Pak ujë në gotë, pak pluhur, përzierje – kjo është e gjitha për të përgatitur një ushqim neurologjik që disa mjekë ua rekomandojnë pacientëve me Alzajmer. Ushqimi mjekësor i quajtur Axona është miratuar nga administrata amerikane e ushqimeve dhe barnave (FDA) që në vitin 2009 për trajtimin e sëmundjes Alzheimer, por shumë vetë janë skeptikë. Pluhuri përmban një substancë vaji të kokosit, që ndihmon ushqyerjen e trurit me “ketone”, një alternativë për glukozën, e cila humbet tek truri i personave me Alzheimer.
Një numër pacientësh thonë se një gllënjkë në mëngjes nga përzierja Axona-ujë jep rezultate në përmirësimin e kujtesës së tyre, kjo ndoshta edhe sepse njerëzit përpiqen të provojnë çdo gjë kur sëmundja është e pashërueshme, dhe çdo ilaç i ri i mbush ata me shpresë, qoftë përkohësisht. Alzajmeri prek kryesisht personat e moshuar duke i zhveshur nga kujtimet, ndërsa sëmundja përparon dhe truri hyn në udhën e degradimit. Në këtë gjendje, pacientët kanë nevojë, si foshnjat, për kujdes 24 orësh.
Ndërsa ka klinika që thonë se nuk janë gati të rekomandojnë përdorimin e ushqimeve mjekësore si Axona, dhe presin për zhvillimin e ndonjë ilaçi, ka mjekë që ndihen të gëzuar kur shohin se në sajë të trajtimit me Axona, pacientëve me Alzajimer u përmirësohet kujtesa. / VOA
