Biznesmeni Muhamed Yunus ka marrë çmimin Nobel në vitin 2006 për atë që ai quhet “Fondacioni Yunus” dhe që konsiston në dhënien e ndihmës mikrokredi për shtresat e varfra dhe financimin e projekteve në rang botëror për punësimin e të varfërve me prioritet punësimin e femrave në zonat rurale. Në vitin 2010 ndaj tij një gaeztar norvegjez i quajtur Tom Haineman publikoi një dokumentar në të cilin ngrinte shumë dilema në lidhje mbi mënyrën se si funksiononte fondacioni dhe kompanitë private të Nobelistit. Sipas këtij investigimi rezultonte se nëpërmjet fondacionit nobelisti akumulonte disa dhjetra miliona dollarë nga fondet e OKB-së dhe donacionet e huaja thuajse pa interes, ose me interes deri në 3 përqind dhe më pas i riinvestonte kapitalet me interes shumë më të lartë. Për këtë dokumentar reagoi dhe qeveria norvegjeze, ndërsa u dyshua se një pjesë të fondeve që ishin deklaruar për ndihmën ndaj shtresave të varfra, nobelisti i kishte transferuar në llogarinë e një banke e cila është në pronësi të tij dhe që quhet Grameen Bank. Junus i merr fondet, madje dhe Nobelin, bazuar në eksperiencën e investimit në një fshat në Bangladesh i quajtur “Fshati Zobra”, ndërsa dokumentari norvegjez zbuloi, se pretendimet e Junusit për prosperitetin e këtij fshati, ishin ku e ku më larg nga realiteti dhe varfëria që mbizotëronte aty dhe ku prosperiteti dukej ende shumë larg. Në fakt në emër të prosperimit të zonave të varfra Junus siguronte dhe fondet ndërkombëtare. Ndoshta e ekzagjeruar, por një ministër i qeverisë së Bangladeshit e ka quajtur Junusin deri edhe “gjakpirës i të varfërve”.
Në Shqipëri
Por përse erdhi Junus dje në Shqipëri? Me çfarë “oferte” e fitoi ai dje vëmendjen e kreut te egzekutivit Sali Berisha? Zyrtarisht bëhet fjalë për një bashkëpunim mes fondacionit Junus dhe një korporate gjermane për një investim gjigand në fshatin Prezë të Tiranës. Bëhet fjalë për ndërtimin e “Tirana Business Park”, një park biznesi dhe qendre ekonomike në komunën Prezë, në Tiranë. Ky është një investim tërësisht gjerman i Lindner Group, me vlerë rreth 100 milionë euro dhe parashikon krijimin e mbi 9 mijë vende pune, njoftohej dje zyrtarisht. “Kryeministri Berisha i shprehu Prof. Yunus vlerësimin për rolin dhe kontributin e tij në luftën kundër varfërisë dhe zhvillimin e biznesit social. Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha e konsideroi të rëndësishëm edhe memorandumin e bashkëpunimit që Prof. Yunus nënshkroi sot gjatë vizitës në “Tirana Business Park” me drejtorin e përgjithshëm të saj, zotin Carsten Conrad. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e garantoi Prof. Yunus se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur veprimtarinë e tij”, – njoftonte dje Këshilli i Ministrave.
Biznesi
Nga portali i regjistrimit të Biznesit në Shqipëri rezulton se ai ka themeluar në Tiranë kompaninë “YUNUS Social Business Gmbh Dega ne Shqiperi”. Kjo kompani është degë e një kompanie të regjistruar në gjermani nga Junus dhe fakti që “bashkëpunimi” në Tiranë vjen sërish me një kompani gjermane si “Linder Grup” për ndërtimin e “Tirana Bussines Park”, tregon se iniciativa dhe fondet kanë “zbarkuar” nga Gjermania.Është ende e paqartë se çfarë përfitimesh do të kenë këto kompani nga ky biznes në Prezë që ka si objekt të vetin trajnimin e fuqisë punëtore dhe parashikon punësimin e 9 mijë punonjësve. Por ka dhe një aspekt tjetër që i lidh këto dy kompani me bazë në Gjermani. Edhe “Linder Group” por edhe Muhamed Yunus operojnë në tregun e sigurimeve edhe atë të mikrokredisë. Përfaqësues i “Linder Group” në Tiranë është një shtetas i quajtur Stephen Strauss dhe në vitin 2010 ka themeluar në Tiranë dy kompani të lidhura me fushën e sigurimeve dhe mikrokredisë. Kësisoj duket qartë se përveç parkut të biznesit dhe projektit 100 milionë euro ende “të paqartë” në Prezë, bashkëpunimi mes “Linder Group” dhe Muhamed Junus po shtrihet dhe në fushën e sigurimeve dhe mikrokredisë. Dyert e qeverisë duken të hapura, ndonëse ka shumë pak të dhëna per publikun se çfarë po gatuajnë këta “bamirës”.
Njoftimi i djeshëm i qeverisë për Biznesin Social nga Bangladeshi
Kryeministri Berisha përshëndeti punimet e konferencës “Lëvizja për Biznesin Social në Shqipëri”, pjesëmarrës në të cilën ishte dhe Profesor Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqen “për përpjekjet e tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të të varfërve nëpërmjet krijimit të bizneseve sociale”. Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishme praninë e Prof. Yunus në këtë konferencë, si dhe i shprehu atij mirënjohje për përpjekjet mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat në varfëri e vështirësi, për ndërtimin e një jete më të mirë. Duke e garantuar Prof. Yunus për mbështetjen nga ana e qeverisë në këtë nismë thellësisht njerëzore, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte në interesin më të mirë dhe në dinjitetin më të madh edhe të sektorit konvencional që të bashkëpunonte në këtë sektor. Nisur nga angazhimi i Prof. Yunus se varfëria mund të çrrënjoset, Kryeministri Berisha mori rastin e Shqipërisë, e cila njëzet vjet më parë ishte vendi më i varfër i planetit për të ardhura për frymë dhe falë reformave të thella e politikave të ndjekura u shkëput me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta dhe është vendosur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. “Shqipëria në vitin 2001 kishte një varfëri prej 38 përqind. Shqipëria në vitin 2008 kishte një varfëri prej 12.5 përqind. Shqipëria në vitin 2005 kishte një varfëri ekstreme prej 3.4 përqind dhe kjo zbriti 1.2 përqind në vitin 2008. U ndala në këto shifra, sepse varfëria mund dhe duhet të luftohet”, u shpreh Kryeministri.
bravooooo.me ne fund gazetar qe bejne pyetje dhe nuk bejn vetem rolin tregonjesit te lajmit..
Ndoshta ky nobelisti nuk e di qe ne jemi te katertit ne bote, per mireqenie dhe nje shtet i zhvilluar sic deklarohet nga Berisha, duhet ta kete per turp qe merr ndihma nga nje fondacion, qe si qellim ka te ndihmoje shtresat e varfera dhe nga kush, nga Bangladeshi, qe ne e kemi marre si shembull te varferise ekstreme.