Menaxherja 27-vjeçare e skuadrës së parë bavareze dikur ka luajtur në Bundesligën për femra në rolin e mesfushores. Tashmë përkujdeset për anën logjistike të Bajernit
Arlinda Gjypi
Nuk janë të paktë ata që kanë pyetur veten se cila ishte vajza bjonde që shoqëroi Bajernin e Mynihut në Katar. Është Kathlin Krueger (Kathleen Krueger). 27-vjeçarja simpatike e njeh shumë mirë futbollin. Ish-lojtare për skuadrën bavareze ajo tashmë përkujdeset për çështjet logjistike të skuadrës së parë. Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, ajo u shpreh se ndihet shumë e respektuar.
Në fakt, është gjithmonë e pranishme në fushën e stërvitjes. Por qetësisht dhe pa tërhequr vëmendjen. “Më pëlqen të jem në prapaskenë. Ashtu mund të punoj më mirë. Planifikoj udhëtimet deri në detaj dhe shumë gjëra të tjera akoma, thotë menaxherja.
Puna e saj nis që nga planifikimi i udhëtimit, marrëveshjet me sponsorët, koha e nisjes së autobusit dhe gjithçka tjetër. Të gjitha gjëra që në 17 klubet e tjera të Bundesligës i bëjnë kolegët e saj meshkuj.
Në mes të meshkujve në fakt, duket sikur situata e saj është një përjashtim. Sidomos kur ndodhet në fushën e stërvitjes në Katar. Por Kathlin Kryger thotë se gjithçka është pozitive: “Janë djem të këndshëm, secili ka shumë respekt për mua. Dhe për më tepër më pëlqen të dëgjoj mendimin e profesionistëve lidhur me situata të caktuara në futboll”.
Kryger ka luajtur për një kohë të gjatë në rolin e mesfushores në Bundesligën për femra. Më pas ajo ka studiuar për Menaxhim Ndërkombëtar. “Por më pas ndalova”, thotë ish-asistentja e ish-drejtorit sportiv Kristian Nerlinger. “Nëse Bajerni të ofron një mundësi, nuk mund të mendohesh dy herë”.