REDAKSIONAL
Qeveria shqiptare e miratoi dje listën me universitetet private që duhet të mbyllen, ato që duhet të pezullohen dhe ato që do të vazhdojnë punën normalisht por nën një kontroll më strikt. Aksioni qeveritar është strategjik dhe ndërhyn jo vetëm në një sistem me rëndësi të dorës së parë, por ndërhyn njëherazi në një sistem që ka prodhuar dhe oligarkë dhe milionerë në sajë të këtyre universiteteve që shisnin sa frëngu pulën diplomën, ndonjëherë dhe brenda ditës. Është një det me diploma false i krijuar në këtë vend. Inflacioni akademik u kthye në endemi në dekadën e fundit, ndaj dhe ndërhyrja aktuale e qeverisë, mund të jetë një fillim i mbarë por rruga drejt normalitetit do të jetë e gjatë, me sa duket. Për shembull, dje një universitet privat, i quajtur “Vitrinat”, për të cilin qeveria ka vendosur që të mbyllet, kundër-reagoi duke denoncuar Drejtoren e Inspektimit në ministrinë së Arsimit se e kishte diplomën e falsifikuar. Dikur ky universitet e kishte pasur pjesë të stafit pedagogjik Drejtoreshën e Inspektimit të ministrisë, por sot pas vendimit të qeverisë vendosi ta kallëzonte dhe penalisht madje për falsifikim të doktoraturës. U interesuam për këtë akuzë dhe padi, duhet thënë sensacionale, të këtij universiteti ndaj Drejtoreshës në ministri, zbuluam se historia ishte pak më komplekse, madje fabula e historisë është një tregues perfekt se në çfarë derexheje ka arritur sistemi ynë arsimor sot që po flasim. Dikur në vitin 2003 në Tiranë mbiu një një tip francez, që hiqej si diplomat. Në Hungari kishte regjistruar një Institut. Ai bindi një profesor të njohur në Tiranë se Instituti i tij ofronte certifikime “master” dhe “doktoratura” të cilat njiheshin dhe në Francë. “IRIRE” quhej instituti. Vit pas viti ai nisi të thithte studentë, personalitete madje, deri kur në vitin 2009 nisën dyshimet e para ndaj tij, ndërsa në vitin 2011 gjykata e dënoi me 5 vite burg për skemë mashtruese. Në fakt doktoraturat dhe masterat që ai ofronte ishin krejt false, sistemi i tij i sigurimit të doktoraturës “online” ishte thjesht një grep për të thithur klientë e për të marrë lekët. Ishte një listë e gjatë personash të rëndësishëm që ranë pre e skemës së këtij diplomati të pazakontë francez, por patjetër që më i spikaturi ndër personalitete, është ai që kemi sot President të Republikës, Bujar Nishani. Edhe zoti Nishani kishte siguruar një master në këtë institut që kualifikimin ta jepte me “email” nga interneti. Rasti i këtij diplomati francez është dhe një ndër shembujt më spektakolarë dhe tregues i jashtëzakonshëm i degradimit dhe zhvlerësimit të akademizmit në vendin tonë, ku dhe Shkëlqesia e Tij, Përfaqësuesi i Unitetit të Kombit, Presidenti i Republikës, ra pre. Në njëfarë mënyre falsiteti i diplomave dhe kualifikimeve në këtë vend, ka kapur dhe rangun më të lartë të Republikës. Ndaj dhe “ferra e ka marrë uratën” tashmë dhe ndotja ka arritur në nivele të atilla, sa që ndërhyrja dhe efektet as nuk mund të bëhen me shkop magjik, por sidomos, nuk mund të mjaftohen apo të vetëkënaqen me këtë ndërhyrje të bërë deri më tani. Në thelb, masat drastike në tërësinë e tyre janë marrë ndaj universiteteve që e kishin bërë baltë. Ishin legjitimuar universitete të konceptuara si supermarkete, ku shkoje e blije produktin dhe mjaftoje të kishe lekët në xhep, pjesa tjetër ishte kriter që e vendosje ti dhe jo universiteti. Pra në thelb, vendimi i tanishëm i qeverisë, ka goditur vetëm pjesën më arbitrare të kësaj skeme. Pra degradimi kishte prekur fundin dhe sistemi ishte fundosur në disa pjesë të tij, lëvizja e qeverisë duket se është një përpjekje e parë për të kapur “Nivelin Zero”, një përpjekje për të dalë në sipërfaqe. Nuk është pak. Por ama është faza e dytë ajo që është dhe më e rëndësishmja, ringritja. Nëse në fazën e parë, inspektimet kërkonin dhe sugjeronin kontrolle krejt formale, pasi i tillë ishte dhe niveli i abuzimeve arbitrare, faza e dytë, i kërkon ca kritere për ata që do bëjnë kontrollet, për strategjinë makro dhe kontrollet mikro në terren. Ky është një problem që të ballafaqon kryq e tërthor dhe sistemin publik por dhe atë privat. Edhe kënetën e rrethit vicioz të doktoraturave në sistemin publik, por po njësoj të ballafaqon me problemin e kualifikimeve në dukje rigoroze në privatët e mbetur, por që nën sipërfaqe mund të lundrojnë të njëjtin falsitet dhe fiktivitet. Ndërhyrja e parë, ngre pikëpyetjet dhe shqetësimin mbi efektin e zbatimit 10 vjeçar të këtij sistemi të degraduar. Ky sistem ka prodhuar doktorantë falsë, që më pas janë bërë dhe pedagogë falsë, deri dhe President Republike “falsë”. Është sistem që ka në dispozicion jo vetëm oligarkët që u pasuruan prej tij, por dhe mbështetje të pastër politike. Shikojeni Berishën si del e ankohet sot për ndërhyrjen e parë të bërë nga qeveria. I fton dhe studentët e regjistruar në universitetet e mbyllura nëpër protesta. Këneta intelektualo-Doktorante ka dhe suport politik, është ngritur në kastë dhe duket se ka prekur të gjitha shtresat dhe rangjet pa përjashtim. Është një kënetë e mbushur me biznesmenë dhe politikanë që e mbrojnë, pasi përfitojnë, por është dhe një det me diploma dhe kualifikime false që tashmë ka nisur të ndalet, ka marrë valën e parë të goditjes, por mbetet ende shumë e organizuar dhe e fuqishme sa për t’u stepur nga vetëm një valë.
***
Arvizu: Mbështesim nismën e guximshme të ministres Nikolla
Propozimet e ministres Lindita Nikolla për pezullimin e disa universiteteve private, është përshëndetur edhe nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Ai ka thënë se kjo nismë është shumë e guximshme. Sipas Arvizusë, do të duhen vite për të përmirësuar situatën e arsimit në Shqipëri. “Mbështesim nismën e guximshme të ministres Nikolla për reformën në arsimin e lartë. Situata e tanishme është e pafat dhe do kërkojë vite përpjekjesh këmbëngulëse. Reforma e universiteteve publike është edhe më kritike, por kjo nisëm është një fillim i mirë. Shqipëria ka plot ekspertizë ku mund të mbështetet. Shumë profesorë e studentë bëjnë punë të shkëlqyer në Shqipëri. Ata meritojnë një sistem që të ketë reputacion që të përputhet me përkushtimin e tyre”, shprehet ambasadori amerikan.
* * *
Cili do të jetë fati i 6 mijë dosjeve të studentëve?
Pranvera Kola
Kaosi dhe rrëmuja kanë mbërthyer arsimin e lartë në vend. Përballë sigurisë së drejtuesve të Ministrisë së Arsimit për vendimin e mbylljes së dhjetëra institucioneve të arsimit të lartë privat, po shtohen pakënaqësitë, ankthi dhe dilemat në radhët e mijëra studentëve, të cilët aktualisht gjenden në mes të katër rrugëve sa i takon drejtimit që do të marrë kualifikimi i tyre universitar. Vendimi për mbylljen e 18 institucioneve të arsimit të lartë privat, si dhe pezullimin e 13 të tjerave po e tension edhe më shumë gjendjen emocionale të rreth 6 mijë studentëve, të cilët krahas damkës që duhet të mbajnë mbi supe se fakulteti ku kanë nisur studimet është i pavlefshëm, duhet të qëndrojnë edhe në pritje të vendimit se në cilin nga universitetet e rretheve do t’i degdisë komisioni ad-hoc.
Kjo pasi Ministria e Arsimit, ka komunikuar se studentët nuk do të penalizohen, pasi është menduar sistemimi i tyre në universitetet publike të rretheve, të cilat nuk dihet ende se sa do të jenë në gjendje që të mbajnë studentët e privatit, duke përfshirë këtu edhe pikëpyetjet në lidhje me llojin dhe cilësinë e programeve studimore që të përjashtuarit nga privati kanë ndjekur deri në momentin e marrjes së vendimit për kyçjen e fakultetit të tyre.
Sipas deklarimeve të bëra nga autoritetet e arsimit, brenda muajit gusht këta studentë duhet të sorollaten nëpër dyert e sekretarive mësimore të ish-fakulteteve të tyre për të marrë dosjen e dokumenteve, me anë të cilave komisioni i “ad-hoc” në MAS do të gjykojë se në cilin universitet të rajonit më të afërt të vendbanimit të tyre duhet të shkojë studenti.
Edhe pse u fol për një plan masash se si do të veprohet, ende nuk ka gjë konkrete dhe të detajuar se mbi ç’kritere do të bëjë vlerësimin e dosjeve komisioni dhe se si do ta planifikojë shpërndarjen e studentëve në fakultetet publike të rretheve. Ndërkohë që nëse këta të fundit nuk do të pranojnë të shkojnë në rrethe, do t’u lejohet që të qëndrojnë në kryeqytet, por duke iu nënshtruar një tjetër kostoje më të lartë studimesh që mund të ofrojnë në situatën e krijuar institucionet private të arsimit të lartë që u klasifikuan që përmbushnin kriteret për të vijuar aktivitetin e tyre.
Stafet akademike thonë se një vendim i tillë, krahas të mirave që sjell, prish zinxhirin e diplomimeve false në universitete fantazmë që na kanë kthyer në gazin e botës, por nga ana tjetër ngre edhe pikëpyetje të mëdha pasi do të çelë një tjetër diskutim të madh sa i takon përshtatjes së programeve dhe kurrikulave mësimore të aplikuara në universitetet publike dhe ato private. Duke qenë se strukturat private të arsimit të lartë që janë ndëshkuar me mbyllje më së shumti kanë regjistruar studentë në degët e drejtësisë, ekonomisë, arkitekturës dhe shkencave mjekësore, shtohen dilemat nëse fakultetet e rretheve mund të përballojnë prurje të reja në këto degë të mbipopulluara.
Rriten me 7000 lekë tarifat e studimit në fakultetet publike
Studentët që do të ulen për herë të parë në auditorët publike gjatë vitit të ri akademik 2014-2015 do t’i nënshtrohen tarifave më të shtrenjta të studimit. Në vendimin e marrë, është vendosur që tarifat e studimeve të pësojnë rritje me 7000 lekë më shumë, se sa ato të aplikuara një vit më parë. Rritje kjo që nga autoritetet e arsimit shpjegohet si e pranueshme, teksa konsiderohet si më e ulët krahasuar me propozimet e bëra nga vetë universitetet. “Tarifat rritje, por është më e vogël se ajo që kanë kërkuar universitetet. Rritja më e madhe në tarifat e studimit është 7 mijë lekë të vjetra në vit. Shumë më e vogël se ajo që kanë kërkuar universitetet”, bën me dije ministrja Nikolla.
Qeveria miraton vendimin
Ja 18 institucionet e arsimit të lartë privat që u hiqet licenca
- “Akademia e Studimeve të Aplikuara”, Durrës
- “Akademia Pedagogjike”, Tiranë
- IALP, Shkolla e Lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”
- IALP, “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”
- IP, “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”
- IPAL, “Kolegji profesional i sporteve”, Fier
- IPAL, Shkolla e Lartë “Illyria”
- Kolegj profesional “Argent”, Shkodër
- Kolegjet Profesionale private “Medicom”
- Shkolla e Lartë Private e Edukimit
- SHLP, “Universiteti Elite”
- SHLP, “Universiteti Planetar i Tiranës”
- SHLUJ, “Justiniani I”
- SHLUJ, “Medikadent”
- SHLUJ, “Universiteti Kristal”
- SHLUP, “Vitrina”
- SHPAL, “Gjon Buzuku”, Shkodër
- “Akademia e Ndërtimit”, Tiranë
Pezullohen regjistrimet e reja pwr 2 vite tek :
- “Akademia Profesionale e Biznesit”
- IPAL, “ISSAT”
- Kolegji Profesional, “Ivoclar Vivadent &Partners”
- Kolegji Profesional privat, “New Generation”
- ShLAP, “Pavarësia” Vlorë
- SHLP, “Hëna e plotë” (Bedër)
- SHLP, “Logos”
- SHLUJ, “Justicia”
- ShLUJ, “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”
- SHLUP, “Instituti Kanadez i Teknologjisë”
- SHLUP, “Wisdom University”
- Universiteti “Aldent”
- Universiteti privat “Albanian University”
Bravo. E gjetet se nga vinte edhe idiotesia e presidentit tone ne urimet per festat tuaja te shemtuara.
cfare eshte disinformim? ku eshte vendimi i qeverise? cili eshte numri dhe data e miratimit? ne faqen e internetit te kryeministrise nuk ka nje vendim te tille. http://www.kryeministria.al/al/newsroom/vkm/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-6-gusht-2014&page=1
A nuk duhet hetim edhe per diplomat e blera deri tani.Idiote qe nuk dine shqip punojne si dentista te kualifikuar por jane me 3 klase shkolle.Kjo nuk eshte e drejte.Verifikimi behet kollaj edhe pa hapur dosjet.Mjafton te shkruajne nje fjali pa gabime.
Personi qe do te doja une te denoncoja ne baze te dokumentave origjinale qe disponoj dhe ne baze te dokumentave falso qe disponoj eshte i asaj kategorie qe nuk mund te shkruaj nje fjali pa gabime dhe megjithate ne opinion hiqet si gazetar ,i vetequajtur ”gazetar ”, pa asnje lloj shkolle ,dhe ka nje dipllome falso si avokat .Mjere shqiptaret ne duart e kujt ” avokati ”,”mjeku ”apo ”kirurgu mund te bien