Një pasion i furishëm e intensiv, një dashuri mëse e fuqishme-nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të përshkruar emocionin dhe dinamikën e romancës midis Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.
Bukuria e Elizabeth Taylor, që karakterizohej nga sytë ngjyrë violë, do të ishte e pakohë dhe gjithmonë do të arrinte të tërhiqte vëmendjen e botës, përfshirë këtu dhe vëmendjen e aktorit tërheqës të Wellsit. Kurrë formalisht i shkolluar, por padyshim që është një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të XX. Mjaftoni të përmendni një emër, dhe instiktivisht do ju burojë në mendje emri tjetër. Pavarësisht se do shkruajmë për një romancë e cila nuk kishte fund të lumtur, sërish ngelet një romancë turbulluese dhe joshëse.

Takimi i tyre i parë do të ishte në setin e filmit “Kleopatra” në vitin 1961. Fillimisht marrëdhënia e tyre ishte e fshehtë, pasi që të dy ishin të martuar. Richard ishte marrosur kompletësisht pas aktores magjepsëse. Puthja e tyre e parë ndodhi teksa po realizohej një skenë për filmin, dhe sipas atyre që thuhen, kjo puthje ka zgjatur aq shumë sa që regjizori ka qenë i detyruar të bërtiste disa herë në mënyrë që të ndërpritej.

Ishte një romancë që nuk mund të shmangej dot, pavarësisht nga lajmërimet e miqve dhe reagimet e medieve.
“E dija se çfarë po bëja, duke dashur Richardin po gaboja, por nuk mund të bëja asgjë. Ishte një fakt që nuk mund ta shmangia dot.”-Elizabeth Taylor
Çifti u martua në mars të 1964, në një ceremoni të mbajtur në hotel “Ritz Carlton” në Montreal. Ceremonia ishte diçka tepër e thjeshtë duke u krahasuar me paraqitjen e këtij çifti kinematografik. Këtë mund ta shihni në fotot e mëposhtme, të cilat janë realizuar atë ditë.

Kjo romancë e stuhishme vazhdoi për dhjetë vite, me shumë zënka të mëdha publike por edhe me pajtime. I apasionuari Richard, shpesh herë, e përkedhelte bashkëshorten e tij të bukur me stoli tepër ekstravagante, shumica edhe të famshme në llojin e tyre, si përshembull një unazë diamanti, 70 karat dhe me një formë të përkryer “dardhe”. Më pas, kjo unazë mori emrin Diamanti Taylor Burton.

Gjatë viteve të tyre si të martuar, Richard shkroi 40 letra dashurie për Elizabeth, dhe madje thuhet që letrat zakonisht shkruheshin kur ajo gjendej në gjumë.
Adhurimi i tij dhe njohja ndaj poezisë është mëse e qartë në letrat e shkruara:
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht sytë e tu. Ju nuk e kuptoni, sigurisht, sesa përsosmërisht e bukur keni qenë gjithnjë dhe sa çuditshëm keni fituar një dashuri të shtuar, të veçantë dhe njëkohësisht të rrezikshme.”

Por, pavarësisht sesa romantikë qenë ata të dy karshi njëri-tjetrit, argumentet e vazhdueshme dhe temperamentet shpërthyese bënë që në korrik të 1973 të njoftonin vendimin e tyre të përbashkët për t’u ndarë.
Elizabeth u citua të thoshte: “Ndoshta e dashuronim shumë njëri-tjetrin.Nuk e besoja kurrë që diçka e tillë do ndodhte, lutuni për ne!”
Shkurorëzimi i tyre u finalizua në tetor të vitit 1974, por pavarësisht kësaj, zjarri i të së kaluarës nuk ishte shuar. Ato patën një ribashkim gjatë një darke në Zvicër , nga ku më pas dhe u rimartuan në tetor të 1975, në Botsvana. Kjo martesë e dytë do të zgjaste vetëm 10 muaj.
“E dua Richardin me çdo fibër të shpirtit tim, por nuk mund të jemi sëbashku. Ne jemi shumë vetshkatërrues reciprokisht.”
Elizabeta dhe Richard kurrë nuk u rimartuan përsëri por e ruajtën dashurinë, gjë që ishte mëse e dukshme sa herë që përmendnin emrin e njëri-tjetrit.

Richard vdiq tragjikisht në vitin 1984 .
“I vëmendshëm, i dashur-ky ishte Richard. Lidhja me të vazhdoi derisa ai dha frymën e fundit. Në zemrën time, gjithmonë do besoj se do të ishim martuar për herë të tretë, dhe se kjo herë do të ishte e fundit. Nga ato momente të para në Romë, ne do të ishim gjithmonë çmendurisht të dashuruar.” –Elizabeth Taylor
“Unë u dashurova me të menjëherë. Ajo ishte si një mirazh i bukurisë së të gjitha kohrave, e papërmbajtshme, si një tërheqje e gravitetit .Ajo ka gjithçka që unë dua tek një grua.” –Richard Burton
Pasioni i dukshëm i këtij çifti emocional ende kuriozon ata të cilët e lexojnë historinë e tyre pas 30 vitesh. Për ironi, ishte pikërisht pasioni dhe nevoja e tmerrshme që kishin për njëri-tjetrin që nuk do t’i lejonte të qëndronin sëbashku…

Për ta përmbyllur, ishte thjesht shumë intensive. Por, pavarësisht se nuk mbaron me “jetuan të lumtur përgjithmonë”, ngelet një ndër romancat më të zjarrta kinematografike.
s.a/dita

flake fare ♥