E njohim shumë mirë efektin e saj të menjëhershëm kundër dhimbjeve të kokës dhe marrim parasysh këshillat e mjekëve për ta përdorur si parandalues të infarktit. Por një studim i ri sugjeron se aspirina mund të jetë një armë e fuqishme dhe kundër kancerit, specifikisht atij të lëkurës. Një projekt me titull “Iniciativa për Shëndetin e Femrave” i hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA ka vëzhguar me kujdes 58 806 femra të racës kaukaziane (europiane) që i përkisnin moshës 50-79 vjeçe. Monitorimi për 12 vjet me radhë i shëndetit të tyre arriti në përfundimin se kush e kishte përdorur më shumë aspirinën kishte 21 për qind më pak mundësi për t’u prekur nga melanoma, në krahasim me ato që kishin përdorur më pak ose aspak aspirinë. Studimi është publikuar në revistën shkencore “Cancer”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli