Programi i qeverisë Rama miratuar në mes Shtatorin e vitit të kaluar për mandatin fillestar nga viti 2013 deri më 2017, parashikon zhvillim prioritar të turizmit malor, që në vendin tonë, kudo në Shqipëri, ka kushte speciale mjaft favorizuese. Për të realizuar me sukses këtë program, gjykoj se krahas punës së qeverisë në drejtim të infrastrukturës së rrugëve dhe kujdesit të organeve të pushtetit vendor, kërkohet dhe një inkurajim e mbështetje për biznesin privat dhe iniciativat individuale e familjare që kanë lulëzuar në këto zona.
Fjalën e kemi më konkretisht për një zonë të veçantë klimaterike prapa vargmalit Krujë-Dajt, Qafshtamën. Natyra është treguar e begatë dhe mjaft bujare me këtë vend duke i dhënë lartësi, freski, ujë e gjelbërim me bollëk. Janë të shumtë shqiptarët, pa folur për vendasit, që e kanë vizituar, frekuentuar dhe i kanë shijuar mrekullitë e magjishme të klimës kurative të këtij vendi që ndodhet në majën e piramidës me bazë trekëndore gjeografike në qytetet Tiranë, Krujë e Burrel, në distanca thuajse të njëjta, rreth 25 km. Me dy qytetet si Kruja e Burreli, rruga automobilistike funksionon dhe është e qarkullueshme, por në një gjendje të mjerueshme, me gropa dhe e paasfaltuar.
Me pak investim, Qafshtama mund të lidhet me rrugë makine edhe me Tiranën nga Bovilla rrëzë Dajtit. Kjo do ta bënte më të frekuentueshëm e të dobishëm këtë vend me shumë vlera kurative natyrore, klimaterike po edhe shplodhëse e zbavitëse në pikëpamjen turistike. Rruga nga Kruja gjarpëron mbi kanionin e lumit Drojë në luginat e faqes së prapme të malit duke u ngjitur drejt Nojes, Cullinit, Shqezës e deri lart në Qafshtamë nëpërmjet një panorame mahnitëse që e mrekullon njeriun. Përparim Shullazi, për gazetën Dita.
SMS në DITA
Në 0689073730