Një gol i Shetës i dhuron fitoren Laçit ndaj Teutës

Dita

Fitoret në shtëpi janë kthyer në një formalitet për Lacin e këtij sezoni. Skuadra e Armando Cungut koleksionoi suksesin e 6-t radhazi në kampionat brenda mureve mike pasi mposhti 1-0 Teutën falë një goli të Arjan Shetës, duke u ngjitur në kuotën e 57-të pikëve në klasifikimin e Kategorisë Superiore pas 31 javëve të para. Tashmë Laçi e shikon nga më pranë Partizanin që pozicionohet i 4-ti me vetëm 2 pikë më tepër.

Sfida në stadiumin e Laçit, nisi e qetë dhe pa raste të pastra shënimi. Në minutën e 13-të Xhejms pretendoi për një penallti por kryesori Durmishi lejoi vazhdimin e lojës. Për të parë një rast duhet pritur minuta e 27-të. Aldo Mitraj pas një inkursioni personal pati mundësinë për të kaluar kurbinasit në avantazh, por tentativa e sulmuesit të Laçit u ndal nga Rizvani. Vetëm pak sekonda më pas provoi edhe Sheta, por goditja e qendërmbrojtësit ishte e parrezikshme për portën e Rizvanit. Mundësia më e mirë për të kaluar Laçin në avantazh në pjesën e parë iu paraqit Valdano Nimanit në të 36-ën, por edhe pse ky fundit kombinoi në mënyrë perfekte me nigerianin Xhejms nuk arriti të mposhte dot portierin e Teutës, Rizvani.

Në minutën 45-të ishin miqtë nga Durrësi ata që provuan të kapnin në befasi Lacin, por Mirel Çota nuk i dha forcën e duhur topit për të vënë seriozisht në provë Moçkën. Pak sekonda më vonë rreziku kaloi në krahun tjetër, por Rizvani i tha edhe njëherë tjetër jo golit të Lacit duke dërguar në këndore një top të goditur fuqishëm nga Argjend Mustafa. Pjesa e parë përfundoi me rrjetat e paprekura ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me Laçin më kërkues. Në minutën 60-të besuarit e Armando Cungut arritën të zhbllokonin më në fund rezultatin me Arjan Shetën. Mbrojtësi i kurbinasve përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të menjëhershme theu rezistencën e Rizvanit duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Teuta nuk dëshironte të dilte pa pikë nga kjo përballje dhe me kalimin e minutave u përpoq të reagonte. Në të 67-n formacioni i Gentjan Begejës pati shansin më të mirë për të barazuar shifrat me të riun Klaudio Hyseni, por Shpëtim Moçka u shfaq edhe njëherë tjetër në lartësinë e duhur duke bërë një pritje fantastike pas goditjes me kokë të sulmuesit të Teutës.

4 minuta më pas provoi edhe Hoxhallari me një goditje nga distanca por pa rrezik për portën e Moçkës. Në të 83-ën ishte Stipe Buljan që kërkoi të bëhej protagonist por goditja e kapitenit të Laçit preku vetëm rrjetën e jashtme. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave deri në fund nuk ndryshoi më asgjë në rezultat dhe vërshëllima përfundimtare e arbitrit sigloi rezultatin 1-0 në favor të skuadrës vendase.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *