Auron Dodi – DW
Autor, përkthyes, albanolog. Kështu e karakterizon veten në paraqitjen e tij në internet Robert Elsie. Për ata që e kanë njohur kanadezin me atdhe botën shqiptare, Robert Elsie mbetet më shumë: një studiues i pasionuar, i pazakontë i kulturës shqiptare, me këndvështrime origjinale dhe pa masë prodhimtar.
Janë të paktë studiuesit e huaj të kulturës shqiptare, që duke mos kursyer përkushtimin, kohën, mjetet personale financiare të kenë qenë kaq gjithëpërfshirës në punën e tyre: gjuha shqipe dhe historia e saj, letërsia shqipe dhe historia e saj, arti dhe historia e artit shqiptar, etnogjeneza e shqiptarëve dhe diskursi shkencor për të – për të gjitha këto aspekte e të tjera, Robert Elsie punoi si autor dhe si bashkautor, si përkthyes dhe si ndërmjetës kulturash, si ambasador i kulturës shqiptare në botën perëndimore.
Të panumërta janë botimet ku Elsie ishte bashkautor ose përzgjedhës artikujsh e këndvështrimesh. “Përralla shqiptare”, “Letërsia klasike shqiptare”, “Fiset shqiptare: historia, shoqëria, kultura”, “Udhëzues për kulturën historike të shqiptarëve”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës” janë disa nga veprat që Elsie botoi si autor vetëm në vitet e fundit.
Lajmi i hidhur se sot, pas një sëmundjeje të rëndë prej disa muajsh, Robert Elsie u nda papritur nga jeta, qe tronditës për të gjithë ata që e kanë njohur. Partneri i jetës së Robert Elsie-t, Stefan Trierweiler, dhe miku i tij, Artur Metani na dërguan lajmin se “njoftohet me hidhërim të thellë vdekja e parakohshme e Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike.”
Me respekt të veçantë më flisnin për Robert Elsie-n kolegët e tij në Ministrinë e Jashtme Gjermane, ku ai punoi në fillim të viteve 1980 për disa vjet rresht si përkthyes. Ai ishte poliglot, më janë shprehur edhe së fundi vlerësues ish-kolegë të tij.
Në këtë kuadër, kryesisht deri në fillim të viteve 1990, Elsie ishte përkthyes në bisedime të nivelit të lartë të qeverisë gjermane. Më tej, si përkthyes i lirë ai e vuri dijen e tij gjuhësore edhe në shërbim të BE, Natos, Këshillit të Evropës e më tej. Prej vitit 2002 Elsie punoi kryesisht si përkthyes në ICTY, në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë. Këtu ai ishte përkthyes në gjyqet e disa prej aktorëve të njohur të tragjedisë jugosllave. Pas daljes në pension pak vite më parë, Elsie u vendos në Berlin, ku vazhdoi t’i kushtohej pasionit të tij, kulturës shqiptare dhe përkthimeve letrare.
Në një komunikim të pak muajve më parë me të, Elsie më shkruante se me sa dëshirë po u përkushtohej përkthimeve në Gjermani, pas rikthimit nga Holanda. Kjo ndonëse në mendje në radhë të pare kishte kulturën shqiptare e aspekte ende të pandriçuara të saj.
Ambasadori i Shqipërisë në Gjerman, Artur Kuko i tha DW se me vdekjen e Elsiet “albanologjisë do t’i mungojë një mendje e ndritur”. Kuko tha se “e kishte njohur Robert Elsie-n shumë vjet më parë, nga pozitat e publikut shqiptar, kur ai shoqëronte personalitete gjermane.”Një humbje e madhe për botën kulturore të shqiptarëve”, vlerësoi Kuko.
Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka që ishte në kontakt edhe së fundi me Robert Elsien, e vlerëson atë si “një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot. Nuk besova se përkthimi i poezive të mia, që më dërgoi pak ditë më parë, do të ishte lamtumira me të”, i tha Açka DW.
Bashkëpunëtori dhe miku i tij, Artur Metani, bashkë me të cilin Roberti ka bërë një pjesë të madhe të regjistrimeve të tij për dialektet e shqipes, i tha sot programit tonë se puna kërkimore e Robert Elsie-t u ndërpre me plotëkuptimin e fjalës në mes. Elsie po punonte së fundi për bektashinjtë shqiptarë dhe teqetë, i tha Kopani DW.
Robert Elsie-n do ta kujtojmë të gjithë ne, që punuam në vite si kolegë me të: si një koleg shumë të sjellshëm, të gatshëm për të bashkëpunuar, me dashuri të pakufishme për dijen dhe për kulturën shqiptare.

Ishte nje punetor i ditur i palodhshem per zbulimet shqiptare.I paharruar qofte!
LAMTUMIRE e dhimbeshme..
Nje humbie qe na dhemb ne emranteve mbareshqiptare ne Toronto te Kanadase e me gjere,per ndarien nga jeta te ketij MIKU te ralle per mbare shqiptaret Robert Elsie.
Dhimbia per mua e dyfishte,ardhur ne Toronto disa vite, pas atij takimi te pare nga 2010-ta,nga kam marre mbresat e nje internacionalisti te vertete,me dobesi per kombin shqiptar ne teresi..
Faleminderit penes z. Auron Dodi per njoftimin e dhimbshem qe na jep per ndarien etij nga jeta para kohe.
Ngushellime families dhe shoqesise kanadeze.
Ne emer te shoqates;Pensioniste Veteran ne Toronto: I perjetshem kujtimi i Tij.
Per shoqaten; pasuesi Veteran;
Dhimiter M.Xhoga.
Respekt i perjetshem per Robert Elsin per sa ka bere per Shqieprine.