Fitim Çaushi
Për tre net, në qytetin turistik të Strugës, u organizua për të 30-tin vit, festivali “Këngë jeho”, i cili në jetën kulturore të këtij qyteti konsiderohet si një ndër manifestimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë shpirtërore, me shtrirje nga të gjitha trevat etnografike shqiptare dhe diasporës.
Si ngjarja më e madhe kulturore në Maqedoninë shqipfolëse, festivali “Këngë Jeho” i Strugës, lindi si domosdoshmëri për më tepër liri, për një unitet brenda njësisë etnike, për afrimin shpirtëror të shqiptarëve në mes tyre nga ndarja shumëvjeçare mes njëri-tjetrit, sepse kënga, vallja, melodia, kostumet e veglat popullore, e ndihmojnë afrimin shpirtëror të bashkëkombësve.
Këto festivale njëherazi ishin edhe shkolla te edukimit etnik, patriotik dhe argëtimi kulturor, përkundër tendencave për shkrirjen kulturore. Situatat e tensionuara politike, jo një herë e vunë në rrezik edhe festivalin “Këngë jeho”, por ai mbijetoi. Pavarësisht vështirësive, në 30 vjet festivali ka përcjellë vlera origjinale; gjerdanë me gurë të çmuar të krijuar nëpër shekuj, pjesë e palcës së këtij trualli, si dëshmi e konstitucionit shpirtëror të një populli të lashtë, por edhe si një befasi artistike me gjenezë shekullore. Në ditët e festivaleve mbizotëronte më e ndritshmja, më e bukura: gëzimi, ngrohtësia njerëzore, ndjenjë që di ta rrezatojë vetëm Arti i Madh i Popullit.
Festivalet krijonin emocione të papërsëritshme, që e pasuronin dhe e fisnikëronin si rrallë herë jetën shpirtërore të njerëzve. Struga në ato ditë pushtohej nga kënga dhe vallja. Jonet muzikore, dukej se tingëllinin si brilantet derdhur tatëpjetë liqenit, përshkonin gjithë qytetin, aq sa të krijohej ndjesia se në Strugë liqeni dhe Drini këndon. Në atë sfond natyror të qytetit të qelqt, dekori i ri shumëgjyrësh përzihej me motivet melodike dhe ritmin e valleve epike dhe lirike.
E gjithë vëmendja e qytetit ishte aty, ku malësorë, kosovarë, myzeqarë, lebër, të bashkuar ia thonë këngës dhe valles. Cilido pjesëmarrës në sofrën artistike “Këngë Jeho”, e ndiente veten të emocionuar nga thesaret artistikë të popullit.
Me shumë përkushtim, drejtorët: Hysen Suldashi, Shpëtim Pollozhani, Fitnete Tuda, Çerkez Iliazi e Zini Jusufi, së bashku edhe me përkushtimin e organizatorëve; Ismail Hoxhës, Nexhat Mustafën, Morsin Pollozhanin, Vait Hairon, Nafi Doko, i kanë dhanë kulturës shqiptare në Strugë, një përmendore artistike me vlera të rralla etnike, historike dhe estetike. Ata kapërxyen me sukses vështirësitë e fillimit dhe e pëcollën festivalin pa asnjë ndërprerje qysh në vitin 1991, si produkt i vendimit të Kryesisë së Lidhjes të Shoqatave Kulturore e Artistike të Maqedonisë, me në krye Alush Hamidin. Një nga shkaqet e suksesit të festivalit, ishte mbizotërimi i një materiali të pastër folklorik, i cili u bë i mundur nga respektimi i kritereve dhe platformës ideo-artistike të përcaktuar nga Këshilli Artistik, kritere të cilat siguruan pastërtinë burimore të vlerave të interpretuara.
Është inkurajuese të themi, se në 30 festivalet, kanë marë pjesë 630 shoqëri kulturore-artistike dhe mbi 29.000 artistë amatorë e profesionistë nga mbarë hapsira gjeografike shqiptare: Shqipëria, Kosova, Arbëreshët e Italisë, Amerika, Zvicra, Turqia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut. Në këto festivale kanë interpretuar Shoqëri Kulturore dhe grupeve artistike si: “Bajram Shabani”, “Jeta e re”, “Naim Frashëri”, “Emin Duraku”, “Ibe Palikuqi”, “Xheladin Zeqiri”, “Valët e Jugut”, “Bashkimi”, “Migjeni”, “Drita-Livadhi”, ”Shpresa”, “Besa”, “Jehona”, “Dollia”, “Shote Galica”, “Kaçaniku”etj. Nga 700 pjesëmarës gjatë një festivali, 100 artistë popullorë ishin nga Republika e Shqipërisë dhe po aq nga Republika e Kosovës. Në këto festivale kanë interpretuar artistët më të mirë të kombit.
Festivali i 7-të, do të ishte si një homazh i madh për dhimbjen e Kosovës. Megjithse Ansambli “Agimi”, nga Prizreni, nuk ishte i pranishëm, ngaqë nuk mund të kalonte rrethimin, Kosova përsëri do të kishte zërin e saj në festivalin e 7 “Këngë Jeho”, Strugë ’98, i cili u kthye në një koncert homazh për viktimat e lirisë. Kënga e të rinjve dibranë: “Heu moj Kosovë”, “Drita e syve” etj, e bëri prezente Kosovën martire. Një pishtar, simbolizoi që në fillim flakën shqiptare që nuk është shuar prej shekujsh. Rreth tij u grumbulluan të gjithë pjsëmarrësit e natës së parë, duke thënë, se ne duhet të jemi Një, në këto momente kyçe të historisë kombëtare.
Nëpër vite festivali pati përmirësime organizative, u përmirësua lënda folklorike dhe estetike, u ndie më mirë atmosfera sunduese e shpirtit shqiptar gjatë parakalimit të grupeve pjesëmarrëse në rrugët e qytetit, gërshtimi i brezave etj.
Mbështetur mbi këto prurje, Festivali “Këngë Jeho”, është kthyer në manifestim madhështor të artit popullor. Në këto festivale pati një larmi të jashtëzakonshme krijimesh folklorike, çka tregoi për vazhdimësi të krijimtarisë popullore, për qëndrueshmëri të traditës, duke përballuar forcën asimiluese të kushteve të reja historike.
Ekspozimi i vlerave të mirëfillta të folklorit burimor në skenën e festivalit “Këngë Jeho” të Strugës, dëshmoi edhe një herë nivelin e ruajtjes dhe konservimit të deritanishëm të pasurisë së trashëgimisë shpirtërore, pasuri, e cila u shpalos që nga format më të hershme me elemente pagane, e deri në krijimet e reja brenda shtratit dhe strukturës së artit popullor.
Janë paraqitur në festival baladat dhe këngët epike legjendare, këngë të epikës historike të periudhave të ndryshme, këngët e punës, këngët dhe lojrat e fëmijëve me motiv traditën blektorale ose të “çobanëve”, jo rallë edhe me elemete zbavitëse. U paraqitën gjithashtu materiale etnografike, si veglat e vjetra të punës, instrumentet muzikorë tradicionale, indiofonike, aerofonike, kordofonike dhe membranofonike, meloditë instrumentale me fyej dhe culdyjare, instumente popullorë nga më të herëshmet si: fije bari, gjethe druri, gurë, brirë, gëzhoja të ndryshme, e deri te ato më të perfeksionuara, të sistemeve muzikore të temperuara të traditës shqiptare, qoftë në formë solistike, qoftë si shoqëruese në grup nga ansamble më të mëdha të formacioneve muzikore.
Me rëndësi të madhe në këto festivale kanë qenë ritet e lashta, të cilat janë më shumë të rrezikura, se sa gjithë gjinitë e tjera të folklorit. Janë paraqitur me nivel dhe origjinalitet ritet festive të motmotit, festat kaledarike të Ditës së Verës, festa me elemente pagane me gjurmë të riteve të vjetra, duke e humbur funksionin e hershëm, e deri tek riti i ndjelljes apo mbledhjes së bletës, nga grupi i Tetovë-Gostivar-Strugë.
Shumë e pasur erdhi dasma shqiptare në këto festivale, shoqëruar me disa elementëve tradicionalë të riteve të lashta dhe përcjellja e krushqve, sikurse edhe në festivalin e fundit. Në festivalet e Strugës është shpalosur origjinaliteti, fizionomia dhe mirëfillësia kombëtare, si dhe respektimi i tipologjisë së kostumeve kombëtare.
Në këto festivale artistët popullorë e përcollën folklorin burimor, nën ritmin e tupanit dhe zurles, me një shkrirje të elementëve dhe gjinive të ndryshe folklorike. Përmes krijimtarisë artistike spektatori përfytyron me imagjinatën e tij, pjesë nga jeta e popullit përgjatë historisë. Kjo formë organizimi e elementëve foklorikë, e bëri më interesante traditën, e mbushi spektatorin me emocione estetike.
Festivali “Këngë Jeho”, ka meritën, se artin e vallëzimit shqiptar e përcolli bukur edhe brezi i ri, duke dhuruar një fluks emocionesh artistike, atmosferë optimizmi dhe dashurie për jetën. Kjo na bindi, se këtë trashëgimi shpirtërore, ardhur prej shekujsh, do ta trashëgojnë te pasardhësit për të mos vdekur kurrë.
Në festivalin “Këngë Jeho”, u përfaqësuan pothuajse tërësisht tipet dhe llojet e koreografisë popullore shqiptare, të cilat dëshmuan edhe një herë për identitetin tonë kombëtar. Një univers i pafund vallesh, vërshuan me origjinalitetin e tyre ardhur prej shekujve. Në to u evidentua artistikisht, ai unitet ideoemocional, që kërkonte krijimi artistik, si një sintezë vecorish e karakteristikash, që përbënin identitetin tonë kombëtar.
Mjeshtra të vallzimit shqiptar erdhën edhe në këtë 30 vjetor. Këshilli artistik; Dilaver Kryeziu, Emir Dizdari, Rini Useini, dhe Natmir Beqiri, me shumë fantazi kishin konceptuar dhe bashkërenduar një program të mirëmenduar, që do t’i shkonte bukur një festivali jubilar. Pjesmarrja e tre ansambleve profesioniste; e ansamblit të Shkupit, të Prishtinës dhe të Tiranës, ia ngritën nivelin festivalit “Këngë jeho” Strugë 2021. Interpretimet e bukura të tyre dhe repertori i zgjedhur për këtë jubile, ishin impresionuese dhe emocionuese. Veçanërisht Ansambli Kombëtar i Shkupit, bëri një prezantim dinjitoz, me valltarë dhe këngëtarë virtuozë.
Me shumë mjeshtëri artistike, interpretoi edhe grupi polifonik “Çipini” i Vlorës, i cili me meloditë karakteristike të Labërisë, vokale brilante të marrësve dhe harmoninë e përsosur të kthyesit, hedhësit dhe isos, si një instrument muzikor, realizuan një simfoni epike.
Festivalin e shpalli të hapur Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Znj. Irena Stefoska, e cila deklaroi: “Për këtë festival kemi dhënë dyfishin e fondeve dhe do të jemi edhe në të ardhmen mbështetësit kryesor të festivalit të Strugës… Duhet t’i japim dorën njëri-tjerit”.
Festivalin e nderuan Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Z. Ali Ahmeti, i cili në përshëndetjen e tij theksoi: “Artistët popullorë e morën thëngjillin e ngrohtë dhe e ndezën në skenat e këtij festivali, për të dëshmuar pasurinë e madhe shpirtërore të këtij populli. Duhet ta mbajmë kurdoherë lart këtë festival edhe në vitet e ardhshme”.
Ishte shumë emocionuese dhe i mirëmenduar, homazhi para festivalit, për Besim Vincën, njëri nga drejtuesit kryesorë të Festivalit “Këngë jeho”, i cili u nda nga jeta para disa muajsh. Ishte po ashtu shenjë e një nderimi për kontribuesit e mëdhenj të artit popullor, të cilët i nderuan me çertifikata mirënjohje, mes tyre edhe Nderin e Kombit Rexhep Çelikun, i cili kishte ndihmuar në ansamblet e ndryshme të Kosovës, Strugës dhe disa ansamble të Maqedonisë së Veriut.

….Kenga JEHON n’cdo SKAJ te ATDHEUT tone…
Me rjeshtin e pare te kesaj kenge ATDHARE- ju persshendes,une85 vjecari-Biri Dangellise Naimjane ,rruget e Emigracionit-DETYRUAR-mare!
Urime per kete 30 vjetor-*30 VJET Kenga JEHON* Miresi ju uroj MBARE SHQITAREVE te kudo ndodhur me Amanetin ne mendie e Zemer:
*I biem BOTES ane emvane PO jo dhe Jo! nuk e harrome VATANE*! Me Ju.
Yoronto 27-07-2021 85 vjecari Guri Naimit D.