I mbingarkuar me frikën e gjykimit në rast ndryshimi pushteti, Berisha bëri gjithçka të prekte zgjedhjet e 2009-ës dhe ca me manipulim dhe ca me pasmunipulim arriti të mbetet në pushtet dhe të tentonte të frikësonte dhe përçante opozitën. Shpërthimi i 21 janarit është rasti më ekstrem kur kryeministri i këtij vendi nga i akuzuar numër 1, tentoi të kthehej në akuzues sa për të kaluar lumin. Ai ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe për ata do të shkojë doemos para një gjykate, qoftë dhe me barela si Mubaraku. Fiks nga kjo frikë ai iu turr sërish Bamir Topit, Ina Ramës, Bahri Shaqirit dhe disa kolegëve të mi gazetarë, pasi ndjente qëndrimin e tyre kritik dhe tentonte t’i zhvlerësonte.
Sot e kësaj dite, edhe pse ekspertiza e FBI përcakton gjithçka qartë, vrasësit nuk po dënohen dhe Sali Berisha me Lulëzim Bashën janë ende të lirë dhe të pahetuar për këtë çështje. Kjo është një çështje që nuk do të mbyllet kurrë. Sali Berisha nuk duhet të vdesë pa u çuar qofte dhe zvarrë para gjykatës për katër vrasjet. Lulëzim Basha, edhe sikur të mbyllet në “shtëpitë me llampa të kuqe” në Holandë, duhet sjellë lakuriq para gjykatës për të dëshmuar për krimin që ka bërë.
Politika shqiptare duhet të japë një mesazh të qartë në këtë drejtim. Premtimi se Sali Berisha duhet të çohet para drejtësisë duhet të jetë jo vetëm motiv elektoral, por arsye që shqiptarët të përfshihen në politikë, ta ndryshojnë atë, ta spastrojnë nga minjtë e Sali Berishës që tentojnë të brejnë deri në fund këtë sistem të kalbur drejtësie, dhe të çojnë qoftë dhe me barela apo të rizhvarrosur këtë njeri para drejtësisë. Kjo motivon më shumë shqiptarët të dalin në zgjedhje dhe të merren me politikë. I motivon pasi për herë të parë ata mund të besojnë se do ketë një fund për dikë që ka 22 vite që vret për të vjedhur dhe vjedh për tu zgjedhur, vetëm që të mos dënohet kurrë.
Të dashur lexues: Të gjitha opinionet që nuk i shihni të botuara në këtë faqe, mund t’i lexoni në Dita Online www.gazetadita.al
