Në 72 orët e fundit është përcjellë me bujë një marrëveshje e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie amerikane, e quajtur “Patton Boggs”. Informacionet në lidhje me këtë kontratë të re u përqëndruan kryesisht tek fakti se qeveria nëpërmjet pareve të taksapaguesve po angazhonte një kompani ndërkombëtare që të performonte më mirë imazhin e Partisë Demokratike në pushtet vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve. Por kompania amerikane “Patton Boggs” nëse i referohesh kontratave dhe “detyrave” që i ka dhënë qeveria shqiptare vitet e fundit duket më shumë si një kompani së cilës qeveritarët shqiptarë i besojnë të gjitha proceset më të rëndësishme, a thua se është “ministria e lobimit dhe konsulencës” të shqiptarëve. Në kontratën e fundit të nënshkruar me këtë kompani nuk publikohet vlera e pagesës për këtë shërbim, por disa të dhëna sugjerojnë se “Patton Boggs” ka marrë dhe në vitin 2010 plot 15 pagesa nga qeveria shqiptare për të lobuar pranë ministrive kryesore amerikane, por edhe pranë senatorëve e kongresmenëve. Në total janë 825 mijë dollarë të taksapaguesve shqiptarë që kanë shkuar për këtë kompani në një vit. Patton Boggs ka lobuar pranë senatores Jeanne Shaheen për Shqipërinë, si dhe pranë Alcee Hastings, që drejton një komitet me shumë rëndësi për Shqipërinë, Komisioni për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë. Por kontratat e lobimit pranë institucioneve amerikane janë njëra anë e medaljes, pasi tjetra është angazhimi i kësaj kompanie konsulence në disa nga privatizimet më delikate dhe më të rëndësishme të kryera në 5-vjeçarin e fundit, por edhe angazhimi i kompanisë në procesin gjyqësor që pritet të nisë në Gjykatën Arbitrazhit, ku mes kompanisë së përzënë CEZ dhe qeverisë shqiptare.
ARMO
Ndër privatizimet ku “Patton Boggs” ka dhënë konsulencën e saj janë më të rëndësishmet privatizimi i ARMO-s dhe ai i Albpetrol-it. Të dyja në fushën e energjitikës, të dyja me shumë të panjohura gjatë dhe pas procesit të privatizimit. Le të sjellim ndërmend fillimisht privatizimin e kompanisë ARMO. Kur nisi hapja e ofertave të tenderit na u tha se fitues ishte një konsorcium amerikano-zviceran. Në fakt më vonë rezultoi se kompania teksane dhe ajo zvicerane pasi u shpallën fituese shitën shpejt e shpejt aksionet e tyre te biznesmeni shqiptar Rezart Taçi dhe ikën e panë hallin e tyre. Më tej ndodhi skandali tjetër me këtë privatizim, duheshin depozituar lekët , ose më saktë duheshin depozituar milionat e eurove nga fituesi. Ishin plot 75 milionë euro që duheshin derdhur në arkën e shtetit fill pasi parlamenti i shqipërisë ratifikoi kontratën për shitjen e kompanisë ARMO. Kjo pagesë u vonua 3 muaj, e në krye të tre muajve ndodhi ajo që pak kush mund ta kishte menduar. Rezart Taçi mori një kredi në bankën “Credins” në vlerën e 75 milionë eurove duke lënë si kolateral kompaninë e sapoprivatizuar “ARMO” ndërsa vetë banka doli garante tek Banka Shtetërore e Azerbajxhanit prej së cilës erdhën dhe lekët e shumëpritura në Shqipëri.Vetëm 5 muaj më parë banka azere hodhi në gjyq Rezart Taçin dhe Credins dhe kërkonte kthimin e shumës por palët u lidhën në një marrëveshje provizore dhe Taçi u hodh në sulm për të privatizuar dhe “Albpetrol”-in. Po si është e mundur që në privatizimin e rafinerisë së vetme në vend lekët u gjetën duke dalë e duke i kërkuar në pazar? “Patton Boggs” ishte kompania e paguar nga qeveria dhe qytetarët shqiptarë për të dhënë të gjitha garancitë se ai ose ata që do të privatizonin ARMO-n jo vetëm që duhej t’i kishin lekët me vete, por edhe kapacitetet për ta zhvilluar atë ndërrmarje. Por jo, nuk ndodhi, “Patton Boggs” jo vetëm që nuk i dha këto garanci për ARMO-n, por kaloi edhe më tej cakun, në historinë spektakolare të privatizimit me “lekët kur ti kem” të Albpetrolit.
Albpetrol
Sërish një privatizim strategjik, sërish “Patton Boggs” që konsulon, e sërish Taçi që fiton, e sërish lekët që nuk duken. Rasti i ARMO-s u përsërit dhe me ndërrmarjen më të madhe shqiptare “Albanian Petroleum”, ose e njohur si “Albpetroli”. Skenari ishte thuajse i njëjtë, oferta më e kuotuar sigurisht që do vinte nga një “kompani simotër amerikane” e pas shpalljes së fituesit kompania simotër do ikte të shikonte hallin andej nga kishte ardhur dhe në konferencë për shtyp do dilte Rezart Taçi që do rikonfirmonte edhe njëherë fitoren e vetë. Garancia e sigurimit të ofertës në tender prej 10 përqind , e as 20 përqindëshi i ofertës fituese nuk u paguan. Në fakt janë në total 280 milionë euro që duhen paguar(vetëm si fazë e garancive) nga totali prej 850 milionë euro që firma fituese “Vetro” e Rezart Taçit ofroi për “Albpetrol”-in. Asnjë qindarkë nuk rezulton e paguar, por në rastin e “Albpetrol” të paktën kemi një deklaratë të një eksperti të kompanisë konsulente “Patton Boggs”. David Farber, dy muaj më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës i pyetur nëse kompania fituese e Rezart Taçit i kishte lekët apo jo dha një përgjigje që i habiti të gjithë. Ai konkretisht tha: “Çështja këtu është se si kanë ndërmend ata ta financojnë këtë marrëveshje, pra nëse i kanë paratë në dorë, apo do t’i marrin hua. Kjo varet krejtësisht prej tyre (‘Vetro’-s). Si konsulent i ministrisë, nuk dua të shpreh hamendje se çfarë synimesh ka konsorciumi. Nuk e di, sepse është punë e tyre se si do të vendosin, se si do ta financojnë marrëveshjen. Pra, nëse do t’i marrin paratë borxh, do t’i gjejnë paratë në ndonjë mënyrë tjetër, apo do t’i marrin nga llogaria e tyre bankare. Kjo do të varet nga konsorciumi dhe nuk është çështje e ministrisë”, thotë konsulenti Faber.Pra konsulenti i qeverisë që duhej të kishte dhënë garancitë për kapacitetet e likujdimit të shumës nga kompania fituese qënë fazën edorëzimit të dokumenteve në tender thotë “pas pilafit” se çështjen se si do gjenden lekët e financimit ja kanë lënë rezart Taçit në dorë që ta vendosë. Por përveç papërgjegjshmërisë së treguar në realizimin e këtij tenderi, kompania “Patton Boggs” ka dhe një problem gati ligjor me çështjen e garancisë së ofertës. Rezart Taçi, solli si garanci të ofertës prej 85 milionë euro një çek të lëshuar nga një bankë amerikane. Por kjo e fundit më pas është shprehur se nuk ishte përfshirë fare në këtë transaksion. Në këto kushte lind pyetja: “A e ka verifikuar Patton Boggs garancinë e dorëzuar në emrin e bankës amerikane? Kush mban përgjegjësi për këtë “problem” me këto dokumente dhe mospagimin e shumës së garancisë fillestare prej 85 milionë euro?