Një episod nga jeta e djalit të Sali Vranishtit që flet më shumë se një roman

Ornela

Nga Kujtim MICAJ 

Në mes të viteve  60, kur Maman Saliu erdhi vullnetar në fshat, unë isha me punë mësues në Brataj. Në këtë kohë Mamani ishte emëruar kryetar i Komitetit Ekzekutiv të lokalitetit në Brataj. Krahas lidhjes së miqësisë që kisha me Mamanin, pasi  kisha grua vajzën e kushërirës së tij , ndërsa nga ana tjetër edhe ai kishte bashkëshorte kushërirën time të afërt,  isha  zgjedhur anëtar i këshillit popullor të lokalitetit. Në këto rrethana, sa herë që kisha  ndonjë orë pushim apo kur mbaroja mësimin, shkoja në zyrë te Mamani, jo vetëm për të shkëmbyer  mendime të ndryshme me  të, por edhe për të pirë ndonjë kafe. Një ditë, duke shkuar për atje, shoh te korridori i zyrës L.N. nga Tërbaçi, që po priste. Ky ishte kryetar i këshillit popullor të fshatit. I them se çfarë po pret? Më tha se më ka thërritur Mamani. Nuk e pashë të udhës të dialogoja më tepër me të.  Hyj brenda në zyrë. Mamani ishte vetëm dhe  e gjeta duke shkruajtur. Si u përshëndetëm, i them se L.N. po priste në korridor. E di, – reagoi . Le të presë. Pa e zgjatur më tej,  vazhdoi  të shkruante në  bllokun që kishte mbi tavolinë. Si kaluan disa minuta, u ngrit në këmbë dhe më ftoi që të pinim një kafe te klubi i fshatit, pasi e ndjente të nevojshme në ato çaste. Po L.N. nuk do e takosh, – i them? Nuk foli. Dolëm në korridor. Mbylli derën e zyrës dhe pa i hedhur sytë fare nga L.N., mori drejtimin e rrugës për te klubi. L.N. po na ndiqte nga pas. Mamani duke ndjerë çapat e tij, ndalon dhe i thotë: Hajde nesër! Sot jam i zënë. Dakord, – tha N.L. dhe u kthye mbrapsht.  Kjo sjellje  e çuditshme e Mamanit më bëri përshtypje dhe i them që pse u solle ashtu me N.L.? Ma preu shkurt. Ta them te klubi. Kurioz se  çfarë kishte ngjarë, mezi prisja që ai të më rrëfehej. Duke i njohur tipin, e lashë që të shpjegohej vet kur ta shifte ai momentin e përshtatshëm. Mbasi pimë nga dy gllënka kafe, me pamje më të vrejtur se ç’ishte normalisht, m’u drejtua me pyetjen:  Meqenëse  je nga Tërbaçi dhe anëtar i këshillit popullor të lokalitetit, a e di ti se çfarë ka bërë L.N.?! Jo-, i përgjigjem. Atëherë më dëgjo. Dhe nisi rrëfimin.

Më erdhi një nga Tërbaçi dhe më vuri në dijeni se në fikun e L.N. kishin hypur dy fëmijë. Kur L.N i kishte parë majë fikut, nuk iu kishte thënë gjë, por kishte marrë qenin e shtëpisë së tij dhe pasi i kishte hedhur një litar të gjatë në qafë, e kishte lidhur te trungu i pemës. Perimetri i lëvizjes së qenit ishte i atillë, që fëmijët të mos zbrisnin dot nga fiku, por as të mos hidheshin, pasi në të kundërt qeni do i bënte copë-copë. Në këto kushte, pavarësisht se fëmijët i luteshin duke qarë, shoku L.N. (fjalën “shoku” e shqiptoi me ironi) i kishte lënë me orë të tëra  sipër fikut. Por ajo që më revoltoi më shumë, vazhdoi Mamani, ishte se të dy këta fëmijë ishin jetimë. Kjo sjellje e L.N. mua më kujtoi fëmijërinë time. Im atë jo vetëm që më la jetim pa bërë ende 4 vjeç, por njëkohësisht na la edhe në mjerim të thellë. Pa pasuri. As të tundshme, as të patundshme. Dhe kur fillova të rritesha, kushedi sa herë kam hipur nëpër fiq e kumbulla të tjerëve për të mbushur barkun. Kur më kanë zënë, më kanë futur edhe ndonjë pëllëmbë apo shkulur veshin, por në asnjë rast nuk më kanë lënë në majë të fikut apo të kumbullës për dënim. L.N. është kryetar i këshillit popullor dhe jo bekçi i fshatit, as xhandar i kohës së Zogut. Prandaj sjellja e tij është jo vetëm aspak dinjitoze për detyrën që i ka besuar populli, por njëkohësisht edhe aspak humane. E lashë të presë te dera e zyrës, që ta kuptojë se është kollaj t’u lidhësh qenin dy jetimëve poshtë këmbëve, por  a ndjehesh rehat kur duhet të bësh vet rolin e qenit?!

Kjo është historia, – përfundoi Mamani. Prandaj dhe sjellja ime me të ishte e tillë. Ngela pa fjalë. Në heshtje i dhashë plotësisht të drejtë.

Të nesërmen Mamani e kishte pritur L.N. Heshtja dhe qëndrimi i akullt  i  një dite më parë  i Mamanit me L.N. si dhe vënia para përgjegjësisë morale në zyrë,  bëri që ky jo vetëm të reagonte pozitivisht, por edhe të premtonte se do  reflektonte për të qenë në pozitat e përfaqësuesit të pushtetit popullor.

I tillë ishte Maman Saliu. Nga ai kishte se çfarë të mësoje. Jo vetëm kur e dëgjoje, por edhe kur i lexoje heshtjen .

Në foto të qarkuar Kujtim Micaj dhe Maman Saliu dalë në Tërbaç me Hysni Kapon etj. në vitin 1977.

 

 

Share This Article
6 Comments
  • Maman Saliu duhet ta denonte publikisht sjelljen jo njerzore te XY.
    Dhe kete jo vetem si njeri por per me teper si njeri i pushtetit.
    XY nuk e meritonte te qendronte ne ate post.
    Se toleroheshin keto veprime nga njerzit e ndershem, prandaj perfundoi ai pushtet, si perfundoi.

  • Pune komunistash, qe vrane e prene njari tjatrin deri edhe mallakastriotin Mehmet Shehun me shoket e tij labin Kadri Hasbiun dhe mallakatriotin Feçor Shehun TE GJITHE KRIMINELA.

    TE NA RROJE PARTIA ME TRATHTAR QE NGA THEMELIMI I SAJA.

    • O Pal tele leshi!
      Po pse te vjen kaq keq per ish komunistet ty e nuk u qan hallin ballisto-zogisteve te tu diversante e spiune?
      Megjithate ti sot duhet te shkruaje edhe per “Shote Galicen” socialiste,qe quhet Elisa Spiropali,burrneshen,qe nuk ka qen fshati,qe e ha edhe ne maje te fikut!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *