Në këto momente që flasim në spitalin e Durresit ka vetëm serume dhe asnjë medikament, as në urgjencë e as nëpër pavione. Nëse ndodhesh rastësisht aty do bëhesh dëshmitar i një trafiku kompleks, që fillon me trafikun kaotik të familjarëve, që përplasen me njëri-tjetrin teksa një pjesë shkon dhe tjetra vjen nga farmacia apo nga laboratori privat, ku janë blerë ilacet shpëtimtare apo janë bërë analizat që nuk i bën dot laboratori i spitalit, vazhdon me një trafik të cuditshëm parash nga një xhep në tjetrin të shoqëruar nga dy lloj buzëqeshjesh, njëra e bardhë dhe e akullt dhe tjetra hipokrite, e trishtuar e plotë dhimbje e ndërkohë të dyja po aq të pashpjegueshme sa buzëqeshja e Mona Lizës,për tu mbyllur me një trafik të padukshëm mikroorganizmash luftën me të cilat spitali e ka humbur me kohë, humbje që shfaqet në shikimin e pakuptimtë e të lodhur të sanitares teksa ti kalon mbi pllakat e sapolara, pa të sharë, pasi tashmë je i pesëqindti që ke kaluar aty.
Pasi ke kaluar korridoret si në një slalom të vërtetë futesh në dhomë, në një dhomë ku që në fillim hasesh me një fakt të cuditshëm, dera prej duralumini e banjës është vjedhur gjatë natës. Ti pyet nëse ka roje dhe pacientët e familjarët të thonë me një qetësi apostolike, pasi të gjithë nuk e kanë për herë të parë spitalin, se paralajmërohen gjithmonë nga personeli për të patur kujdes për celularët dhe sendet me vlerë sepse nuk iu del kush për zot. Nga hutimi të përmend zëri i një familjares e cila i thotë e mahnitur tjetrës se ku i bleu carcafët me këtë dizenjo të vecantë, pasi kjo vetë i kishte blerë te kjo ngjitur spitalit. Tjetra i përgjigjet se ia kishte sjellë djali nga Italia, ndërkohë unë i ndërpres për ti pyetur për dikë, pasi nuk mundem të gjej personin që kërkoj në atë dhomë të tejpopulluar me njerëz. Të dyja njëzëri më thonë se është te ai shtrati me carcafë të kuq, pas atij me carcafë spitali e duke më sqaruar se ky i shkreti është fukara, sqarim që u bë me zë të ulët e duke më shkelur syrin pa e kuptuar se pse. Pas këtij informacioni të vyer drejtohem për te i sëmuri, pasi cava turmën e familjarëve e pasi u përplasa edhe me një shitës ambulant… Teksa e takoj atë dhe familjarët e tij sytë më shkojnë te mbajtësja e flakonit të serumit që nuk është gjë tjetër vecse një shishë Coca-Cola e prerë në dysh dhe në grykë dhe e varur me një gjalmë. Shoh me habi infermieren e cila duke më njohur më buzëqesh dhe më thotë:”Shpikje doktor!”…
Duke dalë nga spitali shoh një të sëmurë të varur në krahët e dy shokëve a familjarëve, njëri prej të cilëve me njërën dorë shtrëngonte mesin e tij, duke thënë se vuante nga hernia diskale dhe se kështu e kishin zbritur edhe nga pallati, pasi ambulanca nuk kishte barelambajtës.Të gjithë, me nga një librezë në dorë, po drejtoheshin për të bërë një skaner, them të gjithë se pas dhimbjes së mesit edhe shoqëruesi kishte vendosur të bënte një të tillë. Sigurinë e tyre e lëkundi zëri i një infermieres që iu thotë se skaneri nuk punon dhe po kështu edhe rezonanca, duke i sqaruar se duhen dyqindepesëdhjetë milion në vit shërbime mirmbajtjeje, shifër që me siguri e kishte dëgjuar nga ndonjë i dy apo trepunësuar… Më pas infermieria iu tregon se ngjitur është një privat, që është gjithmonë disponibël . Duke u larguar bëra llogari për klinikën private dhe sa do që toleroja, përsëri nuk dilte që klinika të arrinte xhiro vjetore dyqindepesëdhjetë milion e jo më të bënte shërbime në një sasi të tillë megjithatë nuk ishte hera e parë që dëgjoja justifikime të tilla dhe shpresova, që të ishte hera e fundit. Në cast mu kujtua shprehja e famshme e Berishës, “dhiz iz a mirakëll”.
Jam i bindur që drejtues abuzivë si këta te gjithë këtij njëzetvjecari, nuk do të qarkullojnë më nëpër spitalet tona, njerëz që kanë hyrë me bicikletë dhe janë bërë me makina të shtrenjta dhe ky është vetëm një tregues i vogël, ndërkohë që spitalet vazhdojnë pa medikamente e deri pa skanera.
Letër e nënshkruar: Aurel Voda, mjek

BEHET FJALE PER NE SALBANI..?!