Një film si jeta dhe një jetë si në film

redaktor

Ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se Hollywoodi do të ishte destinacioni i tij. I lindur në Theth, në moshën 16-vjeçare, për shkak të vështirësive ekonomike, detyrohet të largohet nga Shqipëria. Fillimisht në Greqi, e më pas drejt tokës së premtuar… në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes shumë vështirësive, i riu nga Shqipëria nuk dorëzohet dhe vazhdon shkollën e mesme me dëshirën për t’u bërë mjek, e për të ndihmuar ekonomikisht familjen e tij. Sikur të mos mjaftonin kushtet e vështira në Amerikë, brenda një kohë të shkurtër, Praq Rado humbet të dy prindërit, e duke qenë emigrant i paligjshëm ai nuk erdhi dot në Shqipëri as për t’iu dhënë lamtumirën e fundit. Por, fati kishte rezervuar diçka të mirë edhe për të. Një takim i rastësishëm me regjisorin Lee Percy do të ishte fillimi i një karriere si aktor. Historia e jetës së Praq Rados joshi regjisorin fitues të çmimit “Emmy”, i cili realizoi filmin me metrazh të shkurtër “Dreaming American” (Të ëndërrosh si amerikan). Por, kur mendonte se çdo gjë po shkëlqente në jetën e të riut, sërish del një pengesë. Si për ironi të fatit, ai ndalohet nga policia amerikane pikërisht kur po shkonte për të ndjekur filmin e tij në “Humpston Film Festival” në Nju Jork. Një agjent federal e nxori nga treni për shkak se nuk kishte dokumente, ironikisht e njëjta histori e filmit të tij, ku tregohet historia e një emigranti të paligjshëm. Mediat menjëherë raportuan për arrestimin e tij dhe, ndihmesa e dhënë nga regjisori Percy bën që ai pas tetë ditësh të lirohej nga burgu. Tashmë Praq Rado është pajisur me dokumente dhe ëndrra e tij amerikane po realizohet.

Arsimimi

Praq Rado kur u largua nga vendlindja kishte përfunduar vetëm shkollën 8-vjeçare. Për të ka qenë shumë e vështirë që të eci para në këtë drejtim. Ai tregon se, nuk ka mundur që të mësojë rregullisht, për shkak të kushteve dhe të jetës që i është dashur të bëjë, fillimisht në Theth, e më pas si emigrant pa dokumente. “Nëse të tregoj shkollën e Thethit ku të gjithë xhamat janë thyer dhe çdo gjë është mbyllur do ta kuptosh se, është shumë e vështirë rruga që kam bërë në këtë drejtim. Në Theth nuk kam pasur asnjëherë mundësi që të mësoja. Gjimnazin e përfundova në Amerikë, por nuk kisha asnjë njohuri nga shkolla që kisha bërë në Shqipëri. Nëse moshatarët e mi një material e përvetësonin për 2 orë, unë duhet që ta mësoja për 3 orë. Shkalla e vështirësisë për mua ishte më e madhe, por të paktën kam ecur mirë deri më tani”. Aktualisht Praqi po studion për “Marketing&Piar”. Ai është në vitin e dytë, por ka edhe dy vjet të tjerë për ta përfunduar.

Mbështetja

Praq Rado tregon se, dita e parë në shesh xhirim ka qenë për të realizimi i një ëndrre shumë të madhe. “Momenti më i bukur për mua ka qenë kur e pashë veten në shesh xhirim. Dita e parë në film, ishte sikur të isha në ëndërr”. Momenti më i vështirë për të ka qenë ndarja nga jeta e së ëmës. “Momenti më i vështirë ishte kur ime më ishte e sëmurë. Unë kam qenë pika e saj e dobët, edhe sikur në orën 3 të natës të më telefononte do t’i përgjigjesha. Nga njëra anë ka qenë ime më që vuante se ishte e paralizuar, dhe nga ana tjetër ka qenë dëshira ime për të vazhduar rrugën që kisha nisur”. Mbështetja e tij më e madhe janë vetëm vuajtjet që ka kaluar në jetë. Është Thethi dhe njerëzit që jetojnë ende atje. Janë kujtimet që ruan, ato e frymëzojnë ende. Në ShBA nuk ka asnjë që ta ndihmojë për të ndarë shpenzimet e qirasë, apo të tjerat. Por, ai punon edhe nëpër restorante për të paguar shpenzimet e tij. Ka dëshirë që të shkruajë një libër për veten, sepse e frymëzon shumë fëmijëria.

Jeta personale

Aktualisht, përsa i përket jetës personale Praqi nuk është vetëm. Por, ai na tregon se është i fokusuar te puna. “Kam dëshirë që të bëj diçka, vajzat vijnë edhe shkojnë, aktualisht dua që t’i përkushtohem punës, më pas dua që të kem familje dhe fëmijë”.

Bashkëpunimi

Një mbrëmje isha duke shërbyer në festën që po bëhej për filmin “Salt” me Angelina Jolie. Regjisori i filmit ishte aty. Ndërsa njerëzit e pyesnin për filmin, unë gjatë shërbimit bëra një kërkim rreth tij në IMDB dhe u informova për të gjithë filmat që kishte bërë. Fillimisht i shërbeva dhe më pas u prezantova si aktor, duke i treguar për projektin që kisha shkruar. Percy më dha email-n e tij. Pas një jave i nisa skenarin. Kaluan dy javë dhe nuk kisha ende asnjë përgjigje. Isha mësuar duke mos më kthyer përgjigje dhe kjo gjë nuk më bëri më përshtypje. Por, pasi kaluan 18 ditë mora një përgjigje prej tij. Skenari i kishte pëlqyer shumë dhe donte të pinim një kafe së bashku, nga këtu nis bashkëpunimi ynë.

Çmimet

Filmi është vlerësuar në festivale të ndryshme

Praq Rado (33 vjeç) ka lindur në Theth të Dukagjinit. Në moshën 16-vjeçare ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të realizuar ëndrrën e tij në fushës së kinematografisë. Një ditë fati bëri, që ai të takohej me regjisorin Lee Percy dhe të realizonte filmin me metrazh të shkurtër për jetën e tij. Aktualisht vazhdon studimet e larta për “Marketing dhe Piar”. Filmi me metrazh të shkurtër, “Dreaming American” është bazuar në historinë e jetës së tij. Drejtor filmi Lee Percy, fitues i çmimit “Emmy Award” dhe producent ekzekutiv, Barbet Schroeder, i nominuar për çmimin Oscar. Filmi është vlerësuar në festivale të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Praq Rado interpreton personazhin e Zef Ndojit. Ai është në rolin e një të riu, i cili mes shumë sakrificash i duhet që të mbajë gjallë dinjitetin dhe ëndrrën e tij.

Në 6 nëntor filmi do të prezantohet në “Tribeca Theater”, në një nga ambientet ku zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore të New York-ut . Pas këtij bashkëpunimi të suksesshëm, producentët e filmit kanë vendosur që historinë e Praq Rados ta shndërrojnë në një film artistik, ku do të interpretojnë emra të njohur të Hollywood-it. Emri i shqiptarit është përzgjedhur nga shumë regjisorë si protagonist kryesor, në disa prodhime kinematografike me metrazh të shkurtër apo në role episodike si ai në filmin “An englishman in New York”.

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *