Një baladë dhe një lirikë nga arkiva

Ornela

Qan me lot një gur i thinjur!…

Tani shkoj një fshat pa zhurmë,
se syri m’u mjegullua,
qan me lot një gur i murrmë,
qan për vete-qan për mua.

Trupin drejt s’e mbaj më dot,
m’u venitën sytë e zinj,
guri i murrmë derdhi lot,
dhe nga fati im u thinj.

Trokëllij-ngadalë me shkop,
në qilim të Luarisë,
bëj t’i ngjall e s’i ngjall dot,
kujtimet e miturisë.

Në rrugicën me barishte,
jap e marr të bëhem djalë,
në një këngë labërishte,
them të tretem dalëngadalë.

Në një këngë labërishte,
them të rri-e them të tretem,
të tretem si rreze drite,
dhe aty përjetë të mbetem.

Të më gjejmë si mjaltë të tretur,
gjithë ata që dot s’më panë,
në Labovë ende ka mbetur,
për poetin një kambanë.

Për poetin një kambanë,
një kandile-një qiri,
ju të gjithë merrni dynjanë,
unë këtu përjetë do rri.

Unë këtu përjetë do mbetem,
në rrjetat e dashurisë,
do mè bëhet Monument,
Gur i Murmë i Luarisë.

Tek ky prag e te ky krua,
buza kurrë s’më është nginjur,
qan për vete dhe për mua,
qan me lot një gur i thinjur.

Tiranë, 29.01.2007

Ku mbeti rinia ime?..(Lirikë)

Mbeti tek një natë me Hënë,
tek Ajo që bëra Nënë,
tek një mollè e tek një ftua,
tek Ajo që bëra Grua…

Tek një këngë e tek një rimë,
tek një buzë-një psherëtimë,
tek dy gjinj-o prej floriri,
ku m’u robërua syri.

Tek një shteg -ku ngjita malin,
tek një ditë që linda djalin,
tek një natë që zbraza kupën,
tek një ditë që linda çupën.

As nuk shkoi-e as nuk mbeti,
as u tret si kripë deti,
kjo rini-rinia ime,
ai yll me vezullime.

Plot me bujari e fala,
në stacionet ku u ndala,
si dikur-mua njëherë,
tani ndrin njerëz të tjerë.

Tiranë, Janar 2005

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *