Një baladë dhe gjashtë epigrame

redaktor

O Zot-përse më tall?!

Kallkan më ngrin në zemër,
o Zot-përse më tall?!
Se shtrihem me një engjëll,
dhe zgjohem me një djall…

Dhe shkoj mes errësirës,
dhe rrugën kurrë s’e humb,
por sapo dal në krye,
goditem nga një plumb…

Të fundmin lekë që pata,
të parit lyps ia dhashë,
më shau keq nga mbrapa:
“Kaq pak-more qelbash?!”

Vështirë dhe më vështirë,
dhe kurdhe-edhe leqe,
ç’më duket më e mirë,
për dreq del më e keqe!

Kështu s’i shtyj dot ditët,
s’jam kalë që vrapin ngas,
kam shpirt mbi gjithë poetët,
dhe mendjen shumë e vras.

Me muzë dhe mërzi,
ç’do e plagos zëmrën,
dhe s’them për asnjeri:
“O jepi! Ç’i bën t’ëmën!”

Shkon dita në mërzi,
e mbytur në trishtim,
se halli që ke ti,
bëhet dhe halli im!

Tetor 1994-Tetor 2015

Epigrame

Pa titull
Shumë vite të trazuar,
rrojta dhe s’e nxiva faqen,
o sa shumë paskam jetuar,
mes jush që urreni paqen!

Pa titull

Të shikoj e bëj çudi,
pisllëku si s’të zë frymën,
më vjen keq të të pështy,
jo për ty-po për pështymën!

Frymëzim biblik

Zoti im-e s’ka më tjetër,
më largo nga çdo gënjeshtër,
mos më bëj mbret me thesar,
as të varfër gjynahqar!

Më jep ti-o Zot i ndritshëm,
veç ushqimin e përditshëm,
të përditshmen ma jep ti,
më të madhen siguri!

I pabesi

I pabesi mbi fron të pushtetit,
që dredhia aq lart e ka ngritur,
kafshon si qeni i detit,
dhe si një ari i uritur!

Pa titull

Nuk gjen në Botë një manastir,
që ti të shkosh e të rrëfehesh,
se je e gjitha shkretëtirë,
nuk meriton as të urrehesh!

Pa titull

S’do jetë gjithmonë kjo Botë,
një këngë e pafund pikëllimi,
ajo që sot mbillet me lotë,
do korret me këngë gëzimi!

  1. Duka, Dhjetor 1996.
Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *