Armando Sadiku është golashënuesi më i mirë i ligës së dytë zvicerane, por nga llogaria e tij i janë “ngrënë” dy gola dhe tani ai është në kuotën 12. I janë hequr pikërisht dy golat që shënoi në portën e ish-skuadrës së tij, Lokarnos, fituar 3-0 nga Lugano, më 13 shkurt, për javën e 19-të të kampionatit. Lugano e ka humbur në tavolinë 0-3 ndeshjen e luajtur në transfertë, për shkak të një gabimi të ngjashëm me atë që bëri Bylis në kampionatin shqiptar, kundër Skënderbeut. Skuadra ballshiote aktivizoi një lojtar të huaj më tepër nga norma, ndërsa Lugani e ka tepruar me një lojtar të paformuar në një klub zviceran. Lojtarë të formuar në një klub zviceran quhen ata futbollistë që nga mosha 15 deri në 21 vjeç kanë luajtur e pakta për tre sezone në një klub anëtar të federatës zvicerane. Sipas rregullave në Zvicër, lejohet që në fushë të jenë shtatë lojtarë të paformuar në klubet zvicerane, ndërsa Lugano kishte tetë në protokoll, njëri prej të cilëve edhe Sadiku, i cili është transferuar në Zvicër, te Lokarno, nga Elbasani, në janar 2011 dhe ky është sezoni i tretë në futbollin helvet. Duhet theksuar se në fushë luajtën vetëm gjashtë, pra një më pak se norma dhe pikërisht këtu bazohet edhe apeli i klubit të Luganos. Në një farë mënyre, sulmuesi elbasanas ka qenë mallkimi dhe bekimi për ish-skuadrën e tij, pasi i shënoi dy nga tre golat e humbjes, por tani është një nga “shkaktarët” e marrjes së pikëve në tavolinë. Kur rezultati i një ndeshjeje vendoset në tavolinë, nga takimi i luajtur në fushë bëhet i pavlefshëm jo vetëm rezultati, por edhe numri i golave të shënuar nga individët. Për fatin e mirë, në rregulloren e futbollit në Zvicër parashikohet vetëm humbja në tavolinë dhe jo heqja e pikëve të tjera, si në Shqipëri, gjë që në fakt u shtua pas precedentit në Vllaznia-Skënderbeu më 17 prill 2010, për të mos lejuar më gabime të qëllimshme.