Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka postuar mbrëmë në Twitter dy fotografi, ku shfaqet një makinë me targa të personalizuara në të cilën shkruhet “Berisha 1”. Makina e shtrenjtë, pa regjistrimin vendas, është fotografuar në rrugët e Kamzës. Rama e ka shoqëruar postimin me një koment të shkurtër ironik “Dëshmi e shtetit ligjor të Berishës”.
Zona e Kamzës njihet si një nga bastionet e Partisë Demokratike. Bashkia e Kamzës, një ndër më të mëdhatë e vendit, drejtohet nga Xhelal Mziu, i cili është në mandatin e dytë. Ai u përfol gjatë në media gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të majit 2011, pas denoncimit për ngacmim seksual nga një punonjëse e bashkisë. Në shenjë nderimi për Berishën, Mziu i ka dhënë emrin e kryeministrit bulevardit kryesor të Kamzës, ndërsa bie në sy në rrugë e sheshe ngjyra blu dhe posterat me foto të të dyve bashkë.