Një filozofi e re për shëndetin mendor

redaktor

10 Tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Çdo vit kjo ditë i kushtohet aspekteve të ndryshëm të shëndetit mendor të popujve, duke filluar me çështje të tilla si depresioni dhe vetëvrasja e duke vijuar me rëndësinë që ka kualifikimi i personelit në përballimin e kërkesave të popullatës për shërbime të shëndetit mendor.

Prej shumë vitesh Shqipëria gjithashtu është pjesë e komunitetit ndërkombëtar i cili, në çdo 10 tetor, i kushton vëmendje përpjekjeve që bëjnë qeveritë, sektorët joqeveritare dhe komunitetet, për një shëndet më të mirë mendor të popujve të tyre. Në këtë kuadër, me asistencën e OBSH, Shqipëria po ka gati 14 vjet që ka filluar reformimi në filozofinë e ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor bazuar në parimet themelore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Një numër shërbimesh komunitare të shëndetit mendor janë ngritur e funksionojnë në disa rrethe të vendit: Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Korçë, Berat, Gramsh dhe Peshkopi, ndërkohë që janë përgatitur kushtet edhe për ngritjen e tyre edhe në rrethe të tjera. Po ashtu, ngritja e shërbimeve të reja po shoqërohet me përmirësimin e kushteve të jetesës në spitalet psikiatrike të vendit, aty ku një numër i konsiderueshëm njerëzish me sëmundje mendore kalojnë një pjesë të mirë të jetës së tyre për mungesë të alternativave të trajtimit.

I parë nga një këndvështrim përgjatë kulturave, është e pamundur që shëndeti mendor të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Sidoqoftë, përgjithësisht, është pranuar se shëndeti mendor është më i gjerë se thjesht mungesa e çrregullimeve mendore. Çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin mbi 25% të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. Ato janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive, individët e të gjitha moshave, gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfrit, nga zonat qytetare apo fshatare.

Një në çdo katër familje ka të paktën një anëtar me çrregullime mendore apo të sjelljes. Këto familje jo vetëm ofrojnë mbështetjen e tyre fizike dhe emocionale, por gjithashtu i nënshtrohen ndikimit negativ të stigmës e diskriminimit. Katër nga dhjetë shkaqet kryesore të paaftësisë nëpër botë janë çrregullime neuropsikiatrike, duke shkaktuar për pasojë 30.8% të paaftësisë totale dhe 12.3% të peshës së përgjithshme të sëmundjeve.

Duke u përballur me fakte të tilla Ministria e Shëndetësisë vazhdon të konsiderojë shëndetin mendor një nga prioritetet më madhore të reformës tërësore shëndetësore. Në këtë kontekst vizioni për të ardhmen vijon të frymëzohet nga filozofia e mbrojtjes së të drejtave të personave me çrregullime dhe nevoja të veçanta të shëndetit mendor dhe e luftës kundër përjashtimit dhe diskriminimit shoqëror, nëpërmjet një rrjeti të integruar të shërbimeve të shëndetit mendor për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.

Ngritja e këtij Rrjeti të Integruar të Shërbimeve të Shëndetit Mendor bazohet në përmbushjen e dy objektivave madhorë strategjikë, ai i Decentralizimit të shërbimeve të shëndetit mendor përmes shtrirjes dhe pasurimit të rrjetit ekzistues me shërbime sa më pranë komunitetit dhe Deinstitucionalizimit, përmes reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrik dhe ngritjes dhe fuqizimit të shërbimeve komunitare të shëndetit mendor.

Zhvillimet e deritanishme kanë shënuar arritjet të rëndësishme të cilat kanë krijuar bazat për zhvillimin e Rrjetit të Integruar të Shërbimeve të Shëndetit Mendor, si në kuadrin ligjor ashtu edhe në atë rregullator. Arritje të rëndësishme për vitin 2012 mund të quhet miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit të ri “për shëndetin mendor”, nr.44/2012, ku përmes këtij ligji afirmohet edhe një herë koncepti i gjerë i shëndetit mendor, jo thjesht si mungesë e sëmundjes por promovim i mirëqenies, parandalim i çrregullime të shëndetit mendor, trajtim dhe rehabilitim i personave të prekur. Kjo i hapi udhë një momenti tjetër të rëndësishëm, ai i hartimit të paketës së akteve nënligjore të cilat do të sigurojnë zbatimin sa më të mirë të këtij ligji.

Gjithashtu përgjatë vitit 2013 ka përfunduar puna për hartimin e planit të ri të veprimit për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor, për një periudhë 10 vjeçare (2013-2022).

Gjate vitit 2015 e në vazhdim mjekësia e familjes, rrjeti i qendrave të shërbimit shëndetësor parësor, mjekët e familjes dhe infermierët do të jenë një vlerë e shtuar në adresimin e problematikes së shëndetit mendor, kryesisht duke trajtuar problematiken e stresit dhe të depresionit në popullatën shqiptare, nëpërmjet iniciativës së Ministrisë së Shëndetësisë, atë të check up ose të kontrollit shëndetësor periodik bazë. Ky kontroll shëndetësor do të shërbejë si një mënyrë për të reformuar tërësisht sistemin parësor dhe për t’i dhënë një dimension më të fuqishëm shërbimeve shëndetësore bazë në komunitet duke synuar standarde dhe cilësi, duke adresuar tashmë dhe problematika bazë të shëndetit mendor.

Gjithashtu, dëshiroj të shpreh optimizmin tim edhe për një çështje e cila po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha për sa i përket sensibilizimit të opinionit publik, Çrregullimet e spektrit Autik!

Shifrat e CDC në Amerikë – 1 në 68 fëmijë me këto çrregullime – të nxjerra tek fëmijët e lindur në 2010, tregojnë se pjesa më e madhe e fëmijëve me vështirësi janë ata që janë përfshirë në rrjedhën e ‘normalitetit’, jashtë vëmendjes së shërbimeve. Ky është një grup i palidhur në pamje të parë me dizabilitetin, por që i kushton shumë shoqërisë.

Mendoj se fokusimi tek shkollat nuk është i rastësishëm në kontekstin e Shëndetit Publik, përsa i përket aspektit të përfshirjes së këtyre fëmijëve në shoqëri.

Ne kemi një armatë mjekësh e psikologësh në sistemin arsimor që duhet të modifikojnë të menduarin e të punuarin mbi parime të filozofisë së Shëndetit Publik.

Vitet e shkuara vëmendja është fokusuar kryesisht tek fëmijët e vegjël dhe ndërhyrja e hershme dhe me të drejtë, por ka ardhur koha për një qëndrim gjithëpërfshirës dhe veprim të sinkronizuar ndërmjet sektorëve të shëndetësisë, arsimit, përkrahjes sociale.

Ne kemi një rrjet të mirë pediatërish e mjekësh familjeje që kanë kontakt me gjithë popullatën. Një model i ri i shkuarjes së sistemit shëndetësor pranë familjes po dizenjohet në kontekstin e check-up për një shtresë të gjerë popullate. Është në thelb, vënie e pacientit në qendër, dhe sistemi shëndetësor po modifikohet thelbësisht në këtë filozofi.

Screening është domosdoshmëri. Në Tiranë po pilotohet një screening fëmijësh 2 vjeçare për Autizmin si një program bashkëpunimi Autoriteti Shëndetësor Rajonal me Qendrën Rajonale të Autizmit në Farkë dhe me shoqatën e mirënjohur botërisht Autism Speaks, Nju York, që në fakt është një angazhim. Ky proces do të na mundësojë të bëjmë një vlerësim më të saktë nevojash për të shkuar në planifikim shërbimesh.

Është momenti për të punuar realisht për një plan Strategjik Kombëtar në koherencë më ç’sugjerohet prej Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në një rezolutë të vjetshme për Autizmin dhe Asamblesë së OBSH gjithashtu për Autizmin. Në këndvështrimin e OBSH, Autizmi do duhet të jetë prioritet për shërbimin publik dhe një mekanizëm për të ndërtuar modele shërbimesh për shëndetin mendor të fëmijëve e adoleshentëve.

Barra e shoqërisë për të përballuar autizmin sot shkon kryesisht tek familjet, në Shqipëri e gjithkund në botë, madje edhe në sisteme shëndetësore të fuqishme. Ndërhyrjet terapeutike afatgjata për rehabilitimin psiko-social kanë qenë tradicionalisht në domenin e qendrave sociale dhe shkollave të edukimit special. Do duhet të ndryshojmë fokusin dhe t’i përfshijmë në protokollet mjekësore.

Në çdo spital pediatrik në rajone do duhet të ngremë kapacitetet njerëzore për të bërë diagnostikimin, dhe kapacitetet njerëzore për ndërhyrjen psikologjike e sociale.

Siç i kemi të ndërtuara piramidat e strukturave të njerëzve sot, Ministria e Shëndetësisë mund të aktivizojë burimet e saj mbi diagnostikimin. Në aleancë e bashkëpunim me burimet e sistemit edukativ në çerdhe, kopshte e shkolla mund të ngremë një sistem kapilar asistencë.

Koordinimi dhe mobilizimi i kapitalit njerëzor janë 2 procese madhore në këtë fazë ku do duhet të përqendrohemi. Çdo investim i sotëm në këto 2 drejtime jep benefite të mëdha për të ardhmen.

Fenomeni nuk është vetëm shqiptar dhe prej më shumë se një dekadë është formuluar ideja se në shëndetësi e sidomos në shëndetin mendor ia vlen të punohet në bashkërendim me vendet e rajonit.

Mbi bazën e eksperiencave të Paktit të Stabilitetit krijuam në Tiranë, SouthEast European Network per Autizmin, SEAN, si një instrument për të mobilizuar projekte e iniciativa që marrin e japin mes vendeve të rajonit, mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare. Të gjitha vendet tona janë përgjithësisht në të njëjtin stad, me burime njerëzore të pakta dhe me nevoja shumë të mëdha për dije e njohuri.

Ky është një moment ku të gjithë mund të vendosin nga një tullë.

 

*Zëvendësministri i Shëndetësisë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *