Nga Gjon BRUÇI
Në vijim të ritualit të përditshëm, pas xhirove tutje-tëhu dhe rrufitjes së kafes në fund të pazarit, përlava dy-tri gazeta të ditës, dhe ngase ora po shkonte drejt 12-tës, u nisa për në shtëpi
-Hë, erdhe për drekë zotrote? – pyeti pa kërkuar përgjigje, ime shoqe.
I mësuar me romuzet e gruas, nuk e prisha terezinë, por pasi thava pjatën-racion të drekës, u ula në kanapenë e kuzhinës dhe hapa gazetat. Pothuaj të gjitha faqet e para të kësaj medie interesante, i kushtoheshin zgjedhjes së presidentit. I obliguar nga ky eveniment i rëndësishëm, nisa të lexoj komentet, analizat, deklaratat, propozimet, sugjerimet, thashethemet . . . Në këtë kakofoni variantesh, dy janë kryesoret: Zgjedhja e presidentit me konsensus të të gjitha palëve, çka është dhe idealja, dhe kur nuk “ndez” e para, sipas kërkesave të kushtetutës. Por mazhoranca në pushtet, ndonëse e ka “kushtetutën me vete”, kërkon të sillet e “moderuar”. Ka vendosur ta pyesë krejt “Katundin” për këtë problem madhor.
Nuk kisha shkuar as në gjysmë të shkrimeve të gazetës së parë, kur sytë më mbetën tek lista e kandidatëve të mundshëm për president, botuar me germa kapitale. E kisha ndjekur këtë listë dhe ditë të tjera, por nuk e prisnja që, midis personaliteteve të lëçitura për postin e presidentit, të gjendej edhe emri im. “Me siguri këtë lojë me emrin tim e ka bërë Çani i “Zonës ë Lirë”, mendova dhe krahas buzëqeshjes, më mbërtheu dhe një turbullirë, si të thuash një ndjenjë midis gudulisjes së sedrës dhe, skuqjes nga turpi, për këtë shaka të Çanit, djalit të ish shokut tim të punës.
Ndërsa po meditoja për kandidimin tim për president, së paku në gazetë, u shtriva në kanape mbi kurriz, me gazetën e radhës përpara syve. Rrezet e diellit të pasdites, që depërtonin nga dritarja, përthyheshin mbi gazetën, të cilën e kisha hapur çarçaf përpara hundës. Pas disa çasteve e pashë veten në . . . . në sallën e Parlamentit . . . Madje jo në plate, por bash në podium, përpara mikrofonit, duke lexuar fjalimin, që dikush ma vuri përpara. . .
Si një robot i kurdisur, po lexoja fjalimin e parë si President. Në gjysmë të tekstit që po lexoja, e mora vesh se isha zgjedhur Kryetar Shteti, por nuk arrija të kuptoja se si kishte ndodhur kjo mesele. A thua shakaja e Çanit të “Zonës së Lirë” paska qenë e vërtetë?
Kur ka tronditje të mëdha, si në rastin tim, ngjarjet rrukullisen vetëtitmthi. Kështu nuk jam në gjendje të kujtoj çastet e mëpastajme, qoftë dhe ato kur kam shkuar në zyrën presidenciale. Më kujtohet vetëm momenti kur u ndodha në avion. Po, po në avion. . .
Fill pas “kurorëzimit” u nisa për Amerikë, ku më priste vizita e parë zyrtare. Në krahun tim të djathtë, aty në ndenjësen e avionit, kapardisej hijerëndë Zonja e Parë, Hankoja ime, e tjetërsuar nga rrobat, nga makiazhi, nga salltanetet . . .“Hajde Hanko Durimmadhi, hajde”- mërmërita më vete, pa e ndryshuar pozicionin e trupit, që më diktonte posti i sapomarrë. . . .
Rruga për në Amerikë të jep mundësinë të vrasësh mendjen për shumë gjëra, por unë kisha vetëm një problem, një enigmë: Çne unë president? Gjithë jeta dhe aktiviteti im kishte qënë ajo e nëpunësit të thjeshtë, që i thosha amin më të madhit, shefit, pa guxuar kurrë ta bëja fjalën dysh! Të gjithë ata që më njihnin thonin se shoku (më vonë zoti) Maksut, duron si gomari. Shkak për këtë epitet ndoshta u bë dhe mbiemri im “Durimmadhi”, të cilin do ta kisha braktisur, sikur të mos e kisha trashëgim brez pas brezi nga fisi.
Për t’i dhënë pra dum kësaj enigmës së presidentit, e cila më “zuri derën”, iu afrova këshilltarit, që e kisha në krahun e majtë dhe, i lëshova frazën provokative: “Nuk e prisnja të merrja gjithë ato vota në seancën plenare . . .”!
Këshilltari rregulloi kollaren që i kishte shkuar pak shtrëmbër, dhe me buzëqeshje të lehtë prej vartësi, ma ktheu: “Zoti Maksut, ju jeni personaliteti më konsensual për të gjitha palët, sepse keni qetësinë dhe durimin e . . .!“
Këtu kafshoi buzën dhe ndali ligjëratën. Deshi të thoshte se keni “durimin e gomarit, ose më së paku, të recitonte mbiemrin tim “Durimmadhi“, por u ndal në kohë.
Sado që nuk dallohem për mprehtësi, fraza e fundit e këshilltarit ma hapi dritaren e gjykimit realist. Ndoshta ishte dhe posti i Presidentit, që më vuri në lëvizje aftësitë e fjetura të intelektualit. Sidoqë të ishte, fillova të kuptoj të vërtetën. Palët që e kishin në dorë këtë punë, na paskeshin dashur një president, i cili të mos jua prishë, por t’i dëgjojë të gjithë. Dhe unë isha kandidatura më e gjetur, më konsensuale. Kot nuk e kisha mbiemrin Durimmadhi!
Ky konkluzion më preku në sedër, por me që bëhej fjalë për postin e kryetarit të shtetit, post që lidhej me fatet e vendit, vendosa të sakrifikoj jo vetëm sedrën, por edhe emrin e mbiemrin. . . Ah, ky mbiemri, . . . kësaj radhe më solli fat. Për të parën herë falenderova fisin për këtë mbiemër të artë, që dikur gati kuturisa ta braktisja!
-Më falni, zoti President, – foli me shumë finesë stjuardesa e “Air Albania“-s, tek më solli një pije freskuese, – a mund t’ju bëj një pyetje?
– Patjetër, – buzëqesha dhe mora pozicion serioz, duke menduar se ndonjë paparac i “Fiksit”, apo „Stop“-it, mund të shkrepte aparatin.
– Më falni, desha të di, nga jeni. . . domethënë të parët Tuaj . . .
– Nga Brukseli, lëshova padashje broçkullën, në vend që të thosha “Burreli”, prej nga jam në të vërtetë.
Stjuardesa u largua me tabaka në dorë, ndërsa unë i alarmuar për gafën e parë që bëra si President, lëviza vrullshëm në ndenjëse dhe . . .
. . . Kur hapa sytë, pashë se gazetat më kishin rrëshqitur në dysheme, ndërsa Hankoja ime po lante pjatat në aneksin e kuzhinës.
– Grua, – turfullova unë, – na bëj një kafe dhe eja të të tregoj një ëndërr, që sapo e pashë.
Dhe ndërsa rrufisja kafenë, i tregova gruas me detaje ëndrrën e papërsëritshme.
– I shkreti ti, tani në pleqëri ke filluar të ëndërrosh për karrierë, – u tall ajo.
– Moj, lëri karrierat e mia, po më thuaj përse më doli në ëndërr Brukseli në vend të Burrelit xhanëm?!
– Ndoshta do të na sjellin ndonjë president nga Brukseli, – foli gruaja kësaj here seriozisht.
– Pse moj, në kohën e Princ Vidit jemi?!
– Edhe në mos ardhtë nga Brukseli, presidenti ynë i nderuar do të zbatojë urdhërat e Brukselit dhe të Uashingtonit – e mbylli Hankoja ime dhe ngriti filxhanët e kafesë.
Për të parën herë e shikova gruan me vëmendje. Ajo flet rrallë, por kur flet, fjalët i ka “thagmë”, siç thotë korçari.
Ishte e vërtetë. Nga çdo anë apo palë, me kushtetutë apo me konsensus që të zgjidhet Kryetari ynë i shtetit, “kunjin” do ta lidhë në Bruksel dhe në Uashington.
Po mbase ëndrrat e ditës nuk dalin. Amin!
Po pse o Durim gazmore ku ta lidhë kapitullin në Moskë,Na mbytën komunistët e pavarur e sovranistë.