NJË INTERVISTË “HERETIKE”

redaktor

Sonte në darkë, Vizion Plus, do të ketë një intervistë të zonjës Nexhmije Hoxha me gazetaren e njohur, Rudina Xhunga. As njerën, dhe as tjetrën, pra, as Nexhmije Hoxhën dhe as Rudina Xhungën, nuk i kam takuar ndonjëherë. Të jem i sinqertë, si gazetar në shumë vite, do të kisha dashur që, në mos dikur, tashmë, të takohesha me gruan e njeriut që me dorë të hekurt drejtoi shtetin shqiptar, në mos tjetër, për ta pyetur edhe Atë, si kisha bërë në takimin e vetëm me Ramiz Alinë, për historinë dhe enigmën e ikjes nga jeta të babait tim. E di se e ka njohur atë, se në një periudhë të fillimit të viteve të para të pas luftës kishin punuar sëbashku në Rininë e Kohës. Për të shkuar më tej, do të kisha dashur të takoja e të bisedoja gjatë edhe me gazetaren e njohur Rudina Xhunga, do të thoja një zë i veçantë në publicistikën shqiptare, zonjë e ekranit dhe e të menduarit, më shumë për një mik të përbashkët, Arben Xhaferi, në të gjithë dritëhijen e tij, ku ajo sheh vetëm dritën, e unë shoh herë pas here edhe hijen.

Por këto nuk kanë lidhje me atë që do të kisha dashur. Nuk besoj se ka gazetar në këtë botë, sado i mbushur të jetë me mllefin e kohës, që të mos donte të bisedonte me njeriun që ka qenë në krah të Tjetrit, që, duam apo nuk duam, ishte historia e një shteti për gjysmë shekulli, e kur për më tepër, ajo është tashmë 95 vjeçare dhe deklaron se kjo do të jetë intervista e saj e fundit. Ata që mendojnë se nuk mund të intervistohet një grua, pas emrit të së cilës janë vënë dhjetra epitete, se është monstër, etj etj, nuk kanë as fillesën e një mendimi e egoje gazetarie, dhe vazhdojnë të kenë në mendje reminishenca të së kaluarës, kur gazetari njësohet me atë që interviston, kur mendon ende se “armiqtë e popullit” duhen lënë jashtë vemendjes, se ata duhen përzënë nga jeta publike etj etj.

Rudina Xhunga, që në asnjë rast nuk ka nevojë për mbrojtjen time, e nuk pse ta ketë, është një zonjë gazetarie e publicistike me dinjitetin e dhjetë burrave të gazetarisë sharlataneske bashkë, që hidhen e përhidhen në krahët e pushtetit si gra të liga, në të vërtetë janë burra të ligj, që kanë ngritur pasurinë e tyre mbi dhelpërinë, erotizmin politik, duke u bërë kodoshët e pushtetit…dhe ata vazhdojnë të jenë burra të mirë, sepse na sjellin në ekrane dhe në median e shkruar “të fortët” e politikës. Pra, nuk bëj këtë shënim për të qenë në krah të një emri të nderuar të medias sonë. Këtë duhet ta bëjnë ata që protestojnë “fuqishëm”, kur një gazetar rrugaç dëbohet nga një vend, por që mbyllin sytë kur dhjetra e dhjetra gazetarë nuk paguhen, nuk u paguhen sigurimet shoqërore, kur u duhet të ndjekin politikën e shefit, se ndryshe e kanë rrugën e hapur, nga sytë,këmbët, kur njomzaket e gazetarisë bien pre e pretendimeve erotike të bosëve të mediave.

Këto të fundit nuk trazojnë askënd, sepse janë pjesë e majës së piramidës së shefave mediatikë.

Nuk e kam ndjekur intervistën e përfolur aq shumë, jo vetëm sepse ende nuk është dhënë, por edhe nuk do të mund ta ndjek në orën e caktuar, nga fakti i vetëm se në vendin ku jetoj valët e atij televizioni nuk janë në sistemin tim. Ndryshe, të jetë kushdo i sigurtë, do e kisha ndjekur.

Por le të vijmë tek dy gjërat themelore që doja të bëja në këtë shënim:

Së pari, a është krim të intervistohet zonja Nexhmije Hoxha apo kushdo tjetër që është pjesë e një sistemi të caktuar politik, dhe pse kohrat kanë ndryshuar dhe ato kanë, si e pranojnë qartësisht, mbetur ende me bindjet e dikurshme?

Nexhmije Hoxha, me gjithë furtunën që u ngrit në arrestimin e saj, u dënua për disa kafe të dhëna me shumicë, kur njerëzit kishin vajtur për ta ngushëlluar për vdekjen e bashkëshortit të saj, Enver Hoxhës. Për ato kafe dhe për disa “teprime” të tjera, ajo u dënua fillimisht, në mos gaboj, me 9 vite burgim. Njeriu i zakonshëm, kërkon të bëjë në mendjen e tij një llogari të shpejtë, se sa do të dënoheshin politikanët e sotëm, kur vjedhin e “humbin” miliona e dhjetëra milionë euro, kur ajo për kafe dënohej kaq shumë. Njeriut të shkretë nuk i dalin llogaritë, sepse zerot pas numrit të parë janë shumë e shumë të gjata. Pra kurrë, asnjëherë, asnjë pushtet në Shqipri, nuk pati guximin të dënonte atë dhe njerëzit që drejtuan shtetin, shpesh herë mizorisht, për politikën që kishin ndjekur. Ata, pushtetarët, gjurmuan nëpër faturat e djathit, të qepëve, të mishit, të pijeve dhe dënuan disa njerëz, të cilët ose duheshin lënë në shtëpi, ose duheshin dënuar për gjenocid.

Pra Nexhmije Hoxha nuk është një njeri i dënuar politikisht në Shqipëri, por edhe po të ishte kështu, përse e kush ka të drejtë t’i thotë sot, “mos fol, mbylle, se ti na ke vrarë, na lënë në varfëri, mjerim”, kur për më shumë, as sot, me miliardat që kanë ardhur nga bota nuk kemi ndonjë përparim të ndjeshëm, veç një pakice, politike e mafioze, të lidhura së bashku, që jeton si sheikët e naftës, por pa bërë asgjë, vetëm duke sharë njëri-tjetrin ditën e enjte parlamentare dhe duke u puthur të premteve dhe të shtunave.

KOPERTINANexhmije Hoxha, në intervistën e saj të fundit tek Rudina Xhunga, nisur nga ajo që është bërë publike, do të flasë për jetën e saj vetjake, por ndoshta edhe do të mbrojë edhe të shkuarën ku sundoi bashkëshorti i saj. Ndoshta edhe do e mbrojë atë kohë, në ato gjëra që ajo i ka besuar e vazhdon ende të besojë. Kjo është në natyrën njerëzore. Në fund të fundit, deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë funksionar të lartë të regjimit të shkuar të kërkojë ndjesë, asnjë nga bashkëshortet e njerëzve të fortë të regjimit që mbijetuan, nuk e hodhën poshtë të kaluarën dhe nuk thanë të paktën, “menduam për mirë”. Nexhmije Hoxha, nga vendi ku jeton, nuk e di ku është bërë intervista, edhe mund të na thotë se ja, unë ju sundova për disa dekada, dhe shiheni ku jetoj dhe ndiqni pastaj vilat e stërmëdha ku jeton elita e sotme politike, me bij, bija, dhëndurë e nuse.

Koha e Hoxhës kishte në shenjestër dy grupime të mëdha: intelektualët, sidomos pas goditjes së “Grupit të Deputetëve”, dhe nacionalistët, por jo ata që shfaqeshin si ballistë apo legalistë. Për regjimin ata kishin qenë, e në fakt ashtu ishin, bashkëpunëtorë të pushtuesit. Ndryshe ne do të ishim i vetmi vend në botë ku fitimtarët do të kishin dhjetra herë më shumë të vrarë se sa të humburit, do të ishim njëkohësisht, si po kthehemi, i vetmi vend në Europën e pushtuar dikur, që të gjithë ata që ishin me pushtuesin ishin engjëj dhe ata që luftuan kundër tij, tradhtarë.

Intelektualët ishin shenjestra e madhe e regjimit, pasi ky nuk mund të besonte tek njerëzit që nuk besonin tek sistemi i tyre. Parlamenti, ose asambleja e dhjetorit të vitit 1945, ishte pa asnjë dyshim, përzgjedhja më intelektuale, më e njohur, më e goditur e të gjitha kohërave parlamentare në Shqipëri, dhe ta krahasosh me parlamentin e sotëm, duhet të mbyllësh sytë. Regjimi i mbylli gojët e tyre; tani mjaft kolegë, që duan të hiqen si i thonë, “më katolikë se papa”, duan të heqin një intervistë, të cilën do kishin dashur ta bënin vetë, dhe me një njeri, së cilës dikur, ose do i kishin rënë në prehër, ose do i puthnin duart.

Nexhmije Hoxha, në këto vite, thonë se ka botuar disa libra. Nuk i kam lexuar, do të kisha dashur t’i lexoja. Një mendim ndryshe, i shfaqur publikisht, nuk është krim dhe as nuk mund të linçohen sot për një mendim a qëndrim tjetërlloj nga ajo që besoj. Ajo, si të gjithë, ndoshta më shumë se sa krimi i sotëm politik, ka të drejtën e fjalës, ta dëgjosh apo mos ta dëgjosh është e drejta jote, dhe, për më tepër, ta besosh apo jo, është diçka krejt ndryshe. Ashtu si kam dëshirë të di se si janë njohur Enver Hoxha dhe gruaja e tij, ashtu kam dëshirë të di edhe se si janë njohur Berisha e gruaja e tij; ashtu si dua të di se si jetuan ajo dhe burri i saj, ashtu dua të di se si kanë bërë pasuri marramendëse Basha e gruaja e tij; ashtu si dua të di qëndrimin e zonjës Hoxha kur dënohesh intelektualë, shpesh herë deri një ditë para miq të familjes, ashtu dua të di përse zonja Topalli, me aq mllef kërkonte nga Berisha të vriste të gjithë ata që demonstruan kundër tij në vitin 1997; ashtu si dua të di përse zonja Hoxha dhe bashkëshorti i saj e mbyllën këtë vend si një fuçi të hekurt, ashtu do të doja të dija përse Berisha, pas vitit 1994 e bëri këtë vend han me dy porta, ku hyri gjithë llumi radikal islamik, pasojat e të cilit sot i njeh kushdo; ashtu si dua të di përse zonja Hoxha nuk reagonte ndaj informacioneve që i sillnin bijtë e saj për jetën e pasur në perëndim; ashtu dua të di përse nuk reagon klasa e sotme politike kur e sheh se mjerimi po merr përmasa migjeniane; dhe si unë, mund të jenë shumë që duan të dinë më tepër se sa na është dhënë një të djeshme dhe më tepër se sa na është dhënë menjëherë pas së djeshmes. Është koha e saktësimit të vërtetës, qoftë edhe tek një jetë personale.

Si e thashë, zonja Hoxha ka botuar në vitet e fundit 5 libra. Kushdo mund t’i kishte blerë, por nuk dëgjuar asnjë reagim ndaj tyre, si në këtë rast, për një intervistë.

Mendoj se reagimi i tashëm nuk lidhet edhe aq me pikëpamjet e zonjës Hoxha, por me faktin se derën ia ka hapur një zonjë e publicistikës sonë, Rudina Xhunga.

Ky është edhe problemi dhe vijmë kështu tek shënimi ynë i dytë:

Bën mirë apo keq zonja Xhunga që bën një intervistë me Nexhmije Hoxhën?

Më parë le të sjell një ngjarje të shkurtër. Disa vite më parë, TV Klan, përmes Dashnor Kaloçit dhe Pandi Laços, dy profesionistë mediatikë të klasit të parë, më ftuan në emisionin “Histori me zhurmues”, për të cilën u jam edhe sot e gjithnjë, tepër mirënjohës. Të nesërmen isha në Shkodër, kur më ndali vëllai i një shokut tim të gjimnazit. Më tha që ta sistemoja në punë. I thashë se nuk kam asnjë lidhje me këtë. Si jo, më tha, ti ishe mbrëmë tek Klani, dhe Klani është qeveria…

Perceptimi i njerëzve për median është i ndryshëm, por sido që të jetë për emisionet e tjera të kësaj natyre, për emisionet e Rudina Xhungës është mendimi i përbashkët se ndodhesh para një dritareje, ku nuk mund të jetë kushdo dhe ku nuk mund të flasësh budallallëqe. Është si një shenjë intelekti, besimi dhe përqëndrimi. Jo kushdo mund të futet në “dritaren”e saj, apo të flasë “shqip”.

Gazetare si Xhunga janë të besueshme sepse nuk janë urë përmes së cilës mund të kalojnë halabakët e politikës së sotme, por janë edhe një zbulim i shtrateve përmes së cilave ka kaluar vendi ynë. Nuk mund të mohosh zërin e 50 viteve të një kohe të shkuar, pavarësisht nëse e do apo nuk e do atë kohë. Nostalgjikë ka kudo, por zonja Xhunga, jam i bindur nuk është në atë farsë politike e as intelekti.

Besimi që u jep ajo njerëzve është shkaku i trazimit të saj. Nuk pikëllohem se e sulmojnë sot, pikëllohem me shngjyrosjen e karakterit njerëzor, kur atë e bëjnë njerëz të afërt të diktaturës, gazetarë të udhëheqjes së dikurshme, anëtarë besnikë të PPSH, dishepuj deri në vdekje për regjimin deri sa ai ishte në fuqi…

Një gazetar i dinjitetshëm u jap hapësirë të gjithëve. Njëra ndër revistat më të njohura gjermane, disa vite më parë, botoi, pasi i kishte blerë me shuma fantastike, ditarët e Hitlerit, megjithëse dolën se ishin të fallsifikuar.

Në mediat tona po shfaqen përditë e përnatë përçudnimet e sotme të politikës, që luajnë me fatet tona si në një ndeshje futbolli; hidhen si kokrra misri, akuza të përbindshme, vidhemi në pikën e ditës, si të ishte e drejta e tyre të vidhemi; qeveritarët, edhe të sotëm, kujtojnë se jemi dele dhe na trajtojnë si dele; dhe nuk kujtohemi se në 25 vitet e fundit janë vrarë nga krimi i rrugës, shumë më tepër se sa vrau krimi i politikës.

Këta që vranë në vitet e fundit ne i kemi ende deputetë, një gruaje që vjen nga piramida e së shkuarës kërkojmë t’i mbyllet goja…

Dhe t‘i mbyllet, bashkë me të, edhe një zonje që na bën nder në publicistikën dhe në letërsinë tonë.

Nuk jam nostalgjik për kohën e zonjës Hoxha, ajo kohë më la 10 vjeçar pa tim atë; jam i pikëlluar përse nuk kemi më tepër zëra të tillë, si zëri i zonjës Xhunga.

Share This Article
1 Comment
  • Politikanet e sotem smund te krahsohen me ata te diktatures:keta jane kriminela,hajdute,denigrues,mashtrues,horra e..vec te keqije. Nexhmua eshte e oa krahsueshme me neverine Topalli,Vokshi e tje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *