Në këto pesë vite punë, ajo ka takuar dhe ka folur me 31 shkrimtarë të rëndësishëm. Prej disa ditësh, rrëfimet e tyre i ka botuar në një libër, i cili aktualisht është në shitje. Ky botim është me parathënien e kryeministrit të vendit, Edi Rama. Sot ftuam në “Dita” autoren Rudina Xhunga.
Zonja Xhunga, përse vendosët t’i botonit intervistat me shkrimtarë botërorë në një libër?
Sepse fjalët mbeten, imazhet zhduken, kujtesa të gënjen. Fjala nuk të zhgënjen kurrë. Ajo është aty, sa herë të duhet, dhe në fund të fundit, ata janë njerëz të fjalës. Njerëzit më në zë të librit të këtij shekulli. Do të duhej të ishin tok, në një libër.
Sa vjet ju janë dashur për të realizuar këto intervista?
5 vjet. Intervista e parë është në vitin 2008. Me shkrimtarin turk, Orhan Pamuk, një vit pasi ai mori Nobelin.
Cili është shkrimtari që të ka lodhur më shumë për ta kontaktuar?
Nuk më ka lodhur asnjë dhe asgjë. Më kanë dhënë vetëm kënaqësi. Kënaqësinë e jashtëzakonshme të takimit me historinë.
Kush nga shkrimtarët që keni intervistuar është më i preferuari për ju?
Kush e lexon librin, e kupton shpejt të preferuarin tim, por më e rëndësishme është të zbulojë të preferuarin e vet.
Sa njohje kishin të intervistuarit për Shqipërinë dhe cilat janë gjërat që dinin?
Të gjithë njihnin Ismail Kadarenë. Të gjithë na njihnin prej Kadaresë dhe shumë prej tyre uronin që ai ta merrte Nobelin.
Nëse do të ishit gazetare e huaj, cilin shkrimtar shqiptar do të vendosnit në listën e shkrimtarëve të shekullit?
Nuk ka asnjë dyshim, për rolin, rëndësinë dhe vendin e Ismail Kadaresë në letërsinë bashkëkohore të këtij shekulli.
Ka ndonjë shkrimtar që nuk keni arritur ta merrni dhe mendoni se duhet të ishte patjetër në librin tuaj?
Janë disa që nuk i kam intervistuar ende, por jam në rrugë për t’ i intervistuar. Disa nuk janë më, disa janë rrugës për të ikur, disa nuk pranojnë askënd, disa thjesht nuk japin intervista. Por disa janë, japin intervista dhe do të flasin për publikun shqiptar në “Shqip” në “TCH”.
E kërkuat apo ju kërkoi ju kryeministri Rama?
Sigurisht që unë. Jam shumë e kënaqur që pranoi, pavarësisht se më pyesin për të më shumë se për gjithë autorët. Më ka dhënë kënaqësi parathënia e librit, shkruar në frymën e çdonjërës prej intervistave.
Parathënia e shkruar nga kryeministri i vendit, sa peshë i ka dhënë librit tuaj?
Peshën e një shkrimi të kryeministrit të vendit.
Zonja Xhunga si e vlerësoni letërsinë në përgjithësi këto vitet e fundit?
Letërsia është e njëjta magji që ka qenë. Ndryshojnë sytë me të cilët e shohim, por jo letërsia. Ndryshon koha që kemi për të, por jo letërsia. Ndryshon besimi që kemi tek ajo, por jo letërsia. Ndryshojmë ne, por jo letërsia. Ajo mbetet një nga shoqëritë më të mira për kë është lexues dhe një nga profesionet më të bukura për kë është shkrues.
***********
“Shqipëria e sime bije ka nevojë për mua”
16 vite në televizion ka mësuar dhe njohur histori njerëzore, por për më tepër ka mësuar të mos ankohet dhe të mos u bashkohet korit të të dëshpëruarve.
Rudina, jeni njeri që planifikoni? Ia lini disa gjëra rastësisë?
Jo, unë planifikoj. Rastësia ka planet e saj me mua, ku nuk ndërhyj, por ndërkohë unë e bëj gjysmën e rrugës sime drejt asaj që nëse doni, e quajmë edhe rastësi.
Sipas jush, çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?
Me shumë lehtësi, mund të bashkohem në korin e të dëshpëruarve, por unë hyj tek njerëzit që nuk e kam luksin të harxhohem në dëshpërim. Shqipëria e sime bije ka nevojë për mua dhe unë do të bëj çfarë të mundem për të. Përveçse ta shaj e të shaj, vjen një çast që nuk ka më kuptim të jesh antikomformist. Sepse gjithmonë e më shumë vjen koha, kur do të përballesh me pyetjen: po ti çfarë bëre? Nuk ka rëndësi kush do të ta bëjë. Por një ditë, dikush do të të pyesë: Po ti çfarë bëre?
Të qenit nënë, e kishit menduar që të jepte këtë ndjesi që po përjetoni tani?
Vajza ime është shumë më tepër nga gjithë çfarë unë dija dhe doja.
Vite në televizion. Jeni një femër me temperament dhe imponuese përballë kamerës. Ka qenë e vështirë të mbash tempin atje ku duhet?
Çdo vit në 16 vite televizion ka qenë i ndryshëm. Çdo emision një histori më vete. Hapësira të reja dhe personazhe që kanë bërë diferencën. I tillë është edhe ky libër, një bashkësi njerëzish sjellë në shqip, në emër të hapësirave dhe personazheve që bëjnë diferencën në një botë të madhe, në ndryshim dhe fantastike diku aty, përtej. Për kë ka dëshirë të hapet ndaj ndryshimeve, ndaj mundësive, ky libër është vërtet një dritare, si i tillë duhet lexuar. Si shans për të ndryshuar botën e secilit lexues. Dhe në mos botën, ditën, më së paku, ka për t’ia ndryshuar.
Xhunga e meritoi ardhjen e parathene te Rames…
Njeriu i jetes se saj, gjithashtu, e meriton qenien ne Familjen Qeveritare Rama.
BRAVO RUDINA KE DHEN KONTRIBUTIN TEND SI GAZETARE SI GRUA NJ KONTRIBUT QE RALL NJERZ E JAPIN URIME
Jo moj Rudine jo – nuk eshte kjo e verteta. E verteta eshte qe i ke sherbyer me shpirt , zemer e interes Edi Rames dhe ai te shperblen me nje burre zv minister dhe nga nje parathenie per cdo mediokritet qe ti boton. Sa per te qenit antikonformiste – as mos na mbush mendjen me dokra gjimnazistesh se as nuk ke qene ndonjehere antikomfortiste, as nuk je dot , as nuk di te jesh. Kerkon tjeter brume e e tjeter asht ajo pune.
Te paret e mi nje keshille transmetonin tek pasardhesit :
Keni detyrim te mbillni te pakten nje peme , te lindni te pakten nje femije dhe te shkruani te pakten nje liber .