Niveli i bursave? Më i ulët se në 1960!

editor

Qeveria në ikje nuk mund të rrinte “pa u kujdesur “ dhe për nxënësit e studentët. Ndaj në vrapin e ikjes firmosi dhe vendimin nr.  672, datë 07.08.2013 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte , bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve e studentëve në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2013- 2014”.

Të vështirë nuk e ka pasur pasi në pesë vitet e fundit , kur ka ardhur koha të mendojnë për trajtimin financiar të nxënësve e studentëve , qeveritarët kanë kopjuar vendimet e vitpasvitshme vetëm duke u ndyshuar numrin dhe datën, pa u hequr asnjë pikë e presje si në kriteret se cili nxënës e student trajtohet me bursë, ashtu dhe në nivelin e bursës. Kush nuk beson le ta ballafaqojë vendimin e mësipërm me VKM nr. 526 , datë 20.07.2011  dhe të dalë në përfundime , Ndryshon apo jo ndonjë presje.

Për të qenë absolutisht të saktë duhet thënë se në VKM e fundit janë munduar të rregullojnë një fjali në pikën 15 , pikë e cila ndër vite i jepte kompetenca të çmendura ministrit të Arsimit pasi , sipas saj , nëse këshillat nuk merrnin vendim brenda datës 15 dhjetor , atëherë vendimin për ndarjen e bursave e merrte ministri. Në këtë shteg ecnin mjaft këshilla vendorë , i linin qëllimisht bursat pa miratuar deri më 15 dhjetor e më pas ia dërgonin për firmë ministrit sipas ndarjes që kishte bërë administrata politike.  Pra ministri rrëmbente kompetencat e këshillave. Në vendimin e fundit të këshillit të Ministrave kanë rregulluar një fjali , i kanë lënë përsëri komopetenca ministrit , por tanimë kur vendimet janë marrë në afat nga këshillat vendorë  e nuk janë dërguar në afat në shkolla e fakultete. Kjo ndofta është bërë pasi dihet që ministri do të ndryshojë , ndaj një kompetencë të jashtëligjshme , por “ të ëmbël”,  nuk ia kanë lënë më ministrit socialist.

Për nxënësit e studentët niveli i trajtimit finaciar ka qenë e mbetet katastrofik dhe rritja e këtij niveli nga viti në vit,  qesharak.

Kështu përshembull me VKM  643 , datë 18.10.1988 ( para 15 vitesh) bursa e plotë për nxënësit e arsimit 8 vjecar e të mesëm ishte 4100 lekë , për shkollën e mesme të futbollit 5100 lekë dhe për studentët 5600 lekë. Ndërsa me vendimin e fundit të këshillit të Ministrave për nxënësit bursa është 6345 lekë dhe për studentët 8900 lekë. Për arsimin e mesëm niveli i bursës në 15 vite është rritur me 2245 lekë ( ose mesatarisht 150 lekë në vit) ndërsa për studentët është rritur me 3300 lekë ( ose 220 lekë në vit). Mos harrojmë sa ka qenë niveli i pagave dhe inflacionit në atë periudhë dhe sa është sot. Duke llogaritur sa sipër rezulton pa ekuivoke se niveli i bursës për nxënës e studentë  ka çdo vit rënie në vlerën reale , në fuqinë e saj blerëse,  pavarësisht asaj rritjeje qesharake në numra e shifra.

Kemi në dorë Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 55 , datë 07.01.1960 “Mbi bursat e studentëve të Universitetit  Shtetëror të Tiranës dhe Instituteve të Larta”  në të cilin përcaktohet se bursa për studentët është 3000 lekë ,  për studentët pa prindër 3200 lekë në muaj dhe 10 000 lekë në vit për veshmbathje. Kurse me vendimin nr. 56 të po kësaj date përcaktohet se nxënësve bursistë në shkollat fillore , 7 vjeçare e të mesme  u sigurohet ushqimi në vlerën 1800 lekë në muaj dhe banimi për gjithë kohën e studimeve ,nxënësve jetimë u jepen librat e fletoret falas ,  po falas u jepen librat 10% të nxënësve të tjerë, rroba e mjete pune për shkollat profesionale etj.

Mendojmë së bashku  që në vitin 1960 vlera e ditës së punës në fshatra shkonte nga 30 deri në 50 lekë dhe fshatari në muaj mund të merrte 1500 lekë , ndërsa bursa e studentit ishte të paktën dy herë më e lartë në vlerë , më e lartë ishte dhe bursa e nxënësit. Në atë periudhë kush merrte një pagë shteti 4000 lekë ishte “ mbret” , ndaj dhe niveli i bursës ishte tepër i kënaqshëm.

Për të rinjtë që nuk i njohin ato vite bëjmë një krahasim  tepër të thjeshtëzuar : Nëse me 3000 lekë ( të vjetra) sa ishte vlera e bursës së studentit në atë kohë bleje 20 kilogramë mish viçi të zgjedhur , me vlerën e bursës së sotme , 8900 lekë , blen 10 kilogramë mish me frikë në zemër se mos është maqedonas, pa folur pastaj për shpenzimet e sotme të gjithllojëshme të studentit me taksa regjistrimi , pagesë konvikti apo shtëpishë me qera etj.

Sikur mos mjaftonte sa sipër VKM e viteve të fundit të Këshillit të Ministrave mbajnë mbi vete dhe diskriminimin e studentëve për trajtimin me bursë.

Kriteret vazhdojnë të jenë qesharake. Nxnësit e studentët , që janë nga familje  me përbërje nga 2 deri në 8 frymë, nuk marrin bursë nëse familja e tyre siguron të ardhura për frymë nga 2600 deri në 3200 lekë. Marrim maksimalen , familjen me 8 frymë. Një student nga një familje e tillë nuk mund të marrë bursë nëse familja siguron 2600 lekë të ardhura për frymë në muaj. Pra nëse në këtë familje tetëfrymëshe  hyjnë 20800 lekë në muaj , studenti nuk merr bursë se “ nuk i takon”. A mund të mbijetojë një familje me ët tillë ëprbërje me 20800 lekë në muaj dhe të mbajë një student në shkollë?!

Për nxënës e studentë nga fshati ligësia shkon më tej. Ata nuk mund të trajtohen me bursë nëse familja e tyre nuk është në skemën e ndihmës ekonomike, që do të thotë që nxënësi e studenti “ të mallkojë” gjyshen ,gjyshin, nënën apo babain që marrin një pension kooperative i cili nuk i lë të marrin ndihmë ekonomike e rrjedhimisht as bursë.

Edhe studentët , fëmijë të një këshilltari komune apo kryetari fshati, që marrin një shpërblim këshilltari apo kryetari fshati  në komunë ,  nuk marrin ndihmë ekonomike  e rrjedhimisht as burse.

Të gjithë studentët me banim në fshat janë të përjashtuar automatikisht nga mundësia e marrjes së  bursës së plotë  pasi,  sipas VKM-së,  bursë të plotë mund të marrin studentët e fshatit familjet e të cilëve marrin ndihmë ekonomike të plotë. Po sipas një tjetër ligji , atij nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” me VKM-të e  Udhëzimet në zbatim të tij,  në fshat nuk mund të merret ndihmë e plotë e rrjedhimisht as bursë e plotë.

Tallja vazhdon edhe me studentët jetimë. Ata sipas përcaktimeve në VKM marrin bursë kur      “ kanë statusin e jetimit e plotësojnë kriterin ekonomik”. Po plotësuan kriterin ekonomik statusi i jetimit për çfarë u duhet ?!

Sa sipër mendojmë që jetimët me status duhen trajtuar me bursë pa asnjë tjetër kusht , që dhe për fshatin duhen futur kritere për trajtim financiar me qëllim që të trajtohen edhe ato nxënës e studentë familjet e të cilëve kanë pengesa të natyrave të mësipërme , pasi fakti është që bursat këshillat ua shpërndajnë  nxënësve apo studentëve që nuk u takojnë.

Po ashtu duhet zgjidhur përplasja ligjore e  kushtëzimit të trajtimit financiar të nxënësit e studentit sipas sasisë së ndihmës pasi  bie ndesh me bazën ligjore të dhënies së ndihmës ekonomike , ku përcaktohet se në fshat  nuk ka ndihmë ekonomike të plotë e për rrjedhojë as bursë të plotë. Kemi mendimin që paragrafi duhet formuluar ndryshe , duke shënuar të paktën  që nxënësit e studentët nga fshati përfitojnë bursë apo gjysëm burse , sipas përcaktimit që bën këshillli i komunës , mbështetur në planin e bursave dhe numrin  e kërkesave , kur familjet e tyre janë në ndihmë ekonomike.

Problem të veçantë e ndofta specifik për qarkun e Dibrës përbën dhe fakti që në zona të thella si Lurë , Selishtë , Zall-Dardhë , Zall Reç, Kala e Dodës , Macukull, Derjan , Gurrë  ,  Trebishti etj. nuk ka shkolla të mesme të përgjithshme apo janë mbyllur së fundmi . Nxënësit ,që mbarojnë arsimin 9 vjeçar, janë të detyruar ta vazhdojnë arsimin e mesëm në qytete me apo pa  konvikt. Në këto kushte mendojmë që dhe raste të tilla të trajtohen me bursë jashtë kriterit ekonomik duke i njehsuar me shkollat e mesme profesionale, pasi nxënësit kanë shumë e shumë shpenzime të tjera për të bërë .

 

Sikur mos mjaftojnë pengesat ligjore ndër vite , në lojë hyjnë dhe këshillat vendorë që përbaltin lijgin dhe VKM – të.  Sado i keq qoftë ai , ligji apo VKM , sa është në fuqi,  duhet zbatuar përpikshmërisht , ashtu siç është.

Problematika e përvitshme e konstatuar gjatë trajtimit financiar të nxënësve e studentëve ka konstatuar në :

Në disa njësi ( komuna)  shpesh nuk është mbajtur  parasysh kriteri i vetëm , caktuar në VKM , sipas të cilit përfitojnë bursë apo gjysëm burse nxënësit apo studentët  familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike duke trajtuar me bursë apo gjysëm burse edhe nxënës  e studentë të tjerë , familjet e të cilëve nuk janë në këtë skemë. Shpesh janë trajtuar me bursë të plotë fëmijë titullarësh vendorë me votime ekstravagante antiligjore të këshilltarëve dhe heshtje vrastare të prefekturës.

Ka raste kur janë trajtuar  me bursë të plotë nxënës apo studentë nga fshati , kur dihet që në fshat nuk ka ndihmë ekonomike të plotë.

Ka pasur shumë ankesa ndaj këshillave nga kërkues që realisht u takonte  të trajtoheshin  financiarisht , por këshillat nuk i kanë trajtuar, pasi kanë përdorur procedurën e turpshme të votimit, ndonëse në dijeni nga project – vendimi  për ata nxënës e studentë që nuk plotësojnë kriteret ekonomike.

Ka raste kur komunat kanë dhënë  bursë të plotë edhe pse nuk plotësohen kriteret me mendimin se nuk kemi kërkesa e digjen bursat.

Ka pasur dhe raste kur në komuna janë trajtuar financiarisht nxënës e studentë që nuk i kanë familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe janë lënë pa trajtuar ata që familjet i kanë në këtë skemë.

Ka pasur dhe tendeca për të trajtuar fëmijë të këshilltarëve apo punonjësve të administratës pa marrë parasysh kriteret e VKM –ve.

Pra në trajtimin financiar të nxënësve e studentëve në këto vite jo vetëm që ligji ka qenë i keq , por është zbatuar dhe më keq. Pasojat dihet , bien mbi shpatullat e brishta të nxënësve e studentëve , të cilët janë të detyruar të mësojnë , por edhe të punojnë për të mbijetuar.

 

Share This Article
1 Comment
  • Z. Petrit! Ju gjithmone tema te ndjeshme trajtoni dhe kryesorja e shkrimeve tuaja eshté bazueshmeria e argumenteve. Ju lumte por dua t’ju kujtoj se sa me shume varferi studentore e arsimore te kete aq me shume i zgjatet jeta modelit te kapitalizmit tropojan. Eshte modeli me i zhvilluar i kapitalizmit por ju megjithese analist mjaft i mire akoma nuk po “reflektoni” rreth ketij modeli dhe faktit qe na ka radhitur pas gjermanise? Cudi qe te “ka shpetuar” kjo e dhena e dyte!? Pergezime autor! Je i kendshem ne problematikén qe kap dhe menyren si e kap.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *