Nëse kishit menduar që të rinjtë shqiptarë nuk kanë ëndrra, por ëndrra e tyre e vetme është të ikin nga ky vend, ndoshta keni menduar gabim. Sipas kryeministrit të vendit 734 aplikantë kanë marr pjesë në projektin“Ëndrra ime 2015” dhe nga këta janë përzgjedhur 30. Teksa i hedhim një sy listës së fitueseve dhe temave të përzgjedhura, vërejmë se, shumica e tyre janë në shërbim të komunitetit dhe të njerëzve. Dhe ky është një tjetër fakt që të bën optimist, pasi kupton se ka të rinj që duan ta ndryshojnë për mirë këtë vend.
Joreld Dhamo është një nga fituesit e këtij projekti. Mes 30 emrave ne zgjodhëm për të bërë një bisedë me të, jo për nga rëndësia, por rastësia na çoi tek ai.
Dhamo na tregoi se kishte vetëm një ide, pasi nuk do ta quaj ëndërr dhe këtë e dërgoi në projektin e hapur nga kryeministri, ku sot është shumë i lumtur kur mendon që gjithçka çka kishte në kokën e tij do të bëhet realitet.
Joreldi, 24 vjeç, ka përfunduar studimet për Inxhinieri Ndërtimi dhe instikti, dëshira, dhe dashuria e çuan në qytetin e tij të lindjes, Përmetin. Pikërisht në këtë vend ai dëshiron dhe ka hedhur idenë për organizimin e Festivalit të Luleve ku do të ekspozohen e promovohen produktet bimore, kopshtaria, artet si edhe politikat komunitare mbi mjedisin. Sot, duket se ai është në rrugë të mbarë për të realizuar këtë projekt në qytetin e tij. Nuk ka gjë më të bukur se sa ta shohësh ëndrrën tënde te realizuar!
Joreld ju jeni një nga fituesit e programit “Ëndrra ime 2015, na fol pak për veten për të të njohur pak më shumë…
Jam Joreld Dhamo, 24 vjeç .Kam lindur në Përmet dhe aktualisht jam banues në Tiranë. Kam studiuar Inxhinieri Ndërtimi dhe po punoj në një studio projektimi këtu në kryeqytet. Kryesisht merrem me pjesën e ndjekjes së projekteve dhe finalizimit të tyre. Në kohën e lirë merrem edhe me graphic design që e ushtroj në mënyrë të pavarur.
Isha një ndër aplikantët e projektit “Ëndrra Ime” dhe u përzgjodha si një ndër 30 projektet që do të realizohen dhe do të çohen më tej. Projekti është ende në faza shumë të hershme ndaj gjithçka është në mendjen time. Shpresoj që të arrij ta çoj deri në fund, në mënyrën e duhur.

Po si shkove deri tek ky projekt, dhe si të lindi ideja për të paraqitur me një ide mbi qytetin tënd të lindjes, Përmetin?
Ideja më lindi fare spontanisht, duke menduar për atë që lidh qytetin, traditën dhe format e reja të promovimit kulturor në ditët e sotme. Mendon për Përmetin, e të vijnë në mendje menjëherë lulet, e thashë pse jo një festival ku teme kryesore janë ato që na dallojnë siç njihet Korça për birrën, Shkodra për biçikletat apo Berati për shtëpitë karakteristike. Një festival lulesh është edhe diçka që sot mungon në Shqipëri e ku mund të bëhej tjetër veçse në Përmet.
Çfarë do të arrish me këtë ide, cila është perspektiva e saj sipas teje?
Qëllimet e mia dhe të Festivalit të Luleve nuk janë për të mbledhur sa më shumë të ardhura apo për të rritur fitimet e dikujt, por do të karakterizohet nga vullnetarizmi dhe njerëz që besojnë në këtë ide. Ky festival ka qellim të vetëm promovimin dhe rivitalizimin e qytetit ku jetohet,të nxisë qytetaret t’i shohin lulet si pjesë e pandashme e ditës së tyre. Ndoshta një ditë në Përmet çdo ballkon do të ketë lule shumëngjyrëshe dhe “qyteti i luleve” apo “qyteti i trëndafilave” do ta meritojë me plot gojën emrin e tij. Kjo do te jetë tërheqëse si për ne ashtu edhe për turistë që ju rastisë të qëndrojnë në Përmet.
Ende nuk kam një plan të qartë të festivalit, por di që do të jetë 2 apo 3 ditë dhe do të ketë leksione gjelbërimi, ekspozita pikture si dhe të ftuar nga fusha që kane lidhje drejtpërdrejt me lulet. Jam duke punuar me një ide mbi logon e festivalit, por është ende herët për këtë.
Gjithashtu në Përmet do te promovojmë arkitekturën e gjelbër, atë të luleve në ambientet ku jetojmë dhe për këtë do të ketë arkitekte të ftuar. Gjithashtu do të japim këshilla për kultivimin dhe trajtimin e luleve nga profesioniste. Kam marrë mbështetje nga Bashkia Përmet për këtë projekt e shpresojmë të jetë një realitet sa më i afërt për të gjithë. Dua të falenderoj gjithashtu kryeministrin që besoi në ëndrrat tona e po bën të mundur që ato të realizohen.
Ke përfunduar studimet për Inxhinieri Ndërtimi dhe jeni ende i ri, por vlen të bëhet pyetja se si duket Tirana në syrin tuaj?
Edhe pse bëhet gjithmonë e më e vështirë të flasësh për arkitekturë e për ndërtim në Tiranë gjithmonë mendoj se mund të bëhet diçka. Tirana po gabon me planin e përgjithshëm urbanistik që parashikon ecurinë dhe zhvillimin nga ana ndërtimore për 20 apo 25 vitet e ardhshëm. Nëse nuk bëhet nga profesionistë e nuk mendohet siç duhet për të arrijmë në këtë gjendje ku jemi sot ku kemi zgjerim përtej normave të zonave informale dhe zaptim të llahtarshëm të hapësirave publike. Diçka tjetër që më ka shqetësuar në Tiranë është mungesa e theksuar e hapësirave të gjelbra të cilën të gjithë e vuajmë çdo ditë. Kemi vetëm parkun e liqenit të cilin gjithashtu e dëmtojmë përditë e askush nuk shqetësohet për ta mirëmbajtur e pse jo zgjeruar këtë të mirë të përbashkët. Meqë jemi këtu më pëlqeu njëra nga ëndrrat fituese për pastrimin e liqenit.
****
Vini në zbatimi idetë tuaja
Mos prit që puna të të vijë në shtëpi…
Tre ditë më parë, kryeministri Edi Rama, në lidhje me këtë nismë, ka bërë një tjetër lajmërim në Facebook. “Nisur nga kritikat e më te “vjetërve” për programin Ëndrra Ime 2015 që kufizohej për moshën deri në 30 vjeç, shpallim programin Ëndrra Ime 2015 për moshën mbi 30 vjeç! Ky program është i hapur për projektet e atyre që duan mbështetje për t’u vetëpunësuar përmes një projekti për të çelur një aktivitet në dobi të komunitetit apo edhe një biznes të vogël familjar.
Ne besojmë se gjithkush mund ta gjejë një vend pune duke e krijuar atë përmes forcës së ideve e të vullnetit të vet dhe jo vetëm duke e kërkuar në dyert e shtetit apo akoma më keq, duke e pritur që puna t’i vijë në shtëpi. Janë të panumërt shembujt e krijimit të vendit të punës për vete e për të tjerët përmes sipërmarrjes së lirë dhe ne duam përmes këtij programi të ri, të mbështesim krijimin e shembujve të rinj. Ja aplikimi që ju mundëson të provoni fuqinë e idesë suaj për të krijuar vendin tuaj të punës. Deri në 30 prill ju mund të çoni projektin tuaj dhe në 15 maj të jeni një ndër fituesit! Kurajo!”e mbyll postimin e tij kryeministri i vendit. Është momenti t’i nxirrini ëndrrat nga sirtari dhe ta provoni, këmbëngulja është vendimtare për realizimin e tyre.


Epo shyqyr, u rregullua dhe PERMETI…
UrimeZ. Dhamo. Duhet te kesh ide te mira qe te besh pune te mira . . Une do tju sugjeronja . :meqenese kini mbeshtetjen e Bashkise Permet , zgjidh qendren e qytetit dhe pallatet qe e rrethojne ate per projektin tend . Pikerisht keta njeres qe jetojne ne kete qender jane me shume te interesuar per te zhvilluar qendren dhe ndoshtabisnesin e tyre . Si fillim fillo me rregullimin e fasades se pallateve perreth dhe me nje cmim $5000 shpall konkursin midis qytetareve : Ballkoni me I bukur , dritarja me e bukur , Lulja me e vecante .
Duket qe ky djale e do me shpirt qytetin e tij. Bravo dhe ju uroj pune te mbare ne projektin tuaj i cili do ta zhvilloje me shume jeten e qytetit te luleve.