Një histori nga Qafa e Sqepurit

Leda Hysa

 

Qemal Koxhaj

Qafa e Sqepurit, emri i së cilës do të përbënte një fushë hulumtimesh të posaçme, sikur është  vendosur aty nga vetë natyra për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve të mirë. Atyre që dinë të marrin prej tokës mëmë më të mirat e saj për të siguruar jetën e lirë , jetën e patrazuar të ngjizur me djersë e gjak, atyre që luftojnë për liri e drejtësi. Ajo qafë, vetëm se nuk ka gojë, se po të kishte , do të mbusheshin libra të tërë me rrëfimet e saj për ngjarjet  e rënda  që kanë kushtuar gjak, ndodhitë e bukura që kanë lënë gjurmë mirësie si dhe të tjera që kanë brenda edhe humor,ngjarje pa fillim e mbarim që vetëm rrjedhin e rrjedhin…

Ajo është një pikë kulmore e një terreni kodrinor, nga ku jo vetëm mund të vrojtohet  miku apo kundërshtari, por mund të  kontrollosh edhe pozicionin e vetes tënde; është një nyje lidhëse midis dy zonave të gjera ku janë të detyruar të kalojnë, kur i thonë  fjalës,  i miri e i ligu.

Gojëdhënat e shekullit kanë sjellë deri te ditët tona të ruajtur të pastër dy nga të shumtat ngjarje, që përbëjnë një copëz të eposit luftarak të madh të popullit të  krahinës së Mallakastrës për liri e pavarësi.

Kur po  kthehej nga Berati me dhurata e ofiqe të rënda Shaban bej Peshtani u gjend befas në pusinë e kryengritësve mallakastriotë pikërisht këtu te Qafa e Sqepurit. Ka qënë viti 1848. E pa pisk punën beu kur u ndodh para atyre trupave azganë që ishin gati t’ia bënin gjyqin në vend, pa një pa dy. Ishin trimat nga Çeta e Mallakastrës së Sipërme Sulo Zeneli, Rrapo Toraj, Like Zeqo,Lulo Duraj. Ndaj  dhe u kërkoi mëshirë  luftëtarëve, një pjese të të cilëve ua kish dëgjuar krismën e dyfekut dhe ua njihte mprehtësinë e mendjes. U ofroi luftëtarëve  të lirisë  edhe  sasi të madhe floriri. Tradhtari kriminel pandehte se me një grusht  monedhash  të  vjedhura nga djersa e punës së fshatarëve, do të blinte  shpirtin e trimave kryengritës e ata do të ndërronin  mendim. E kujt pa,atyre që  nuk i shihnin dot me sy e jo më të  duronin,as pushtuesin osman e as tradhtarët vendas!

Po Sulo Zeneli, duke e vështruar me përçmim, aty për aty,  i qe përgjigjur:

Dëgjo këtu ti efendi,

Me ato që ke bërë ti

I thonë puro tradhëti

Na ke vrarë shumë rini

Kushdi sa nëna le në zi”

Me të djathtën nxjerr nga brezi koburen e pastaj koburen tjetër  me të majtën dhe e lë të shtrirë  për tokë beun tradhtar.

***

Më  10 mars 1848 një nga kriminelët më të damkosur, Mustafa bej Tepelena shkonte në Berat.Edhe ai ish i detyruar që të kalonte nga Qafa e Sqepurit. Por ç’e do se nuk arriti dot deri atje! Luftëtari Rrapo Toraj i zë pritë  te” Bregu i Pusit” afër lagjes Hadëraj, më të dalë të Greshicës pa u nisur fare drejt Qafës së Sqepurit,ku ai ishte i detyruar të kalonte. Ishte urdhri i kryekapedanit Rrapo Hekali, për ta asgjësuar atë tradhtar të interesave jetike të bashkatdhetarëve të vet. Për pusi e trimëri shqiptarët kanë qenë  e janë të aftë si pakkush tjetër. I ka bërë terreni,  rrethanat ekonomike dhe  historia  me lëmshet e saj të  ngatërruar midis pushtuesve të  huaj e të panumërt nga njëra anë dhe  ndjenjës për të mos u nënshtruar  të banorëve të trevave ilirike, nga ana tjetër.

Me pak pjesëtarë të çetës së Greshicës, në këtë pusi  u vranë të tridhjetë nizamët, zabitët e suvarinjtë që shoqëronin beun, kurse vetë Mustafa beu i plagosur mundi të zvarritej e të futej në pyllin ku bënin dru gratë e Hadërajve. Ai ra në dorë të grave trimëresha. Bajamja e xha Nuros, sa e pa  e njohu. Ajo ia njihte mizoritë që kish bërë ky kriminel. Në çast i dolën para syve dy djemtë e saj të vrarë, Suloja dhe Elmazi. Vërtetë ata u vranë nga pushtuesit osmanllinj, por pas tyre fshihej dora e këtij  katili. Ajo,me gjithëse e dinte urdhërin e kryekapedanit për trajtimin e robërve,  nuk mundi të përmbahej. Është ndjenja sublime e shpirtit me thellësi oqeanike të një nëne që për gjakun e djemve nuk pyet për asgjë, nuk merr parasysh asnjë rrethanë e asnjë pengesë… I sulet me sëpatë dhe e lë të vdekur.

Kështu Mustafa beu nuk mundi t’i gëzonte dhuratat e fermanet që pashai i madh i kishte sjellë prej Manastirit e që ai ish nisur t’i merrte në Berat duke kaluar nga Qafa e Sqepurit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *