Nga Pëllumb Vreka
Kjo histori filloi si tek filmi: “Telefoni i atij mëngjesi”, dhe tek ne në Shkollën e Përgatitjes së Kuadrove Rezervistë, ra telefoni i oficerit të rojes dhe aty u gjend nënoficeri Bajram Haxhia, një kuadër i jashtëzakonshëm, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga komunikimi me kolegët, i papërtuar e kurdoherë buzagas. Iku nga kjo botë i ri.
Me një frymë Bajrami vjen në zyrën, ku unë po punoja një stendë emulacioni dhe më thotë:
-Pëllumb, urgjent! Lere punën e shko në division! Të pret Sekretari i Komitetit të Partisë, shoku Dedë Gjergji!
Edhe ky një burrë babaxhan e buzagas.
Rrugës, po mendoja, përse të më kërkojë vallë! Duhet të jetë ndonjë detyrë shumë e veçantë, që do të më jepet, sepse cilado qoftë, duhet të shkëputesha nga puna në Bankë, ku punoja për disenjimin e kartmonedhës së parë shqiptare, ku me porosi të Byrosë Politike dhe që kisha tre vjet i angazhuar.
Arrita në Divizion dhe u paraqita tek oficeri i rojes, i cili e dinte, që po vija dhe më dërgoi me një shoqërues në zyrën e Dedë Gjergjit.
Pasi e nderova, – ulu!-më tha, se kam një detyrë të veçantë për ty!
Së pari: Me se je duke u marrë në shkollë, se ti sikur je urdhëruar të punosh në Bankën e Shtetit?
E po, me mirëkuptim, shoku Dedë, me Komandantin e Shkollës, sepse unë marr rrogën atje! Jam shkëputur për tre-katër ditë, për disa stenda emulacioni.
-Mirë shumë!-tha Deda. Tani dëgjo me vëmendje:
Nesër nga ora nëntë, do të jesh në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sepse të pret shoku Rita Marko. (Në atë kohë Rita Marko ishte Anëtar i Byrosë Politike), por për çdo gjë, nuk do të bisedosh me asnjë! Në rregull djalë!
-Në rregull!-u përgjigja.
Më përcolli deri tek dera e zyrës, e pasi më rrahu shpullat, tha prapë:
-Suksese dhe mos shko ushtarak! Kuptove?
Dola nga zyra dhe e mbajta frymën në shtëpi. Të nesërmen, pasi u vesha me kostum e me kravatë, i kapardisur u paraqita tek porta e Presidiumit fiks në orën e caktuar.
Punonjësi civil (gradist), kish dijeni dhe sapo u afrova, më tha:
-Juve jeni ai piktori?
-Po!-i thashë unë. I tëri!
Qeshi dhe pastaj tha:
-Eja brenda!
Më shoqëroi deri tek paradhomat e zyrës së Rita Markos dhe i tha sekretares::
-Ky është ai, që ka kërkuar shoku Kryetar!
Sekretarja, pas një telefonate, hapi derën dhe më tha:
-Urdhëroni brenda!
Në krye të zyrës, goxha e madhe, pranë tavolinës së punës, qëndronte në këmbë Rita Marko.
-Eja, more djalë!-më tha.
-Ulu këtu tek karrikja e parë! (afër tavolinës së punës). Dhe pasi u ul, filloi:
-Kam biseduar me Ministrin e Mbrojtjes për ty dhe më ka thënë fjalë të mira, se je i zoti në pikturimin e parave, të gradave, të uniformave, të muzeumeve e deri tek dosjet Komando-Shtabi të Divizionit. Apo nuk është kështu?
-Fiks fare!-u përgjigja unë i ngrefosur.
Helbete! Bisedoja kokë më kokë me një Anëtar të Byrosë Politike, perpos, ja me një anëtar dosido, por nga më të vjetrit.
-Tani të futemi në temën, përse të kam thirrur! Ka një mendim nga shokët e Byrosë, se shoku Enver mund të vishet ushtarak, me rastin e dyzet vjetorit të ushtrisë, prandaj mendojmë të përgatisim një palë dekorata, shirit, jo dekorata që varen! Ato i kemi me kile, këtu në Presidium.
-Patjetër!-i thashë unë. Ne në ushtri kemi një repart të posaçëm për prodhimin e dekoratave me porosi, në bazë sasie, që ka çdo ushtarak.
Në Bashkimin Sovjetik, dekoratat i bënin me veshje të ngjyrosur, sipas dekoratave dhe i vishnin me plastmas, përsipër me hark.
(Një sqarim: NATO-ja, praktikon dekorata shirit të prodhuara me veshje të sfondit të rrafshët me penj muline të ngjyrosura sipas ngjyrës së dekoratës. Ne për estetikë prodhuam dekorata me pleksiglas, gjysëm sferik, të lyer nga mbrapa me ngjyrat e dekoratës, e kapur në llamarinë xingato me kapse.)
-Bukur!-tha Rita. Atëhere të përgatisim një palë për shokun Enver.
-Sa ditë duhen për këtë proces?
-4 ditë!-i thashë unë.
-Dakord!-më tha. Këto katër ditë do të kesh një makinë në dispozicion e një shofer për të lëvizur. Makina të pret poshtë, tek hyrja e Presidiumit! Hajt, punë e mbarë! Dhe dëgjo! Qaji, se janë për shokun Enver!
-Pa merak!-i thashë. Më të bukura se të Europës!
Dhe u nisa për të dalë. Pa vajtur tek dera, Rita thirri:
-Po prit, more djalë! Haruam fare! Po ne nuk e dimë, se dekorata e çfarë lloji?
-Shoku Enver! (ulu, ulu e prit pak!).
I ra telefonit dhe dha porosinë për të sjellë listën e dekoratave, që kërkonim.
Pastaj porosit sekretarin për një kafe për mua, sa të vinte lista. Pas ndonja dhjetë minutash, erdhi lista e shumëpritur. Kefenë e kisha pirë. Më dha listën, pasi e pa dhe më uroi edhe njëherë:
-Punë të mbarë!
Dola në oborrin e Presidiumit, i shoqëruar nga një gardist (civil), i cili më çoi tek makina dhe i tha shoferit, siç të thashë:
-Ky është personi, që do t’i rrish në dispozicion!
-Si urdhëroni!-tha shoferi.
U nisëm, arrita tek shtëpia ime dhe i thashë shoferit:
-Ik tani! Je i lirë dhe do të vish pas tre ditësh, po këtu në orën …!
Fillova nga puna. Bazën materiale të parapërgatitur e kisha në shtëpi, kështu që m’u desh vetëm të ngjyrosja shiritat e t’i montoja në llamarinën me kapse.
Pas tre ditësh, dekoratat i kisha gati. Erdhi shoferi e pasi u përshëndetëm, u nisëm drejt Presidiumit.
Kur arritëm, u kryen formalitetet e komunikimit, nëse Rita Marko, ishte i lirë, apo jo!
Fatmirësisht, ai ishte i lirë. U takuam dhe i dhashë dekoratat.
-Shumë, shumë të bukura! Të lumshin duart! Pa le si shkëlqejnë! Do të thërras Sokolin (Hoxha) dhe t’ia çoj shokut Enver.
Pas katër a pesë ditësh më merr, një pasdite Sokoli në telefon në shtëpi dhe më dërgoi përgëzimet e të jatit për punën.
Rita Marko pas këtij vazhdoi:
-More Pëllumb!-tha Rita. Je që je, sikur të të jap edhe një detyrë tjetër, po nuk e di, a do e bësh dot?
-Më thuaj!-i thashë. Unë i gatshëm jam.
-Shiko!-më tha. Shoku Haxhi Lleshi është për vizitë mjekësore në Paris dhe neve na duhet të shpërndajmë nja dyzet apo pesëdhjetë dekorata, që varen, por ato janë të shoqëruara, përveç kutisë së kuqe edhe me një dokument të shkruar me dy kapakë të kuq, të firmosura nga shoku Haxhi.
Tani shokun Haxhi nuk e kemi, a mundesh ti të bësh firmën e shokut Haxhi, origjinale, si firma e tij?
-Ta shoh, njëherë!-shoku Kryetar. Pastaj të të jap mendim.
Sollën një kapak dysh të kuq me tekstin brenda, se kujt i dedikohej ajo lloj decorate dhe e firmosur me firmën e Haxhi Lleshit. Fatmirësisht, firma e Haxhi Lleshit, nuk ishte nga ato shkarravinat, që bëjnë zakonisht njerëzit me përdredhje e me harqe.
Ajo ishte e thjeshtë: Haxhi Lleshi, i hedhur pjertazi nga e majta, lart djathtas me një kaligrafi, jashtëzakonisht të bukur, ashtu si disa dokumente të viteve njëmijë e nëntëqind e njëzetë e kusur, të shkruara nga nënpunësit e asaj kohe, që i kemi zili dhe sot, se sa kaligrafi të bukur kanë përdorur.
Nejse, ramë dakort të merrja me vete pesëdhjetë kapakët e kuq dhe i premtova, që pas dy ditësh, i ka në tavolinë. Pas dy ditësh, i solla dosjet dhe pasi i krahasoi me atë kopjen origjinale tha:
-Fantastike! Edhe shoku Haxhi nuk do ta dallonte, që ishte firma e tij, apo jo?!
Pasi më qerasi me një kafe, më përcolli e më tha tek dera:
-Për çdo rast, po të keshë nevojë për diçka, eja më njofto! Me kënaqësi do të të pres, sepse qenke djalë i talentuar!
Dola e shkova në shtëpi.
Për humor e seriozitet, po kujtoj këtu, që të nesërmen duhej të paraqitesha në shkollë, të vazhdoja stendat e lëna përgjysëm. Kisha munguar pa adresë, plot pesë ditë. Siç thashë u paraqita në shkollë dhe ishim të rreshtuar së bashku me rezervistat, komandanti i shkollës(V.T.). Sapo më pa në rresht tha:
-Rezervistat në klasë, kurse oficerët në zyrën time!
Aq ishim, pak, nuk ishte ndonjë shkollë kushedi sa e madhe.
U futëm, në klasë dhe pasi u ul në krye të tavolinës së tij tha:
-Pa çohu, ti shoku Pëllumb, ku ke qenë pesë ditë, pa vënë në dijeni e pa marrë leje në komandë?
-Kam patur një detyrë një detyrë të veçantë!-i thashë, siç më porositi dhe Dedë Gjergji).
-Çfarë detyre qenka kjo? Këto pesë ditë i ke të prera nga rroga. Ulu!
-Jo, nuk ulem!-i thashë. Nuk ke të drejtë, sepse kam qenë i angazhuar me detyra të veçanta!
-Ulu, more! Po na jep edhe mend!
-Dakord!-i thashë. Preji, por dije ama, se unë të heq nga detyra!
Oficerët shtangën, siç shtangen të gjithë kalamajtë hajdutë të Oliver Tuistit, kur ai kërkoi edhe një tas supë tjetër…..
-Përsërite!-tha -V. Se më duket se nuk je në vete.
-Po!-i thashë. Do ta them prapë. Të heq nga detyra, që ke! (kuptohet, unë flisja serbes, se isha i ngrohtë afër kupolës).
-Ashtu!-tha. Do e shohim. Oficerët të vazhdojnë mësimin, ti je i pezulluar!-dhe doli përjashta duke turfulluar nëpër dhëmbë, i hipi makinës dhe u largua.(me siguri në Komandën e Divizionit).
Të nesërmen, në mëngjes, u paraqita përsëri në punë, si zakonisht. Tek dera më priste fantazma Bajram Haxhia.
-Eja pak këtu!-më tha. Shko tek klubi i repartit, se të pret komandanti V.T!
Shkova te klubi i repartit dhe në njërën prej tavolinave(tavolina që shërbehej në këmbë) shoh komandantin V.T. me dy pjata përpara, me salçiçe, djathë, panine e dy shishe birrë.
-Hajde!-më tha. Të festojmë! Po ti thuaj, o derëbardhë, që ke qenë atje lart!
Këtu mori fund incidenti. Por Deda më tha, të nesërmen, kur pinim kafe tek lokali pranë shtëpisë së tij tek “Tregu Çam”, se ç’kish ndodhur me V.T.
Ky, siç i hipi makinës, kish shkuar drejt e në Divizion dhe kish takuar Komandantin DH.G. i cili i kish thënë::
-Pyet Sekretarin e Partisë, shokun Dedë!
Shkon tek dera dhe i thotë:
-Kështu e ashtu, i thashë e më tha, tani, o unë, o ai në shkollë!
-Avash, avash!-i tha Deda. Ai Pëllumbi ka të drejtë, sepse ato pesë ditë, ai ka qenë në dispozicion të Kuvendit të Shqipërisë, direkt nga shoku Rita Marko dhe po më mori mua në telefon, shoku Rita e të më thotë:
-Ç’e ke atë G…. që ke atje tek shkolla? Shkurt unë të hoqa! Prandaj me atë djalin mbaje mirë këtej e tutje.
Kështu përfundoi incidenti humoristik me komandantin V.T. një burrë zotni.
Pasi mbarova stendat në shkollë, V. më tha:
-Tani besoj do shkosh të vazhdosh punën në Bankë, apo jo?
-Po!-i thashë.
-Këtu ti i mbarove punët! … që të kalosh këtej, të pimë nga një birrë.
-Patjetër!- i thashë.
Fillova punën, që kisha lënë në Bankë, për dizenjimin e prodhimin e kartmonedhës së parë në vend.(me forcat tona, siç thoshte Partia).
Pas një muaj më thërret në zyrë, Haki Toska, Anëtar i Byrosë Politike, siç kam shkruar edhe më parë, ai ishte i atashuar në Bankë si kontrollues i veprimeve strategjike bankare, pasi dihet edhe financat ato vite, 1984, nuk ishin fort të mira.
Pasi u përshëndetëm me Hakiun, kisha të tjera konfindenca, krahasuar me Rita Markon. U ula dhe pimë nga një kafe.
-Ç’po shkruan, shoku Haki? Se shoh në tavolinë letra të bardha të shkruara si ndonjë referat!-e pyeta.
-Po shkruaj një libër për Çamët!-më tha.
-E po mirë!-i thashë. Duhet të keshë kujtime të bukura!
-More Pëllumb!-vijoi ai. Nuk të kam pyetur, si është situata në popull, se ti ke dijeni mirë për këtë?
-Shoku Haki!-i thashë Ne të dy jemi miq. Unë kam qenë edhe në shtëpinë tënde. Për këtë pyetje, do një përgjigje drejt për drejt, apo e do me dredha? Si thua, pa qefmbetje?
-Jo, jo, e dua drejt, sido që të jetë! Nuk do më mbetet hatri. E di, që do të më thuash të drejtën.
-Epo,-i thashë. –të zësh rradhën në dymbëdhjetë të natës për dy litra qumësht dhe të ndodhë të mos arrish të marrësh, besoj e kupton vetë?
-Po mor, po e kuptoj! Por ama duhet ta dish që mbas çlirimit, ne nuk kishim qumësht fare!
-Kuptova!-iu përgjigja.
-Tani të kam thirrur, se siç e ke marrë vesh edhe ti, ka një mendim, se shoku Enver, mund të vishet ushtarak, me rastin e dyzetvjetorit të ushtrisë. Me sa kam parë unë, tek ato qindra modele kartmonedhash, që ke bërë ti, ke patur edhe një kartmonedhë me idenë se mund të vendosje fotografinë e shokut Enver, si shumë udhëheqës botërorë.
Kështu që do të përgatitësh, duke përdorur gjithë talentin tënd, dy kartmonedha, pesëqind lekëshe, ndryshe nga prodhimi kinez i vitit 1964 dhe i vitit 1976.
Ne kishim filluar të modelonim kartmonedhë me vlerë pesëqind lekëshe edhe për kursim letre, por edhe për grumbullim të pakët të lekëve nëpër duar, ku njëra të paraqesë shokun Enver të veshur ushtarak si gjeneralisim dhe tjetra me fotografi normale. Kuptohet fotografitë do të kenë pamje të veçanta, si nga ngjyra, pozicioni, por edhe vetë fytyra e shokut Enver të jetë e qeshur.
Këtë detyrë nuk duhet ta marrë vesh njeri në Bankë. (Për këtë, për të evituar hyrjen e kuriozëve në Bankë, më pajisën me një autorizim të veçantë, që të punoja edhe pasdite, kur kish mbaruar orari zyrtar).
-Edhe diçka tjetër!-vazhdoi Hakiu. Kur t’i mbarosh do m’i sjellësh mua në zyrë. Shkrije talentin! Nuk dua të ndodhë, që shoku Enver të më bëjë vërejtje! Kuptove?!
-Po, po!-i thashë. Për cdo hap do të vë në dijeni, se po pate vërejtje ti, t’i korrigjojmë në vend!
-Bukur! – tha. Ndërkohë, për të shkuar në shtëpi pasditeve, ose në darkë, do të kesh një makinë në dispozicion, lidhu me shoferin, se ai e ka marrë detyrën!
Siç më porositi Hakiu, iu futa punës dhe brenda dhjetë ditëve “qëndisa” dy kartmonedha, pesëqind lekëshe. Njërën me uniformë të gjeneralisimit dhe tjetra normale. Fotografitë ishin të goditura, siç porositi Hakiu, me dritë, me ngjyra të ëmbla dhe me buzën në gaz të udhëheqësit.
Pasi i mbarova, shkova në zyrë dhe ia vura në tavolinë, për të patur një kontrast sa më të efektshëm psikologjikisht, të dyja i vendosa në një sfond me karton të zi.
Hakiu po i shikonte me vëmendje të madhe dhe në fund, tha:
-Po mirë! Të lumshin duart! E ke shkrirë talentin, por këtë kartonin e zi, si e justifikon?
I shpjegova nga ana e kontrastit, që ngjyrat dhe e bardha, dalin më në pah, kur kanë një sfond të errët.
-Mirë, mo mirë! Po pse i zi? Sikur të ishte me një karton pak më i çelur, se kështu duket ogurzi, apo jo?
-Dakord! – i thashë. Po e ndërroj, po e bëj gri të errët.
-Po, bëje, e ma sill tani!
Pas një ore ia vura përpara.
-Po, kështu po! – tha Hakiu. Po jo e zezë! E shikon edhe ti, që duket bukur, apo jo!
-Po! Po!-i thashë.
-Mirë!-tha. Po iki t’ia çojmë shokut Enver! Kështu siç janë punuar këto me dorë, nuk besoj se do të na bëjë vërejtje.
Iku ai, ika edhe unë. Të nesërmen në ora dhjetë, më thirri në zyrë dhe buzagas më tha:
– I pëlqeu shumë. Më porositi të të falenderoj shumë, ashtu si edhe dekoratat. Por pati vetëm një vërejtje:
-Ta mendojmë njëherë!-tha. Për këtë veshjen!
Kuptohet, as nuk e veshi e as nuk e aprovoi vendosjen e fotos në kartmonedhë.
Përfitoj nga rasti, se këto dy foto të pa para, qysh prej tridhjetë e gjashtë vjetësh, t’i botojmë sot për të shuar kuriozitetin e dashamirësve të kartmonedhës tonë.

Kishte mbetur Banca e Shqiperise pa’ piktor? Po’ atje Jane punuar piktore qe mbaruan Institutin e l’arte te Arteve.Nuk Ju besoj me kete shkrim naiv,dashkeqes e fyes per kuadrin e Bankes se Shqiperise.
Perralla me mbret
Po te kishin vendosur shokun Mao tek keto kartmonedha do ishin miratuar menjehere. Dhe duhet te dime qe prerja me e madhe ishte 100 Leke, po kjo 500 Leke nga doli, kalonte rroga e muajit per 1 puntor
O M, eshte qe ne kohen e lekeve te vjetra, kishte edhe 1000 leksh, po ti qeke vogelush dhe nuk i mban ment.
M me duket se nuk e ke haberin e lekeve ne kohen e rrahmetlliut..e ke me te degjuar..
Eksagjerime e dini pse?Nuk mund te ndodhte te falsifikohej Firma e Haxhi Lleshit ashtu….sepse Faksimilja ishte gati….nuk kishte nevoje…ne ate kohe nuk beheshin kto gjera…..
delir i pafund madheshtie.vetemnje gje nuk kuptova.kush e anulloi vendimin per kartmonedhen.
delir i pafund madheshtie.vetemnje gje nuk kuptova.kush e anulloi vendimin per kartmonedhen.enveri asnjehere nuk ka qene-1.me graden “gjeneralisim”.me graden gjeneral armate po.2.-enveri ,kur i paraqiten projektin per permendoren e lirise,ne qender te te cilit kishin vendosur per figuren e tij,ai nuk e pranoi dhe keshtu nuk u vendos.3.-edhe per shtatoren e sheshit skenderbej ai ka qene kunder,ndaj nuk u vendos sa ishte gjalle.keni pare gje te vepra e madhe e artit ne muzeun kombetar,figure te enverit?une jo.mbase ky mburraveci po.4.-dekoratat i bente dhe jepte presidiumi i kuvendit popullor.c’ne rita marko me prodhim dekoratash.
Po o Pellumb,po.Mashtrove dynjane ne demokraci,te hipi afshi ne moshe te madhe.Ke mbetur vetem tani,as femije,as vellezer dhe motra.Nuk ke turp qe shkruan?
hahaha mê kënaqe PUPI! Dhe ti e di fare mirë se cili jam!