Letër e nënshkruar,
Pali Nito
Për festën e vitit të ri që sapo kaluam, qytetarët shqiptarë me gjithë hallet dhe problematikat e shumta që kanë, prisnin të qeshnin e t’i harronin për pak çaste hallet dhe dertet e tyre, por u zhgënjyen jo vetëm nga politika, por edhe nga humori ynë tradicional i cili sikundër e pamë dhe e dëgjuam, rezultoi një humor i varfër, i zbrazët, pa kripë dhe aspak për të qeshur. E shumta mund të kishte ndonjë qeshje të sforcuar e të pavullnetshme ose qeshnin vetë ata që bënin humor. Pa e tepruar mund të them, ishte një humor “ tralala zura një galë”, ishte sa për ta qarë, për ta qeshur, kritikuar dhe vajtuar. Shoqëria jonë për fat të keq, ka jo pak problem, madje të agravuara dhe tepër të mprehta dhe serioze sikundër janë: korrupsioni, drejtësia e munguar, kriminaliteti, trafikimi i armëve dhe femrave, problemet e pronësisë e sa e sa çështje të tjera. Por, për çudi humori ynë edhe objektivin e tematikës e kishte të mangët pasi disa nga çështjet e mësipërme ose nuk u trajtuan fare, ose edhe ato që u rrokën u trajtuan dobët, pa cilësi dhe gati pothuaj në mënyrë të mërzitshme. Një shkrimtar arab ka thënë: “Më mirë të më marrë malli, se sa të më dalë përditë përpara dhe të them, oh, ç’më mërziti djalli”. Kështu është bërë dhe humori ynë. Tentohet të bëhet humor, madje shpesh, por shumë e për lumë. Thonë se humori është privilegj i njerëzve të mençur dhe për fat të mirë këta nuk na mungojnë. Por mendoj se shkaku duhet kërkuar gjetkë. Për këtë gjendje nuk mund të bëj kompetentin se nuk i përkas kësaj fushe, por një gjë mund dhe duhet të mbajmë parasysh, faktin se jetojmë në kapitalizëm. Prandaj krijuesit por dhe humoristët duhet të vlerësohen, të stimulohen e të paguhen për veprimtarinë e tyre fshikulluese, kritikuese dhe edukuese.
