Në takimin e sivjetshëm të Poezisë, të 49-tin me radhë, i cili është tradicional dhe i përvitshëm që prej vitit 1964, krijuesi Muharrem Kurti ka sqaruar ekskluzivisht për “Shekullin” se në Gjakovë, më 11 maj, është konfirmuar pjesëmarrja e një delegacioni të qytetit Lodeve të Francës, ku vitin e kaluar ka vdekur poeti Ali Podrimja. Në qytetin Lodeve, në korrik të vitit të shkuar, në një pjesëmarrje manifestive të krijuesve botërorë, merrte pjesë edhe poeti Ali Podrimja, ku la edhe frymën e fundit 30 vjet pas Lumit, djalit të poetit. Ky qytet ka shprehur dëshirën të binjakëzohet me qytetin e lindjes së poetit, Gjakovën. Asambleja Komunale e Gjakovës, me propozimin e kryetarit Pal Lekaj e ka miratuar një kërkesë të arsyeshme dhe me interes të ndërsjellë. Kështu, qyteti Lodeve në Francë, qyteti i vdekjes së poetit me qytetin e lindjes së tij, Gjakovën, do të bëjnë aktin solemn të binjakëzimit pikërisht në ditën e Mitingut të Poezisë, në manifestimin tradicional. Sipas kontaktit ndërmjetësues që ka vënë Konsullata e Republikës së Kosovës në Francë, është konfirmuar se në Gjakovë do të vijnë një delegacion nga Lodeve, me kryetaren e bashkisë, dhe disa krijues të cilët janë organizatorë të manifestimit ku Ali Podrimja duke qenë pjesëmarrës e gjeti vdekjen vitin e kaluar. Më tej, Kurti bën me dije se kjo pjesëmarrje e shton madhështinë e vet mitingut, por edhe respektin për poetin Podrimja, duke e konsideruar ardhjen e francezëve si madhështi e mitingut. Engjëll Berisha, organizator i mitingut, shprehet se këtë vit, Mitingun e Poezisë ia kemi kushtuar tërësisht poetit Podrimja, duke ia dedikuar tribunën dhe orën e poezisë. Drejtuesit e Klubit shtojnë se mitingu është duke funksionuar në pjesëmarrje ndërkombëtare, duke ftuar krijues nga Greqia, Franca, Bullgaria, Amerika, Zvcira dhe francezët me një pjesëmarrje të veçantë. Do të mbahet “Java e Mitingut” prej datës 7 deri më 10 maj, ku do të ketë gjashtë promovime të librave, me disa orë letrare, si dhe dita qendrore me 11 maj. Tashmë prej 4 vitesh është bërë traditë që orë letrare në ditën e mitingut mbahet edhe në qytetin “Bajram Curri” nga Klubi Letrar i Tropojës.