Një gërshet i artë në studion e piktorit

redaktor

Në studion e piktorit të shquar Agim Faja shkohet me shumë kënaqësi dhe kërshëri. Para disa ditësh ndala tek miku i vjetër, por ajo që më bëri përshtypje ndryshe nga herët e tjera ishte një mjegullnajë trishtimi e shpalosur në të gjithë hapësirën e studios, që zinte fill me pamjen e lodhur të Agimit. Kishim qenë dhe më parë dhe ndryshimi ishte i madh megjithëse humori karakteristik i tij dukej sikur donte ta ngrohte atmosferën. Interesohesha për një pjesë të dokumentimit që ai i kishte bërë jetës së Haxhi Qamilit. Për disa konkluzione kontroverse të tijat lidhur me trajtimin e kësaj figure historike nga historiografia e ditëve tona. Përveç emrave dhe adresave ai, mjaft i kujdesshëm ka skicuar dhe ruan në bllokun e piktorit … deri mustaqet e tyre… Dhe megjithëse i paralizuar prej vitesh, ai ka vrapuar kaq shumë në kohë saqë përveç artit që i ka dhuruar popullit të vet, ka lënë pas edhe dhjetëra historianë në pistën e studimeve. Nëse Shlimani i Trojës ishte mjek, historinë e Shijakut e ka gdhendur një piktor, Agim Faja. Në 3 vëllime. Me prurje burimore të papërsëritshme. Me një kohështrirje të madhe dhe vullnet të hekurt. Sikur ka dashur të ndeshet me sëmundjen e tij! Dhe ja ka arritur ta sfidojë atë!

Herën e fundit, menduam se e kishte lodhur beteja. Po kishim gabuar. Shtatorin e kaluar ishte ndarë nga jeta bashkëshortja e tij, Durija. Na befasoi kur na e tha me takt, pasi nuk e dinim. Dhe dhimbjen megjithëse kishte të thellë, mundohej ta largonte për të mos rënduar miqtë. Ishte ndarë nga jeta njeriu që i kishte qëndruar pranë që nga viti 1967. E cila në tërë arsenalin e punës artistike e historike të Agimit ka lënë gjurmet e një gruaje të përkujdesshme, duke sakrifikuar me dinjitet e dashamirësi kundrejt bashkëshortit pjesë nga rinia e saj…

 

Gërsheti i artë

Agim Faja
Agim Faja

Agimi është përpjekur tashmë që atë pjesë rinie që Durija e sakrifikoi me dashuri për të, ta konservojë në studio, duke e kthyer këtë vend pune të shenjtë për të edhe në një memorial për bashkëshorten e shkëlqyer që s’e ka më pranë. Dhe Durija është e pranishme në shumë foto dhe objekte të tjera. Është një stendë përballë tavolinës së Fajës, stenda e Durijes. Po jo vetëm aq. Në një kënd të studios është vendosur gërsheti i artë i periudhës së rinisë së saj. Rreth një metër gërshet i artë. Shoqëruar me foto dhe piktura që kishte bërë Agimi për të, kur “ka ndaluar në vend” rininë e saj. Dhe tërë arsenalin e bizhuterive të përdorura nga Durija. Duke i parë me vëmendje fotot e Durijes të vendosura pranë tablove dhe skicave, punimeve të jetës së Agim Fajës, më shkuan në mend dhe disa vargje të Haxhi Ramës, aktorit dhe regjisorit të mirënjohur durrsak, që në këtë rast merrnin një kontekst të ri:

 

“ Kur të vdes një mik

Vdes dhe ti pjesërisht

Ai zgjedh heshtjen një ditë

Dhe ti, trishtimin natyrisht

…Kur të fiket një i dashur

Ke diçka më pak nga ç’kishe

Më rrallë qesh, buzë e plasur”

 

Në ditarin personal

Krahas shumë shënimeve historike për qytetin e tij të zemrës, Shijakun, Agimi ka dhe një volum të madh shënimesh personale. Ditari i vet. Dhe në detin e madh të memories së ngurtësuar në fletë, ai veçon disa faqe që janë shënimet për botën intime të tijën dhe Durijes. Ditën e parë të martesës që mësohet se është celebruar më datën 29 Tetor 1967, autori i ditarit kujton se i ka dhuruar të shoqes një çokollatë si dhe një fletore me poezi për të. Të cilën ia ka rikujtuar në 45 vjetorin e martesës…

Agimi përpiqet të jetë mjaft i ngrohtë dhe mikpritës. Sikur kërkon të kompesojë në mjedis ngrohtësinë e munguar të bashkëshortes, që veç ndihmës dhe dashurisë së pafundme i dhuroi edhe dy djem.

 

Jeta e Agim Fajës

Kjo është një pjesë jete e një piktori të shquar. Me kulmet e saj të lumturisë dhe të trishtimit. Po Agim Faja punon çdo ditë në studio. Së bashku me imazhin e ngrohtë të bashkëshortes fisnike pranë. Po dhe jeta e tij është frymëzim për brezat e rinj, pasi i paralizuar punon çdo ditë, prej vitesh. Duke qenë shembull i njeriut që konkretizoi edhe në kufijtë e së pamundurës, pasionin për artin dhe triumfin e punës në jetë. Duke pasur pranë shëmbëlltyrën e gruas së tij Durijes, që ka ditur ta kthejë në frymëzim edhe në çastet më dramatike… Piktori Agim Faja ka lindur në Shijak në vitin 1939, qyteti ku jeton edhe sot. Një periudhë kohe ka punuar në arsim, ndërsa më pas ka filluar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitin 1967 është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga viti 1969-1992 ka qenë i zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj Lidhjeje dhe për disa kohë Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve për Durrësin. Ka çelur 9 ekspozita personale dhe shumë të tjera me miqtë dhe kolegët. Është fitues i mbi 15 çmimeve të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 1987 i jepet titulli “Piktor i Merituar”. Punimet e tij janë ekspozuar në Bienalen e Egjiptit, Kinë, Itali, Vietnam, Algjeri, Francë, Gjermani, Angli etj. Vepra të tij gjenden sot në koleksionet private të të gjitha kontinenteve.

Share This Article
1 Comment
  • Agim Faja do te mbetet i paharruar per mua,sepse ate vit qe mbarova abetaren dhe lexoja tabelat e dyqaneve,me dhuruan nje liber te ilustruar,qe titullohej~Tregime te mocme shqiptare”. Muji dhe Halili ,Zana e Bjeshket e Namuna vijne nga dora e Mitrush Kutelit,me portretet e Autorit te ilustrimeve , piktori Agim Faja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *