Dita e sotme 26 shkurt, do të jetë njëra ndër më të veçantat në Kosovë. Sido që të ndodhë, ajo do të mbahet mend gjatë, dhe dashur pa dashur, do të krijojë një precedent të shumëkohshëm politik, që do të ketë vendin e tij në memorjen e një rruge të mundimshme drejt shtetformimit të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se në orën 11 do të bëhet votimi për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Të kandiduar do të jenë dy figura të ardhura në politikë nga lëvizja çlirimtare: Hashim Thaçi, ish drejtori Politik i UÇK-së dhe Rafat Rama, njëri nga pjesët më të rëndësishme të Grupit të Drenicës, i plagosur në majin e vitit 1997, ndërsa po synonte të futej në Kosovë, duke rënë në një pritë të ngjeshur të policisë serbe, ku mbeti i vrarë Luan Haradinaj, ish shefi i logjistikës së UÇK-së, vëllai frymëzues i Ramush Haradinajt.
Qq të dy i kam njohur që nga viti 1994 dhe për një kohë të gjatë kam qenë pjesë bashkëpunuese e drejtuese e tyre në linjën organizative. Për Hashim Thaçin njerëzit në Shqipëri dinë shumë gjëra, herë të sakta e herë të pasakta, ndërsa për Rafet Ramën, dinë shumë pak ose aspak. Megjithatë, mund të them me bindje se në të bjithë qënien e tij është një shpirti i lirë njerëzor, që është kapur politikisht, në një betejë ku e di fare mirë se është përfituar figura e tij e një luftëtari trim, miku të jashtëzakonshëm, burrë fjale dhe tejet i sinqertë.
Të dy mundësitë janë shtruar për zgjidhje:
E para, Thaçi bëhet më në fund presidenti i ri i Kosovës, i pesti në rradhë, dhe i pari nga rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse kjo do të ishte një zgjedhje e natyrshme, në kohëra normale dhe me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, do të kishte qenë një datë për t’u shënuar në histori. Kushtet në të cilat zhvillohen janë jo normale, beteja në parlament ka zbritur në sheshet e Prishtinës dhe këto sheshe janë zënë deri tani vetëm nga opozita. Megjithëse PDK-ja ka mendimin se ata i kanë votat e duhura për të qenë Thaçi president, përsëri gjithçka është e mundur. Jo vetëm në rradhët e LDK-së ka disa figura të njohura që e kundërshtojnë Thaçin president, por edhe brenda PDK-së, partisë ku ai drejton qartësisht, ka disa zëra kundër.
Zgjedhja e Thaçit president do të shtonte turrin e opozitës, e cila, si e thashë deri tani, është e vetmja pronare e shehit kryesor të Prishtinës, por mund të sillte aty edhe shumë qytetarë të zonave bastion të Thaçit, sidomos të Drenicës, të cilët kanë paralajmëruar se do të jenë aty. A ekziston mundësia e një përplasjeje? Sigurisht, po. Njëri ndër zëdhënësit e Vetëvendosjes paralajmëroi se, nëse ndodh një përleshje, fajtore është qeveria që kërkon festë, kur nuk duhet të ketë festë. Nga ana tjetër, zëra qeveritarë kanë shënuar se ata që nuk janë trembur nga lufta me ushtrinë serbe, nuk do të tremben nga disa dhjetra apo qindra që kanë zënë vend në çadra. Edhe analistë, të varur e të pavarur, kanë dhënë sinjalet e një përplasje të ashpër, por është e mundur që më i rëndë të jetë gjëmimi, se sa vetë ngjarja.
Nëse kushtet do të ishin normale, Thaçi do të ishte presidenti i duhur i Kosovës. Nëse zgjedhja do të ishte bërë mes liderëve, askush nuk do e kishte merituar më shumë se sa ai. Thaçi, si figurë politike, i vetëm, ka marrë vota më shumë se tre liderët opozitarë së bashku, dhe i teprojnë disa mijra. Lideri që vjen pas tij nga opozita është Albin Kurti, me 63.062 vota, nga 99.398 vota që mori subjekti i tij; Haradinaj me 50.388 vota dhe Limaj me 26.789 vota.
Por kushtet janë larg të quajturës normale. Është një gjendje në prag shpërthimi, që nga shpëthim politik mund të dalë në shpërthime të tjera, çka do e dërgonte Kosovën, pa dashjen e saj, edhe një herë në vitet e shkuara.
Kurti, lideri i opozitës, megjithëse nuk është kryetar i subjektit të tij, bëri thirrje për të qenë të gjithë në manifestimin e orës 10, për të parandaluar seancën parlamentare, e kështu edhe votimin. Nëse ndalohet në sallën e parlamentit, a ka opozita një sallë tjetër të gatshme?
Nëse Thaçi bëhet nesër presidenti i ri i Kosovës, do të jetë precedent, pasi për herë të parë zgjidhet një president në Kosovë në kushtet kur opozita është jo vetëm krejtësisht kundër dhe në këtë opozitë janë disa nga miqtë e vjetër të tij, që kanë bërë emër përmes miqësisë me Thaçin, por kur ende në sallën e Kuvendit të Kosovës janë erërat e gazit kundërshtues.
Thaçi duket i vendosur të jetë president. Ata që mendojnë se këtë ai e bën që të ketë mbrojtje politike nga Gjykata Speciale, nuk kanë asnjë lloj, ose nuk duan të kenë asnjë lloj, njohurive nga e vërteta e institucioneve të specializuara ndërkombëtare. Edhe Alija Izetbegoviç, ish presidenti i Bosnjes, njëri nga aktorët e Deytonit, ishte në listën e Gjakimit për krimet e luftës në Bosnje dhe vetëm vdekja e parandaloi burimin e tij. Paragjykimi në të njëjtën kohë i Thaçit, vetëm nga kundërvënia politike e tashme, është shterpë politike.
E dyta, Thaçi nuk zgjidhet president i Kosovës, dhe merita nuko të jetë e opozitës, pasi dy partitë e mëdha, PDK dhe LDK, bashkarisht, i kanë të gjitha votat e mundshme për të zgjedhur cilindo president. Problemi është në thelbin e vetë dy partive të mëdha, kundërshtare të ashpra ndaj njëra tjetrës, me dy burime fillestare të kundërta: njëra, LDK, e ardhur nga shkrirja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, dhe tjetra, PDK, nga bashkimi i disa strukturave të Lëvizjes Çlirimtare. Mëritë e vjetra janë harruar tek ato që janë në pushtet ose pjesë e pushtetit, pra pjesë e tortës së pushtetit, por jo tek ata që quhen skifterët politikë, ose që kanë haraçe të vjetra ndaj njëri tjetrit. Këto figura, sado të pakta, duke qenë kundër kandidaturës së Thaçit dhe përgjithësisht njerëz me autoritet brenda strukturës së tyre politike, do të jenë ata që do të bëjnë dërgimin e Kosovës në zgjedhje të parakohshme, ngrirjen e koalicionit qeverisës dhe mendimin e ndërtimeve të reja politike.
Ky do të jetë precedenti i dytë në jetën politike të Kosovës, kur dy partitë qeverisëse, me numrin e deputetëve të mjaftueshëm për të zgjedhur një president që në raundin e parë, dështojnë ta bëjnë këtë. Është njlloj sikur PS dhe LSI në Shqipëri nuk do të mund të zgjedhin presidentin e tyre në vitin 2017, sepse disa deputetë kanë në mendje hatërmbetjet e përplasjet e vjetra. Sjellja e një precedenti të tillë nuk është hata; ai dëshmon se kur aleancat ngrihen mbi zgjidhje kohore, ato bien më shpejt nga sa mendohet.
Mos zgjedhja e Thaçit do të sjellë prishjen e qeverisë, që nuk është ndonjë hata e madhe, sepse është një qeveri e sforcuar, e ngritur mbi bazën e parimit, të jap, më jep, por, vetë prishja e saj, do të sjellë një risi në jetën politike të Kosovës: ndërprerjen e një qeverisje nga vetë ajo, pasi nuk arrin të mbulojë atë që kanë nën vete, si ujrat e nëndheshme.
Kalimi në zgjedhje të reja, të parakohshme, do të jetë njëkohësisht edhe fitorja e parë e opozitës. Ata që ajo i quan deri tani “fitore” kanë qenë më shumë shpallje fitoresh të pakërkundme, ndërsa kalimi në zgjedhje të reja, është fitorja e saj.
Kjo do të sjellë edhe precedentin e tretë në jetën politike të Kosovës: Këmbëngulja e opozitës për të prishur një qeverisje dhe për të pasur një përballje të re politike, duke përdorur të gjithë format, që nga gazi, tejmburrja, hakërrimi, hedhja e ideve, populizmi politik, tërheqja e të rinjve, që kanë të drejtën të jenë të rebeluar, mund të jetë një ditë të ardhshme boomerangu i çdo qeverisjeje, edhe i opozitës së sotme, nëse nesër vjen në drejtimin e shtetit. Kjo do i japë të drejtën çdo force politike të bëjë të njëjtat gjëra dhe të përballet me të njëjtat reagime, si ndodhi në muajt e fundit në parlamentin e Kosovës.
Prishja e qeverisë do të sjellë edhe pasoja të tjera politike, brenda forcave politike që janë në qeverisje.
Isa Mustafa, i cili qeveris me dorë staliniane LDK-në, edhe më herët është njohur për pastrime radikale, duke filliuar që nga ish presidenti Sejdiu e deri tek ata që u quajtën lëvizja rugoviste. Ai e ka të piketuar pastrimin e ardhshëm, nëse i ndërpritet mandati qeverisës. Kjo, jam i mendimit se do të ndodhë edhe brenda PDK-së, ku humbja e postit presidencial, do u mvishet edhe atyre deputetëve rebelë brenda kësaj force politike.
Çfarë do të ndodhë sot, me 26 shkurt, në Kosovë? Asgjë nuk dihet. Secili kamp politik, i mbërthyer nga etet, ka bërë llogaritë e veta. Deri tani, si më thonte njëri ndër vëzhguesit e mprehtë për Kosovën, zoti Reiter, ajo që e ka mbajtur më së shumti qeverinë në këmbë, ka qenë vetë opozita. “Rebelimi” i saj ka sjellë ngurrimin e ndërkombëtarëve për të mbështetur këtë lëvizje si një domosdoshmëri ndryshimi.
Mirëpo, ndryshe nga sa është menduar, ata mund të jenë jo shumë larg forca e re e qeverisjes, megjithëse, askurrë dhe askush, nuk i di deri në fund planet e Hashim Thaçit. Lojtar i fortë i minutës së fundit, të gjithë presin se cila do të jetë goditja e afërt dhe e ardhshme e tij.
Vetëm të jetë një ditë e qetë, precedentët janë të mjaftueshëm që ajo të mbahet mend. Zgjidhet apo nuk zgjidhet Hashim Thaçi president, 26 shkurti që tani do të ketë vendin e tij.

Zajednica dhe Thaci jane nje. Ky e garanton Zajednicen dhe zjarrin njekohesisht ne Kosove. Zgjedhja e Thacit te perbuzur nga kosovaret President eshte nje turp qe do pjelle dhune e destabilizim. Zgjedhja e Thacit president si zgjedhja president e Berishes ne 1997, ne mes te rremujes dhe prag luftes civile.
Eshte skandaloze, gjendja ne skenen politike te Kosoves, dhe kjo duhet pohuar me ze te larte.