Nuk kujdesen për dhëmbët, i humbasin që në moshë të re. Ky realitet i pakënaqshëm prek pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Të dhënat e raportuara nga autoritetet shëndetësore tregojnë se kujdesi ndaj shëndetit oral në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar, çka shihet edhe me problemet masive të humbjes së dhëmbëve që në moshat e reja. Kjo problematikë konstatohet masivisht edhe tek të rinjtë dhe fëmijët.
Statistikat e zbardhura në këtë drejtim vënë në dukje që më shumë se gjysma e shqiptarëve manifestojnë probleme të theksuara me dhëmbët, gjë që tregon se përpjekjet e bëra deri tani nëpërmjet fushatave sensibilizuese apo aktiviteteve të tjera të ngjashme nuk janë shoqëruar me rezultate pozitive.
Dje në Ditën Botërore të Shëndetit Oral, stomatologët kanë konstatuar shqetësimin se niveli i kariesit tek shqiptarët gjithashtu është 2 deri 3 herë më i lartë sesa shifrat që raportohen nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Në vëzhgimet e kryera tek nxënësit e moshave shkollore raportohet prezenca e nivelit të lartë të kariesit si rrjedhojë e mungesës së higjienës së mirëmbajtjes së gojës, e cila shfaqet nëpërmjet cipave të krijuara në dhëmbë apo pllakëzave dentare.
Shkaktimi i këtyre problemeve si rrjedhojë e higjienës së dobët bën që fëmijët të përballen me komplikacione të shumta, zgjidhja e të cilave mbetet mbushja e hershme, e cila më pas shton mundësitë e humbjes së dhëmbit në moshë të re.
“Fëmijët nuk kanë shumë kujdes për gojën dhe për dhëmbët kryesisht. Ushqimet që konsumojnë janë të papërshtatshme. Ata hanë shpesh karamele, çokollata, lëpirëse”, deklaron stomatologia e shkollës “Vasil Shanto”, Lorena Haxhihyseni. Konkretisht, sipas të dhënave të raportuara nga Shoqata e stomatologëve, pohohet se shqiptarët që në moshë të vogël kanë deri në dy dhëmbë të prishur, çka bën që në arritjen e moshës 20-25 vjeç, të vihen përballë situatave të humbjes së dhëmbëve. E shkak për këtë bëhet neglizhenca e kryerjes së kontrolleve rutinë tek dentisti, sikundër ndodh edhe me shumë sëmundje të tjera.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën, sipas ekspertëve të stomatologjisë, mbetet fakti i ndërgjegjësimi të ulët në radhët e popullatës për t’iu nënshtruar kontrolleve rutinë, të cilat jo vetëm shmangin prishjet, por edhe rënien e hershme të dhëmbëve.
“Ajo që del më shumë në pah është prishja e dhëmbëve, ajo që njihet në gjuhën shkencore kariesi dentar, që në vendin tonë është gati dy deri në tre herë më e lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian. Në vendet e BE-së në moshën 20-25 vjeçare gjen individë që nuk kanë prishje dhëmbësh,gjë që këtu tek ne nuk ndodh.
Pothuajse 80 për qind e grupmoshës 20-25-vjeçare kanë pasur njëherë dhëmbë të prishur. Qytetari duhet të edukohet që vizitat te stomatologu t’i ketë njëherë në gjashtë muaj. Shërbimi stomatologjik publik dhe ai privat duhet të përqendrohet te parandalimi. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që shumë pak rëndësi i kushtohet parandalimit dhe më shumë i kushtohet trajtimit”, deklaron Dorian Hysi.
Po dje përfaqësuesit e shoqatës në një tryezë të rrumbullakët kanë diskutuar problemet mbi diagnostikimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për kontrolle të shpeshta tek dentisti, pasi vetëm në këtë formë jo vetëm mund të shmangin prishjen e dhëmbëve, por mund t’i dhurojmë vetes një buzëqeshje të bukur.
Infeksionet e dhëmbëve ndikojnë në dëmtimin e zemrës
Lënia pas dore e shëndetit të gojës nuk ndikon vetëm në prishjen e dhëmbëve, por mund të mbartë pasoja më të rënda, pasi i hap udhë shfaqjes së infeksioneve që prekin edhe organet jetësore. Sipas ekspertëve të ASHR-së, prishja e dhëmbëve mund të bëhet shkak për përhapjen e infeksioneve të tjera, që prekin jo vetëm rrugët urinare, por mund të dëmtojnë rëndë edhe zemrën.
Ndaj kujdesi për një dhëmb të prishur, e në përgjithësi për higjienën orale duhet të jetë maksimal që në moshë të vogël. Por, pavarësisht këtij alarmi, fatkeqësisht në vendin tonë rreth 60 për qind e popullsisë ka një ose dy dhembë të prishur, kujdesi ndaj të cilave merret gjithmonë në stade të rënduara. Kështu për të pasur dhëmbë të shëndetshëm stomatologët rekomandojnë që të kemi kujdes ndaj ëmbëlsirave, konsumimit të ushqimit të nxehtë dhe ndaj pijeve me gaz. Shëndeti oral është shqetësimi i të gjithave moshave, megjithatë rezulton se të rriturit janë edhe më problematikët në këtë drejtim, pasi fëmijët tashmë kanë filluar të marrin informacionet e duhura që në kurrikulat e shkollës, ndërkohë që shërbimi i stomatologut në shkollë ka nisur të aktivizohet sërish.
“Stomatologët e shkollave janë kujdesur dhe për parandalimin e sëmundjeve të dhëmbëve. Për këtë arsye sipas një protokolli të përcaktuar gjatë vitit të shkuar iu është dhënë fluor mbi 10 mijë nxënësve të arsimit fillor”, kanë detajuar ekspertët e Autoritetit Rajonal Shëndetësor.