Një adoleshent shqiptar në Kombet e Bashkuara

anazapta

Kur flasim për adoleshentët e sotëm, mendja na shkon tek disa të rinj të “harbuar”  që nuk duan t’ia dinë çfarë bëhet rreth e rrotull tyre.  Por, shembulli që do ju tregojmë sot nuk është i zakonshme. Markelian Gega është 16 vjeç. Në gusht ai përfaqësoi Shqipërinë në takimin ndërkombëtar mbi Objektivat e Mijëvjeçarit dhe është një nga hartuesit e raportit që do të lexohet në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë fund shtatori. Më saktë, sot. Marko është një djalë simpatik, shumë entuziast dhe i shkathët. Ka lindur në Bisak të Mirditës dhe është rritur në qytetin e Laçit, në një zonë periferike të tij, ku ende jeton. Ka një vëlla më të vogël, mamin, babin, gjyshen dhe gjyshin. Sot, ai është personazh i “Ditës”.

 

Marko, ti nuk dukesh si adoleshenti tipik, apo jo? Të pëlqejnë kafenetë?

Jo nuk më pëlqejnë fare. Më pëlqen të jap, të ndikoj jetën e njerëzve që ndodhen rrotull meje.  Përfshihem vazhdimisht në vepra vullnetare.

 

Si për shembull?

Prej dy vite rresht, si pjesë e Edukatorëve Bashkëmoshatarë të “W V”, pastroj çdo lagje të qytetit, çdo 23 Mars që është Dita Ndërkombëtare të Mjedisit. Sigurisht, nuk bëjmë vetëm kaq. Punojmë edhe me fëmijët me aftësi ndryshe. Zakonisht, çdo tre muaj, ideojmë dhe organizojmë një ditë të bukur, ndryshe për ta. Punojmë javë të tëra që kjo ditë të jetë sa më e gëzueshme, sa më e veçantë për ta. Ndjejmë kënaqësi të vërtetë sa herë i shohim të qeshin ata dhe familjarët e tyre.

 

Ç’do të të pëlqente të bëje në të ardhmen?

Do të doja të drejtoja një grup, që të bëjmë diçka për njerëzit. Do të doja të bëhesha politikan i aftë, ndoshta diplomat. Gjithsesi, më duhet të bëj zgjedhje të vështira sepse më pëlqen edhe teknologjia.

 

Të shkon në mendje të largohesh nga Shqipëria, të ndërtosh jetën tënde larg saj?

Shpresoj që të arsimohem jashtë dhe po pres që kjo dëshirë e imja për të vazhduar studimet e larta jashtë Shqipërisë, të realizohet. Sapo të mbaroj dhe të kem marrë një profesion, dëshiroj të kthehem në Shqipëri dhe të jap atë që kam. Nuk me shkon kurrë mendja që të rri larg, dua që të ndihmoj vendin tim me aq sa mundem.

 

Marko, çfarë të pëlqen të bësh në jetë?

Më pëlqen shumë të pikturoj. E kam bërë këtë qëkur isha në moshë të vogël. (Gjatë intervistës, ai vizaton pa ndërprerë në bllokun e vet, në stilin tribal art). Më pëlqen teknologjia dhe më pëlqen të udhëheq njerëz. E di që jam i ri për këtë, por ndjej se është ajo që duhet të bëj dhe mund ta bëj.

 

Të jesh udhëheqës për ty është përgjegjësi apo privilegj?

Mendoj se janë te dyja. Është përgjegjësi sepse duhet të drejtosh një grup të caktuar për të shkuar drejt një pike të caktuar. Është privilegj sepse je një krye të një grupi.

 

Ne dimë që ti në gusht ishe në Frankfurt, për të marrë pjesë në workshop “Zhvillimi i objektivave të mijëvjeçarit post-2015”. Pse u zgjodhe ta bëje këtë?

Ne ishim tre të rinj shqiptarë: unë nga Laçi, një djalë nga Librazhdi dhe një nga Korça. Kishim qenë pjesë e një trajnimi të mëparshëm lidershipi dhe ne të tre u zgjodhëm për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë workshop u përzgjodhëm të rinj nga 10 shtete të ndryshme, si përfaqësues të miliona të rinjve dhe vendeve të tjera në botë. Vinin nga Anglia, Gjermania, Kosova, Hollanda Bosnja, Hercegovina, Armenia, Azerbajxhan etj dhe si rregull, duhet të ishim 25 vjeç.

 

Cili ishte qëllimi i asaj që ndodhi në Frankfurt?

Qëllimi ishte përmirësimi i jetesës së të rinjve. Të gjithë të rinjtë e çdo shteti përgatitën prezantime me problemet të të rinjve, në vendin e tyre. Secili grup kishte 10 minuta kohë të prezantonte pjesën e tij.

 

Cilat ishin problemet e rinisë që ju nxorët në pah në prezantimin e Shqipërisë?

Problem më i madh ishte papunësia, pabarazia gjinore, shërbimi shëndetësor, mungesë e jetës sociale, zakonet e këqija (duhanpirja, alkooli, droga etj).

 

Në krahasim me problemet e prezantuara nga vendet e tjera, si ishim?

Kosova kishte papunësi më të lartë.  Rumania, Bosnja dhe Kosova na ngjanin në shërbimin shëndetësor. Shtetet e zhvilluara nuk i kishin këto problem, kuptohet. Të rinjve nga Gjermania, Hollanda etj u dukej e pabesueshme kur dëgjonin se ne duhet të paguajmë mjekët në dorë për të marrë një shërbim të caktuar.

 

Po ata çfarë problemesh nxorën në prezantim?

Papunësia e të rinjve ishte një fenomen  shqetësues për të gjitha shtetet. Po  ashtu shkalla e lartë e duhanpirës, përdorimit të drogës, alkoolit.

Më pas të gjithë të rinjtë u mblodhën në grupe të ndryshme dhe folëm, diskutuam për problemet e vendeve tona. Ishte shumë interesante t’i bënin bashkë gjithë këto situate. Pastaj ofruam zgjidhje: çfarë mund të bëjnë qeveritë, parë nga këndvështrimi ynë.

 

Ç’do të ndodhë me këto ide? Mbeten me kaq?

Jo, të gjitha këto propozime ne i përmblodhëm në një dokument dhe ky dokument do t’u prezantohet zyrtarëve të lartë botërorë në 20 shtator (sot) dhe pas tri ditësh ata do të njihen me të, në Nju Jork, në një takim të nivelit të lartë. Bëhet fjalë për takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sigurisht, pjesëmarrës do të jetë edhe zoti Ban Ki Moon nga OKB. Pra, ky raport do të çohet dhe lexohet në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe është  shumë i rëndësishëm sepse ai përfaqëson zërin e të rinjve, kudo në botë.

Share This Article
11 Comments
  • Ne rradhe te pare brravo Markut per pjekurine dhe mentalitetin e tij por ne rradhe te 2te nje brravo te madhe meritojne familja e tij per edukimin dhe kulturen te cilat I kane krijuar ne ambjentin familjar dhe e kane rritur e formurar ne nje adoloshent shembullor qe sot ne nje moshe vetem 16 vjeq. Te uroj gjithmone suksese .BRRAVO .

  • keshtu isha dhe une ne moshen tende marko.po tani 23 vjec ato endrra duken perralla.u uroj qe ti tja dalesh dhe nese do qe tia dalesh ik nga ky vend se ketu enderrat vriten.

    • Ai do qe ta ndihmoje kete vend , dhe nk do qe te largohet , do te beje dicka qe ato endrra te mos vdesin , do ti ndihmoje keta njerez qe ne fillim te fitojne besim ne vetvete , pastaj te bejne realitet endrrat i tyre ….

  • “ajo qe ne bejme – ka thene Nene Tereza – eshte nje pike ne oqean, por neqoftese nuk behet asgje, oqeanit i mungojne pikat” Prandaj mendoj une njeriu nuk duhet te perpiqet per te ndryshuar boten per te ndertuar ate. Dhe neqoftese ajo qe ne bejme eshte e mire edhe bota do te ndertohet e mire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *