mbajnë e përdorin armë, në kundrasens të palogjikshëm me atë çka ndodh në realitetin shqiptar dhe atë botëror”, thotë Gjoni për “Shekullin”.