Kur Uilliam Hezlit dëgjoi për rezultatin e betejës së Vaterlosë, kjo e zhyti shkrimtarin më të madh anglez të kohës së tij, në një dëshpërim të tillë, saqë shkoi të pijë dhe të bëhet tapë. Hakmarrja e tij ishte një biografi e palexueshme, disavëllimëshe e Napoleonit, e cila e varroste Perandorin përfundimisht. Edhe mes atyre që urrenin fitimtarët reaksionarë, më shumë se sa despotin perandorak, Hezlit ishte një pakicë.
Për republikanin radikal Shellej, Napoleoni revolucionar ishte shndërruar thjeshtë në një tjetër monark vulgar. Kur Bethoveni dëgjoi se napoleoni e kishte shpallur veten Perandor, ai grisi faqen e vogël të “Eroica”, e cila i ishte dedikuar “Buonaparte”-s, duke thënë: “Pra, ai nuk është asgjë më shumë se sa një i vdekshëm i zakonshëm. Tani ai do të shkelë me këmbë të drejtat e njeriut, do të përkëdhelë ambicien e tij”.
Megjithatë, sado shtiza të jenë ngulur në zemrën e legjendës së Napoleonit, ajo është e vështirë që të vdesë. Imazhi i gjeniut ushtarak, administratorit të madh që ribëri Europën, duke e përshtatur atë me epokën moderne, vazhdon të jetojë. Për të prodhohen programe televizivë, dhe të shumtë janë ata që e konsiderojnë pikërisht si udhëheqësin që i mungon Europës, në këto kohë të mbushur me kriza.
Silvi Berman, ambasadorja e Francës në Mbretërinë e Bashkuar, tha kohët e fundit se nëse Napoleoni do të ishte gjallë sot, ai do të kishte luftuar për ruajtjen e BE, përderisa ai udhëhiqej gjithmnë nga ëndrra e një “Europe të bashkuar”.
Po – nëse ideja jote e Europës së bashkuar është një “filial” i një dinastie ushtarake, me vëllezërit dhe marshallët e ndryshëm në frone; një perandori e madhe autokratike, e drejtuar nga burokratë dhe nga barrakat e ushtrisë, të gjithë të financuar nga “dëmshpërblimet” që u imponohen të mundurve, si faturë për “çlirimin” e tyre; kryeveprat e tua – Rubensi, Veroneze, Titiani – të dërguara të gjitha në “Louvre” në Paris, i vetmi qytet i përshtatshëm për të qenë kryeqvteti kulturor i botës; ushtria jote që marshon drejt një kasaphane në dëborat e Rusisë, apo në tokat e djegura të Spanjës, me një të ngritur të gishtit të Perandorit. Që Napoleoni, që supozohet se ofroi liri dhe barazi, të gjitha të mbështjella me flamurin tringjyrësh, ishte armiku i vdekshëm i lirisë, për këtë nuk mund të ketë debat. Kur, në vitin 1799, gjenerali 30-vjeçar erdhi në pushtet përmes grushtit të 18 Brumaire, kishte 70 gazeta në Paris.
Bonaparti tha se kishte nevojë vetëm për një – “Moniteur”, mjeti zyrtar i propagandës së tij – dhe mbylli të gjitha, përveç një grupi që i lëpiheshin atij vetë. Policët dhe spiunët e tij ishin kudo, duke e zbehur jetën kulturore të Parisit. Teatrot mbylleshin në momentin që guxonin të vinin në skenë çdo gjë që shihej si kritike ndaj regjimit. Parisi i Napoleonit ishte një shfaqje për arkitekturë madhështore, por ishte në të njëjtën kohë varreza e artit dhe ideve të pavarura. Ah, thonë Napoleonomanët, libria duhej të vdiste, me qëllim që të jetonte barazia. Gjithmonë nëse nuk ishe i zi, apo grua. Në vitin 1802, napoleoni risolli në fuqi skllavërinë; dy vjet më vonë, ai zhbëri një prej arritjeve më të mëdha të revolucionit: divorcin përmes miratimit të ndërsjellë. Kodi Civil i bëri gratë më shumë të burgosura të bashkëshorteve të tyre, se sa në regjimin e vjetër. Ato nuk kishin më asnjë të drejtë për pronësinë në martesë, dhe u duhej të kërkonin lejen e bashkëshortëve për të dëshmuar në procese gjvqësore.
Perandoria ishte reaksionare nga pikëpamja sociale. Ajo rivendosi Kishën Katolike, dhe afroi cilindo prej aristokracisë së vjetër që ishte gati të mbështeste autokracinë. I mbajti karrierat të hapura për talentin, por kulmi i gjithçkaje – pasurisë, statusit, nderit – ishte ushtria. Napoleoni e vendosi tonin në prag të fushatës së tij të parë në Itali, kur tingëlloi si një shef piratësh, tek premtonte plaçkë: “Ushtarë, ju jeni të veshur keq, të paguar keq, unë do t’ju udhëheq në fushat më të pasura të botës, ku ndodhen gjithë lavdia dhe pasuria juaj”.
Mllitarizimi u përhap si helm në shoqërinë franceze. Arsimi, i cili ishte modernizuar në mënyrë frymëzuese nga Revolucioni, iu dorëzua uniformitetit absolut të kurikulumit dhe kultit të uniformës. Studentët thirreshin në klasa përmes rënies së daulleve.
Kështu që, kur ambasadorja franceze imagjinoi që Napoleoni dhe regjimi i tij ishin një lloj modeli për BE, ajo padashur vuri gishtin aty ku është problemi. Sepse zakonet e centralizimit burokratik dhe superioriteti ip adiskutuar i elitave administrative nuk vdesin kollaj. Napoleoni lëvizi nëpër Europë, duke shkartisur kufij dhe shtete, duke harruar historitë, traditat, gjuhët, zakonet dhe ndjenjat që ishin pulsi i ngrohtë i komunitetit kombëtar.
Natyrisht, nacionalizmi ka potencialin që të bëhet po aq i rrezikshëm sa despotizmi burokratik kur bëhet fisnor, i ngushtë dhe ksenofob.
Por duhet të ketë një farë hapësire frymëmarrje për ndjenjat kombëtare në brendësi të kafazit të menaxhimit kapitalist, atij pra që është bërë Europa institucionale sot. Joshja e kësaj Europës tjetër, atë të një familje të kombeve – ndonjëherë në harmoni, shpesh herë në mosmarrëveshje – do ta kishin lënë Napoleonin të painteresuar. Ai do të kish përcjellë thjeshtë me një mbledhje të supeve, problemet financiare të dikujt tjetër, apo spektaklin e tmerrshëm të varkave me imigrantë. Por sërish, kishte diçka jo njerëzore në shkëlqimin e tij.
Ndoshta Chateaubriand-i e tha në mënyrë shumë njerëzore kur, duke përbuzur romancën e despotit, ai u ankua se “kanë ikur vuajtësit dhe mallkimet e viktimave, thirrjet e dhimbjes”. Gjë që është arsyeja përse duhet ngritur një gotë dhe një dolli, 200 vjet pas Vaterlosë. FT-Bota.al

Kendveshtrim tipik anglez.