Do të flasim për motin sot, nesër dhe se si do të jetë koha në këtë dimër që sapo ka futur këmbët në Shqipëri. Dje ishte një ditë me diell dhe sot po ashtu. Ndërsa jeni duke lexuar këtë shkrim mund të mendoni se ku e dinim se nuk do të binte shi!? Kemi shkuar në shërbimin meteorologjike për të kuptuar se si do të jetë moti në këta tre muaj. Lajda Porja nga “Meteoalb” na shpjegon se “15-ditëshi i parë i dhjetorit do të jetë i kthjellët dhe i ftohët, ndërsa në pjesën e dytë, muaji do të jetë i ftohtë, por do të shoqërohet me reshje shiu dhe dëbore”. Nuk do të përballemi me një dimër të frikshëm, por “klasik”.
Të gjithë jemi kuriozë të dimë se si bëhet parashikimi i motit, e ndonjëherë tentojmë ta bëjmë vetë. Njerëzit shikojnë një perëndim të kuq dielli dhe e dinë se të nesërmen koha dot të jetë e mirë. Me perëndimin e kuq është dakord edhe ekspertja jonë. Sipas saj, kjo ka të bëjë me thyerjen e rrezatimit në fund të horizontit. Kur qielli është i kuq sasia e lagështirës në atmosferë është pothuajse zero, që do të thotë se të nesërmen nuk ka shi. Ne jemi futur në laboratorët meteorologjikë që tashmë janë kompjuterikë dhe çdo ndryshim klimaterik vjen automatikisht në kompjuter nga shpërndarja e stacioneve në terren. Nga ky vëzhgim kuptuam se, që të bësh një parashikim meteorologjik duhet që së pari të kesh kushtet optimale që ta realizosh këtë proces. Zonja Porja na shpjegon se, për realizimin e parashikimit të motit, së pari duhet të monitorosh territorin në të cilin do të bëhet parashikimi. Mund të kesh disa stacione, të cilat janë të vendosura në pikat më përfaqësuese klimaterike të qyteteve. Stacionet matin parametrat kryesorë atmosferikë, siç janë presioni, lagështira në ajër, temperatura, drejtimi dhe shpejtësia e erës, rrezatimi diellor, baza e poshtme e vranësirës etj. Janë me qindra parametra atmosferikë që maten nga stacionet meteorologjike. Të dhënat vijnë në kompjuter të cilët janë të lidhur on line me stacionet. Të dhënat mund t’i kesh çdo minutë. Stacionet janë automatike dhe të montuara në pika të cilat mund të ruhen. Zonja Porja me 13 vjet eksperiencë në fushën e parashikimit të motit na tregon se, që ta dish se çfarë do të ndodhë nesër duhet ta dish se çfarë po ndodh sot, në çfarë niveli janë parametrat atmosferike. Për të parashikuar ditën e nesërme mjaftojnë vetëm disa përllogaritje të cilat bëhen me metoda matematikore dhe statistikore, ato bëjnë parashikimin. Janë formula fizike. Pra nëse presioni është X, derivimi në hapësirë dhe në kohë bën që ai presion ditën e nesërme do të jetë Y. Përveç kuriozitetit, kemi bërë më Lajdën edhe një bisedë të dobishme, ku kemi mësuar më shumë se si do të jetë ky dimër në vendin tonë.
Zonja Lajda, sapo kemi hyrë stinën e dimrit, ç’mund të na thoni për këtë muaj pasi është edhe periudhë festash?

Dy ditët e para të dhjetorit sollën reshje në territorin shqiptar, dëbora u vrojtua në të gjithë zonën malore si pasojë e temperaturave të ulëta që kanë vijuar që nga fundi i nëntorit. Në fakt temperaturat e ulëta vijojnë edhe aktualisht, kryesisht gjatë mëngjesit. Temperatura minimale u shënua në zonat juglindore ku termometri zbriti deri në 6 gradë celsius. Për sa i përket pritshmërive meteorologjike, territori shqiptarë do të dominohet kryesisht nga moti i kthjellët dhe i ftohte deri në mesin e muajit. Duhet theksuar që temperaturat në mesditë nuk do të jenë shumë të ulëta. Pjesa e dytë e dhjetorit parashikohet do të startojë me reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, situate kjo që do të vijoje deri në fund të vitit. Nuk përjashtohen ditët me mot të kthjellët, por të ftohtë gjatë gjysmës së dytë të dhjetorit. Megjithatë pritet që muaji dhjetor të jetë shumë pranë tipareve klimatike normale, që do të thotë, një muaj i lagësht dhe i ftohtë.
Ekzaktësisht, a do të kemi reshje borë në fundvit?
Gjatë këtij muaji do të bien reshje, të cilat do të krijojnë shtresë dëbore në zonat malore, por është shumë herët për të thënë nëse gjatë ditëve të festave do të bjerë dëborë. Një parashikim i tillë, nëse do të jetë duke rënë dëbore gjatë atyre ditëve, mund të realizohet vetëm disa ditë përpara.
Sa miqësor do të jetë ky dimër me ne?
Duke qenë se Shqipëria ka klime mesdhetare, moti dhe klima kanë qenë dhe janë shumë miqësore me Shqipërinë. Konkretisht, ky dimër parashikohet të jetë miqësor gjatë dhjetorit, ndërsa gjatë muajit janar dhe shkurt dimri do të jetë tipik, i ftohtë.
Thuhet se do të jetë viti më i ftohët në 100 vitet e fundit, sa e vërtetë është kjo?
Ne si “Meteoalb” kemi bërë parashikimin e dimrit për Shqipërinë dhe do të jetë një dimër tipik mesdhetar, me ditë të kthjellëta dhe shumë të ftohta si edhe me ditë ku do të dominojnë shirat në zonat e ulëta, ndërsa dëbore në zonat malore. Sigurisht që edhe këtë vit do mund të shohim flokë dëbore në disa qytete të ulëta dhe bregdetare, por theksoj se mundësia për të krijuar shtresë me disa centimetra dëborë është thuajse zero. Një tjetër situatë parashikohet për Europën Qendrore, Lindore dhe Veriore, rajone për të cilat nga qendra të ndryshme ndërkombëtare është parashikuar një dimër shumë i ftohtë, i rendit ndër më të ftohtët e një qind viteve të fundit. Kjo nuk vlen për Shqipërinë.
Një pjesë e Shqipërisë vuan nga përmbytjet gjatë periudhës së dimrit, po këtë vit parashikohen përmbytje?
Fenomeni i përmbytjeve është shumë i komplikuar, pra nuk është vetëm faktori reshje që duhet marrë në konsideratë, por një rol shumë të rëndësishëm luajnë temperaturat e ajrit. Nëse temperaturat e ajrit do të jenë të larta përgjatë disa ditëve si dhe gjatë këtyre ditëve të ketë reshje shiu atëherë ekziston rreziku i përmbytjeve. Por nëse temperaturat do të jenë tipike në muajt respektivë atëherë mundësia për përmbytje është shumë e vogël megjithëse mund të bien shumë reshje. E thënë më thjeshtë, që të mos ketë përmbytje duhet që temperaturat e ajrit të jenë të ulëta gjatë periudhës që ka shtresë dëbore në mënyrë që ajo të mos shkrijë menjëherë. Edhe në rastin kur ka shumë reshje, temperaturat e ulëta bëjnë që të ketë më shumë dëborë sesa reshje shiu duke rritur shtresën e dëborës dhe rrjedhimisht me pak prurje ujore do të ketë në lumenj. Pastaj, janë përmbytjet që shkaktohen nga reshjet e shumta, qofshin shira apo reshje dëbore. Por përmbytjet në Shqipëri ndikohen shume nga faktorë të tjerë, siç është popullimi në zona të cilat natyrshëm janë nën nivelin e detit, të destinuara të përmbyten. Faktori njeri luan një rol kryesor në evitimin e fenomeneve të tilla.
Lajda Porja: Të dhënat vijnë në kohë reale
Në zyrën e saj, prapa Ministrisë së Drejtësisë, në hyrjen e ngushtë të një pallati, ajo merr në kohë reale gjendjen klimaterike të Shqipërisë. Në të gjithë vendin ky Institut i parashikimit të motit ka 18 stacione nga të cilat 12 prej tyre janë automatike. Do të thotë që të dhënat vijnë në kohë reale dhe 6 të tjera janë manuale, ku duhet të shkojë një person pranë stacionit e të shohë se sa janë parametrat matës që janë kryer gjatë kohës. “Metoalb” është ai që servir motin për të gjithë publikun dhe ia dërgon televizioneve dhe gazetave të ndryshme. Po ashtu drejtuesja e saj ka trajnuar edhe disa nga prezantueset e motit në ekranet shqiptare. Sipas Porjes, specialistët e mirëfilltë të motit janë fizikanë me diplomë. Në Perëndim ka shkolla të posaçme për meteorologji. Ajo vetë ka përfunduar studimet për Fizikë teorike 5-vjeçare. “Mund jesh meteorolog, por nuk je dot fizikan dhe nëse je fizikan je edhe meteorolog”, shprehet Lajda . Për të, Fizika është fushë gjithëpërfshirëse e metrologjisë.
Moti dhe vajzat e motit

Nuk mund të largoheshim nga “Metoalb” pa kuptuar se si shkon parashikimi i motit deri tek televizionet dhe metodat që përdoret për ta përcjellë motin nëpërmjet vajzave të pashme: “Ky është një fenomen mbarëbotëror. Vajzat e motit konceptohen si vajza të bukura dhe jo shumë të zgjuara. Por në Shqipëri unë do të veçoja dy prej tyre që janë edhe të bukura edhe të zgjuara. Është prezantuesja e motit në “ABC News” dhe Bora nga “Albania Screen”. Ato janë trajnuar nga ne. Në 80 për qind të rasteve prezantuesit e motit janë meteorologë të mirëfilltë, pra janë të shkolluar. Së pari, Floriana Garo është e përkryer.
Në fillim kur erdhi thashë me vete: Ja një tjetër bukuroshe kokëboshe, por ajo më ka lënë me gojë hapur. Është trajnuar për termat që do të përdorë gjatë prezantimit në televizion. Janë trajnuar pak edhe për sa i përket modulit gjeografik. Që ditën e parë ka ardhur me fletore dhe stilolaps dhe të nesërmen më bënte pyetje dhe më befasoi. Informacioni i motit në televizione dërgohet nga ne, më pas mënyrën se si e transmetojnë është në dorën e tyre”, tregon Lajda Porja.
Qyteti me më shumë reshje?
Qyteti me më shumë reshje gjatë vitit është Shkodra dhe më pas vjen Gjirokastra. Ndërsa si zonë është ajo e Veriperëndimit, vargmalet e Thethit që marrin rreth 4 mijë milimetra në vit. Pjesa më e varfër në reshje është zona Verilindore. Pra, Kukësi dhe Peshkopia dhe më e ulëta është Korçë-Pogradec-Ersekë. Ndërsa qytetet më të ftohta në dimër janë Kukësi dhe Korça.
Dimri
Dimri do të jetë pak më i ftohtë se një dimër klasik. Ky dimër nuk diskutohet që do të jetë shumë më i butë dhe më “miqësor” me Shqipërinë nga dimri i mëparshëm. Ndërsa muaji janar dhe muaji shkurt parashikohen të jenë me temperatura më të ulëta sesa një janar dhe një shkurt klasik, do të jetë gjithashtu edhe më i thatë.
Përmbytjet
Zonja Lajda pohon: “Nëse në qytetin e Shkodrës bien 100 milimetra shi në 24 orë dhe ka përmbytje, ky 100 milimetra po të bjerë në Theth, nuk bën asgjë. Momenti më i rrezikshëm për përmbytje është fillimi i pranverës. Atëherë duhet parë, nëse reshjet që kanë rënë do krijojnë përmbytje apo jo, se ka të bëjë shumë sasia e dëborës që do të bjerë.” Sipas tyre ultësira perëndimore e territorit shqiptar është shumë e rrezikuar nga përmbytjet. Jo vetëm për shkak të reshjeve që merr, por për shkak të gjeografisë që ka. Shumica e kësaj zone është nën nivelin e detit. Edhe bora që shkrihet në male dhe vjen në këto zona krijon kushte shumë të favorshme për përmbytje.
Rekord i ri i temperaturës më të ulët në Tokë
Meteorologët arritën të regjistrojnë temperaturën më të ulët që termometri ka shënuar ndonjëherë mbi planetin tonë. Sipas tyre, në një majë mali rreth 4 mijë metra të lartë në Antarktidë është regjistruar gjatë Dhjetorit temperatura e -91,2 gradë celciusve. Përpara rekordit të shënuar në Majën Fuji, rekordi i mëparshëm i temperaturës më të ftohtë të regjistruar ndonjëherë ishte -89,2 gradë celcius, matur nga stacioni rus i Vostokut, gjithashtu në Antarktidë. Nëse një njeri do të ekspozohet i pambrojtur në këto temperatura, sytë, mushkëritë dhe hunda do të ngrijnë brenda pak minutash, duke shkaktuar si rrjedhojë vdekjen. Ndërkohë, qyteza ruse e Oimiakonit në Siberi, me temperaturën -71,2 gradë vazhdon të mbajë rekordin për temperaturën më të ftohtë të regjistruar në një vend të banuar. Në krahasim, temperatura më e ulët e regjistruar ndonjëherë në vendin tonë është -27,5 gradë celcius, në fshatin e Voskopojës, pranë Korçës, gjatë dimrit të vitit 1967.

Faleminderit per informacionin
Uauuuuuuuu c dimer