Fatmirësisht tashmë është fakt se në këto dy dekadat e fundit kontributi i shkrimtareve dhe publicisteve femra sa vjen dhe po rritet në zhanret përkatëse për të cilat po flasim. Disa prej këtyre autoreve (pa përmendur emra), shfaqin (për të qenë në modë) në shkrimet e tyre koncepte të mjegullta, ose disi të druajtura të feminizmit, ndërsa pjesa tjetër thotë të vërteta të pamohueshme. Tek kjo pjesë do ta klasifikoja gazetaren Monika Stafa, e cila para do kohësh u prezantua për lexuesin shqiptar me librin e saj më të ri “Një ditë si Sofia”.
Tre të katërtat e librit i zë publicistika, ndërsa gati një e katërta (42 faqe) i lihet novelës “Një ditë si Sofia”, e cila i jep edhe titullin librit. Tek novela, të cilën edhe vetë autorja e quan “një sprovë”, kemi një narracion të ngjeshur që shtjellohet rreth një udhëtimi nga Tirana në Budapest dhe anasjelltas. Personazhi i novelës, Sofia, do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, ku udhëton për të përfaqësuar vendin e saj, më saktë ndoshta, femrën e vendit të saj. Novela, përveç përshkrimit të mbresave dhe peripecive të një udhëtimi të vështirë, gjakon të konsolidojë opinionin mbi domosdoshmërinë e emancipimit të femrës shqiptare, e cila si çdo femër tjetër e kulturuar e kontinentit, është në kërkim të hapësirave të saj në shoqëri. Nëse autorja, me këtë udhëtim plot pengesa dhe frikëra, ka dashur të krijojë alegorinë e udhëtimit të femrës shqiptare në shoqërinë moderne që po ndërtojmë, them se ia ka arritur qëllimit. Pengesat e këtij “udhëtimi” janë realisht të mëdha dhe për shumë kohë do jenë fatkeqësisht të tilla.
Vetë emri i Sofisë në këtë novelë, si antroponim, bart simbolikën e lashtë që e lidh emrin njerëzor “Sofi” me besimet e lashta, me mitologjinë dhe me dijen lashtë, e cila në Greqinë antike e posedon vetë këtë emër. Pavarësisht se emri “Sofi”, s’është e vështirë të konfirmohet dhe në qindra regjistra të zyrave të gjendjes civile në çdo cep të Shqipërisë, në këtë novelë, Sofia vjen ndoshta si Shën Sofia e shekullit të ri shqiptar. Ajo është narratorja e novelës, por nuk flet drejtpërdrejt aq shumë për vetëveten, përveç faktit që i pëlqen ta shoqërojë Liszt-i edhe në udhëtim. Ajo flet më tepër për botën që shpaloset përpara syve të saj dhe sidomos për raportet që prodhon qenësia e saj si femër me këtë botë. Brenda të njëjtit libër ndodh metamorfoza. Nga narracion fiction në fillim, libri kalon më pas në narracionin eseistik, i cili zë edhe pjesën më të konsiderueshme të librit.
Në pothuajse tre të katërtat e librit, përmes një morie shkrimesh publicistike, autorja iu bën një analizë të hollësishme fenomeneve të shëmtuara sociale të jetës shqiptare përgjatë dy dekadave të fundit, bjerrjes së vlerave shpirtërore dhe kulturore të njeriut shqiptar në konditat e reja të lirisë individuale dhe politike, shartimit të parakes me modernen dhe pamundësisë sonë kolektive për të gjetur rrugën e vërtetë për në Ostia Domus**, alias, në Europën e Bashkuar, si dhe nevojës urgjente për emancipim politik e shoqëror.
Autorja vë re se fjalori i komunikimit të përditshëm në shoqërinë tonë sa vjen dhe tkurret në përdorimin e trajtave të tij më agresive, qoftë midis qytetarëve me njëri tjetrin, qoftë të politikës me qytetarët dhe e gjithë kjo promovohet si normë e re me heshtjen tonë, me heshtjen e atyre që mundet ende të flasin, me mosreagimin e atyre që ende mund të reagojnë. Në gjithë publicistikën e saj në këtë libër, Monika Stafa përpiqet ta mbrojë njeriun shqiptar nga zvetënimi moral dhe qytetar, ta emancipojë dhe ta ruaj nga paaftësia për të mos u manipuluar dhe shitur me çmimin e kafshës shtëpiake, nga paaftësia për t’i rezistuar tundimit për të vrarë, për të përdhunuar dhe ç’është më zezonë akoma nga gjithë këto, për të bërë inçest.
Po ta shohim nga ana tjetër dyzimin e zhanrit të librit në rrafsh vertikal, ndoshta loja me zhanret sjell edhe konotacionin e një alegorie të lidhjeve të pafundme të publicistikës me letërsinë. Gjithësesi për atë që e ka lexuar këtë libër, një gjë është e qartë: “Një ditë si Sofia” të mbush me më shumë dashuri dhe respekt për familjen, për njerëzit, për qytetin, për jetën dhe sidomos për lirinë.
_____________
*Autori është Drejtori i Bibliotekës Publike Fier

E meriton vleresimin ky liber i Monika Stafes.