Ka një shqetësim publik se diplomat e universiteteve shqiptare nuk kanë fuqi tregu. Nga ana tjetër, pranimet në universitete rriten me mbi se 5 përqind në vit. Si mund të zgjidhet ky rebus? Cilësia e mësimdhënies në universitet është standarti që duhet të “bashkojë” të drejtën natyrore meritokratike të arsimimit me fuqinë e tregut të diplomës. Por arritja e cilësisë është një proçes, i cili duhet të ketë disa pika fillimi. Njera prej tyre, madje më e qenësishmja, më duket se është kushtëzimi i ndërtimit të trupës mësimdhënëse me standarte rigoroze. Konkretisht, liçencat e universiteteve duhet të jepen, ose mbrohen periodikisht pasi janë dhënë, nëse plotësohet kushti për një trupë mësmimdhënëse cilësore. Baza për çdo degë studimi është departamenti përkatës. Sipas ligjit aktual për arsimin e lartë, “Departamenti duhet të ketë në përbërje të tij të paktën 7 anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët të paktën 3 duhet të jenë me grada dhe tituj”. Ky standart, me shumë pak përjashtime, nuk është zbatuar dhe nuk zbatohet. Edhe sot e kësaj dite, ka universitete jopublike, të cilat nuk kanë shtatë profesorë efektivë, jo vetëm për një departament, por për gjithë institucionin. Ndërkohë, edhe mjaft universitete publike nuk e përmbushin këtë standart. Pse, atëherë, duhet të presim cilësi mësimdhënieje prej tyre? Nga ana tjetër, ligji nuk saktëson as nivelin dhe as origjinën e gradave dhe titujve. Mund të jenë të gjithë Master dhe standarti ligjor formalisht quhet i plotësuar. Kjo, për mendimin tim, duhet të saktësohet, duke vendosur kushte të rrepta për një raport ambicioz dhe funksional pedagogë me gradat Doktor shkencash dhe Master si edhe me titujt Profesor dhe Profesor i Asociuar.
Gjithashtu, sipas ligjit aktual, “Institucioneve të arsimit të lartë, të cilat funksionojnë, por nuk e plotësojnë këtë kriter, u lihet një afat 5-vjeçar”. Ky tolerim duhet hequr. Ku e gjen ky shtet të licencojë universitete pa standarte dhe pa pedagogë? Ku e gjejmë të drejtën që pesë brezash studentësh dhe prindërve të tyre, që heqin bukën nga goja për të paguar studimet e fëmijëve, tu themi “Bëni si të bëni pesë vjet edhe pse pedagogët mund t’i kini copë-copë!”, vetëm e vetëm se këtë na e kërkon klientela ose interesa korruptivë?
Standartet rigoroze dhe kërkesat e ashpra duhet të nisin me krijimin e kapaciteteve mësimdhënëse cilësore dhe bashkëkohore. Që të liçencohet universiteti (ose mbrohet liçenca) për një degë të caktuar do të ishte e nevojshme që secili prej departamenteve të ketë të paktën një Profesor të titulluar ose një PhD të lauruar në një universitet perëndimor në atë degë. Jo nga çdo universitet perëndimor, por nga një listë universitetesh prestigjiozë dhe cilësore. Mund t’i referohemi listës së 100 universiteteve më të mira që boton cdo vit revista TIMES ose US News and World Report, të cilat publikojnë dy renditjet më serioze.
Pedagogu me kualitetet Profesor ose Doktor i shkencave, duhet të jetë i kontraktuar për një periudhë disavjeçare vetëm nga ky universitet dhe nga asnjë tjetër. Ky kusht do t’u priste rrugën pedagogëve shëtitës dhe virtualë, emrat e të cilëve figurojnë pothuajse në të gjitha kërkesat për liçenca universitetesh. Largimi i Profesorit ose i PhD dhe mbetja e departamentit pa një të tillë duhet të sjellë automatikisht anullimin e liçencës për degën përkatëse dhe penalitete serioze për sistemimin e studentëve në universitete të tjera që i respektojnë këto kushte. Duke pasur të paktën dy departmente solid, do të kemi automatikisht nje fakultet solid. Dhe duke pasur të paktën dy fakultete solid, do të kemi automatikisht një universitet cilësor. Në këtë mënyrë, do të shkojmë drejt situatës kur do të kemi aq universitete, sa kemi pedagogë dhe trupa mësimdhënëse cilësore. Në kushtet që jemi dhe me këtë integritet të diskutueshëm të sistemit universitar, por edhe të monitorimit të dobët të sistemit, ne nuk mund të nisemi nga standarti universitete apo studentë për banorë. Ne thjesht duhet të kemi aq universitete sa kemi pedagogë cilësorë. Pikënisja e këtij standarti duhet të jetë ndërtimi i departamentit. Njësia bazë e mësimdhënies universitare duhet të ketë, përveç Profesorit të titulluar ose PhD nga një univeristet i huaj prestigjioz, edhe raporte ekzigjente dhe funksionale Profesorë të asociuar-PhD-Doktorantë-Master. E përsëris, ky standart dhe këto raporte janë një premisë, por jo e vetmja që mund të garantojë cilësinë e universitetit. Por edhe kushtet e tjera duhet të jenë vazhdim dhe plotësim logjik i kësaj premise.
Një trysni e tillë nuk do të jetë pa pasoja. Ajo mund të shpier drejt uljes së numrit dhe cilësisë së kritereve për fitimin e titullit Profesor, pra në titullim profesorësh pa kredencialet e nevojshme. Por edhe ky shteg mund të zihet. Pjesë e reformëes universitare duhet të jetë vendosja e kërkesave të rrepta për fitimin e titullit Profesor i Asociuar dhe Profesor. Vendosja e këtij “filtri” do të shmangë riskun e inflacionit të profesorëve pa kredite dhe do t’i përfshijë trupat mësimdhënëse të universiteteve në gara të vështira, por të ndershme dhe produktive, të fitimit të titujve të merituar dhe me fuqi tregu.
