Të porsalindur jetimë në vend të çmimit të madh për ata që japin përgjigjet e sakta në një “quiz-show” që ka ngjallur bum polemikash në Pakistan. Akuzat: “Fëmijët nuk janë trofe fitoreje”. Drejtuesi i emisionit: “Kështu i ndihmojmë, mos preferoni që të bëhen terroristë?”
“Kush do të përgjigjet saktë në pyetjen e ardhshme do të fitojë një fëmijë” dhe kështu në mënyrë të pabesueshme një çift “fitoi” një të porsalindur të braktisur. “Isha e shokuar, askush nuk na kishte paralajmëruar se do të ishte ky çmimi në rast se do të fitonim”, shpjegon për “CNN” Suriya Bilqees, e cila shprehet e lumtur që është bërë mama e një vajze 2-javëshe.
Jo një motor, as një furrë me mikrovalë, apo një javë pushime, çmimi është një qenie njerëzore. Versioni pakistan i lojës me titull “Ok, është vlera e duhur” ka ngritur një mori polemikash. “Pakistanezë zgjohuni! Fëmijët nuk janë trofe për t’u ekspozuar”, është akuza që vërshon nga të gjitha anët për organizatorët e programit. Ndërkaq, drejtuesi i tij, Aamir Liaquat Hussain, besnik ndaj porosive të Islamit, por edhe një yll televizioni (madje konsiderohet edhe një seksimbol), e mbron zgjedhjen me një përgjigje të thjeshtë: “Fëmijët e braktisur janë të dënuar të rriten rrugëve e më pas të merren e të bëhen pjesë e organizatave terroriste, duke e përmbyllur ekzistencën e tyre në atentatorë kamikazë. Ne vetëm po përpiqemi t’u ofrojmë një alternativë ndryshe, çfarë ka të gabuar këtu?”.
Programi i Hussain, i transmetuar drejtpërdrejt në orën 7 të pasdites, përgjatë muajit të Ramazanit, po regjistron një bum shikimesh. Dhe nuk janë të paktë ata që dyshojnë që çmimi i pazakontë është thjesht një teknikë për të tërhequr sa më shumë audiencën. Përfaqësues nga organizata që kujdeset për këta vogëlushë dhe që bashkëpunon me programin në fjalë “Chhipa Welfare Association”, shpjegojnë se çdo muaj në qendrën e tyre gjejnë strehim rreth 15 vogëlushë. “I marrim këto krijesa të vogla në cepat e rrugëve, në kazanët e mbeturinave, disa të vdekur, të tjerë me trupin të kafshuar nga kafshë të ndryshme. Përse t’u mohojmë një të ardhme ndryshe nga njerëz që dëshirojnë t’ua ofrojnë?”.
Ndërkohë Hussain vazhdon përpara, madje ka si synim të zgjatë kohën e transmetimit dhe të lançojë të tjera emisione që iu japin hapësirë minorancave fetare të vendit: “Gojët e liga nuk më interesojnë. Objektivi i programit tim shkon përtej: dua të kontribuoj në ribashkimin e këtij kombi të copëzuar, të përçarë nga dhuna, intoleranca fetare dhe terrorizmi. Është vetëm një hap i vogël, por shpresoj që të jenë të shumtë ata që do të ndjekin hapin tim”./ D.Gjuzi
