Piro Milkani*
Në mbarim të luftës së parë botërore e pikërisht në 28 tetor të vitit 1918, plot njëqind vjet më parë, në zemër të Europës do të lindte një shtet i ri – Çekosllovakia.
Çekët e sllovakët, dy popuj sllavë, me një histori të përbashkët, të nënshtruar e të konsideruar për disa shekuj si qytetarë të dorës së dytë të Perandorisë Austro-hungareze kishin vendosur të bëheshin një shtet i pavarur.
Përpjekjet e patriotëve e intelektualëve liridashës të mishëruara së fundmi nga çekët Tomash Masarik e Eduard Benesh dhe sllovaku Milan Shtefanik sollën më në fund lirinë e ëndërruar.
Republika Çekosllovake në vitet 1918-1938 njohu një prosperitet ekonomik e kulturor të admirueshëm.
Fatkeqësisht pas Anshlusit të Austrisë, falë marrëveshjes së pabesë të Munihut pas pushtimit të Sudetëve, Hitleri e ktheu në Protektorat Çekinë dhe Moravinë, ndërkohë që Sllovakia instaloi një regjim fashist me në krye kardinalin Tiso.
Për gjashtë vjet radhazi çekët duruan plot dhimbje pushtimin gjerman. Atentati ndaj Protektorit gjerman Rainhard Hajdrih ishte shprehja më e qartë e urrejtjes popullore ndaj një regjimi pushtues që dënoi me vdekje pesë mijë qytetarë të pafajshëm për vrasjen e xhelatit dhe projektuesit kryesor të shfarosjes së hebrejve.
Instalimi i sistemit komunist stalinian dhe grushti i shtetit në shkurtin e vitit 1948 e rënduan situatën politike të një populli që kish njohur një demokraci liberale në vitet njëzet e tridhjetë të shekullit të kaluar, të quajtur “Republika e parë”.

***
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Çekosllovakinë kanë nisur që në vitin 1925. Konsullata çekosllovake në Tiranë që u kthye në 1927 në një agjenci diplomatike, çoi në hapjen ambasadës në vitin 1929.
Ndërsa nga ana e Shqipërisë fillimi i marrëdhënieve diplomatike me Çekosllovakinë ishte fatkeq. Në pritje të dorëzimit të letrave kredenciale, Ceno bej Kryeziu, i emëruar Ambasador i Shqipërisë në Çekosllovaki vritet në atentat nga studenti shqiptar Alqiviadh Bebi. Gazetat çeke i kushtuan vëmendje kësaj ngjarjeje, jo vetëm duke e raportuar, por ato u përpoqën të hedhin dritë në prapaskenën e vrasjes, duke këmbëngulur me botimin e artikujve dhe analizave që pasqyronin implikimet që sillte vrasja e Ceno beut në marrëdhëniet Tiranë – Beograd, por edhe në Pragë.
(Historiani dhe albanologu Pavel Hradecni gjen paralele në vrasjet e Ceno Beut dhe presidentit amerikan Xhon Kenedi sepse disa ditë pas vrasjes Alqiviadhin e vret në sallën e gjyqit Zija Vuçiterna ashtu si Xhek Rubi e vret Li Osvadin, para se ai të dëshmojë në gjyq për vrasjen e Kenedit. Pra dy vrasje politike që mbajnë të fshehur përgjithmonë autorin e vërtetë të vrasjes).
Ky aktivitet u ndërpre në vitin 1939 kur Çekosllovakia u pushtua nga Gjermania e Hitlerit, ndërsa Shqipëria nga Italia e Musolinit.
***
Mbas Luftës së Dytë Botërore këto marrëdhënie u rinovuan dhe patën zhvillim të madh në vitet 1946-1961.
Përveç shkëmbimeve tregtare, pati edhe raporte të veçanta në lëmin e kulturës.
Nëse në Tiranë shfaqej opera “Nusja e shitur” e Smetanës e Teatri Kombëtar vinte në skenë “Një dashuri e tillë” të Pavël Kohoutit, në Pragë Ansambli Artistik Shqiptar jepte shfaqje në shumë qytete të Çekosllovakisë, e ndërkohë kur dilte në çekisht “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, këtu shqipërohej “Ushtari i mirë Shvejk” i Jaroslav Hashekut, ndërsa në koncertet e Pranverës së Pragës Mustafa Krantja dirigjonte Orkestrën simfonike të Pragës.
Specialistët çekë e veçanërisht gjeologët bënin kërkime të mineraleve në malet e Shqipërisë, ndërkohë që në Sllovaki ndërtohej një kombinat metalurgjik për përpunimin e hekur-nikelit shqiptar.
Pas Bashkimit Sovjetik Çekosllovakia ishte vendi që pranoi më shumë studentë e specialistë nga Shqipëria dhe që më pasë do të shndërroheshin në emrat më spikatur të kulturës dhe shkencës shqiptare duke i dhënë asaj një fizionomi të veçantë dhe tejet mbresëlënëse edhe sot e kësaj dite.
Mbi 650 studentë e specialistë që u përgatitën në Çekosllovaki për profesione nga më të ndryshmet, si mjekë, inxhinierë, agronomë, ekonomistë, piktorë e skulptorë apo kineastë i dhanë shtysë vendit në përparimin ekonomok e kulturor.
Fatkeqësisht mbyllja dhe izolimi përfundimtar i Shqipërisë në vitin 1961 i ndërpreu këto marrëdhënie.
E megjithatë çeket e sllovakët sot nuk e harrojnë se në vitin 1968 asnjë ushtar shqiptar nuk shkoi të pushtojë Çekosllovakinë si pjesë e trupave ushtarake të Traktatit famëkeq të Varshavës që ndërpreu valën e Pranverës së Pragës të udhëhequr nga komunistët liberalë me në krye Aleksandër Dubçekun që pretendonte “socializmin me fytyrë njerëzore”. Në shtator të vitit 1968 Shqipëria denoncoi agresionin e traktatit të Varshavës dhe u largua de jure nga ky traktat.
Për plot 21 vite Çekosllovakia ngeli e pushtuar nga ushtria ruse dhe praktikisht u kthye në një vend satelit i Bashkimit Sovjetik të Brezhnjevit, në zbatim të doktrinës brezhnjeviane të “sovranitetit të kufizuar”.
Vetëm ndryshimet e mëdha politike të vitit 1989 dhe i ashtuquajturi Revolucion i kadifenjtë risollën në Çeki dhe Sllovaki demokracinë liberale si ajo që shijuan në 20 vitet e para të shtetit të ri Çekosllovak.
***
Pas viteve 90-të të shekullit të kaluar edhe marrëdhëniet midis dy vendeve u rikthyen në normalitet dhe po njohin zhvillime të kënaqshme.
Presidenti i parë demokrat Vaclav Haveli ka ndjekur me interes zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet në vazhdim Çekia dhe Haveli personalisht kanë përkrahur pa rezerva aspiratën e popullit të Kosovës për pavarësi nga regjimi brutal i Millosheviçit. Në ato vite të vështira në prag të luftës në Kosovë Vaclav Haveli botonte në gazetën franceze Le Monde shkrimin me titull “Edhe unë e ndjej veten shqiptar”. E kush më mirë se ai do ta kuptonte robërinë kur vetë kishte provuar për shumë vite dhunën dhe burgimin e regjimit shtypës në Çekosllovaki?
Edhe pse i sëmurë, Haveli ishte i pari president që në vitin 1999 vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën e porsaçliruar nga forcat e NATO-s dhe UÇK-ja.
***
Duke qenë se lidhjet e mija me këtë vend kanë një histori 65 vjeçare, gjithnjë më ka ndjekur nga pas pyetja: Pse marrëdhëniet shqiptaro – çekosllovake kanë një specifikë të veçantë. Pse kjo simpati reciproke ?
Mund të jem subjektiv, por mendoj se në ato që do të parashtroj me poshtë e kanë një shpjegim.
Krahas albanologëve të shquar si austriaku Norbert Jokl e kroati Milan Shuflai, edhe ballkanistët e albanologët çekë Kostandin Jirecek e Jan Urban Jarnik e kishin kthyer vëmendjen ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare. Dishepulli i tyre Dr. Jozef Bednarzh 107 vjet me parë botonte në Pragë librin me titull “ Përralla dhe legjenda popullore shqiptare” duke shprehur bindjen se “Legjenda e Rozafës” apo “Kostandini dhe Doruntina” ishin krijime të shpirtit krijues shqiptar.
Në Luftën e Parë Botërore më shumë se gjysma e territorit shqiptar qëndroi për disa vjet e pushtuar nga ushtritë austro-hungareze. Në mbarim të kësaj lufte, një ushtar i thjeshte çek me emrin Stanislav Kostka Neuman me librat e tij Bragozda dhe kujtime të tjera lufte dhe Elbasan, kujtime lufte zbulonte anët më të mira të shqiptarëve në ato vite. Në to ka shumë simpati dhe respekt për njeriun e thjeshtë që nuk i bëri asnjë dëm askujt. Duke qenë dhe piktor, librin “Elbasan” Neumani e ilustroi me akuarele të bukura të qytetit në kërthizë të Shqipërisë.
Librat u botuan dhe ribotuan disa herë (botimi i fundit u bë në vitet 50-të).
***
Po nuk ishte vetëm Neumani, ishin mijëra e mijëra ushtarë çekosllovakë të mobilizuar që kaluan vite të tëra gjatë luftës në Shqipëri.
Kur isha student në vitin 1959, me rastin e 15 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, botova në gazetën Svobodne slovo ( Fjala e lirë) një shkrim me titull: “Si jetojnë e studiojnë studentët shqiptarë në Çekosllovaki”. Pas disa ditësh, për habinë time, në konviktin ku banoja, më erdhën letra e kartolina. Të gjitha ishin shkruar nga ish ushtarë të Luftës së Parë që kishin qenë në Shqipëri. Në to kish veç kënaqësi nga ana e tyre që shqiptarët po studiokan në Çeki dhe kujtime të mira nga qëndrimi i tyre në Shqipëri.
***
Edhe pse marrëdhëniet Shqipëri-Çekosllovaki për arsyet që tashmë dihen, patën zig-zaket e tyre, katedra e gjuhës shqipe në Institutin filologjik në Pragë funksionoi pa ndërprerje. Fillimisht në Shqipëri (1959-1961) e më pas në Pragë u formua si historian, filolog e albanolog Pavel Hradeçni ( 1938-2006). Janë të shumta botimet e Hradeçnit për Shqipërinë edhe në vitet kur marrëdhëniet ishin thuajse të ngrira. Por vepra madhore e tij është “Historia e Shqipërisë”, botim i vitit 2008.
Në kolanën e gjatë të Historive të shteteve të botës (që vazhdon të botohet nga Akademia çeke e shkencave) pas Historise së Indisë, kjo Hradecnit është me voluminozja ( plot 768 faqe). Për fat të keq vdekja e tij la në mes edhe Historinë e Kosovës. Kur libri ekspozohej në vitrinat e librashitjeve në Çeki në festivalin e Karlovi Varit dhe në kinema shfaqej i pari kooproduksion kinematografik shqiptaro-cek, “Trishtimi i zonjës Shnajder”.
Për përkushtimin jetësor dhe veprën e tij, Presideti Rexhep Meidani e dekoroi Hradecnin në vitin 2001 në Pragë me Urdhrin e Artë të Naim Frashërit.
***
Avionat Çarter Pragë-Tiranë këtë vit sollën në Shqipëri më shumë se 35 mijë turiste çekë. Një pjesë e tyre janë të apasionuar me turizmin malor dhe nga viti ne vit po familjarizohen me bukuritë e rralla të natyrës, me zakonet e mikpritjen shqiptare. Pas filmit dokumentar “ Bukuroshja shqiptare me nam të keq”, të realizuar nga një ekip njerëzish te pasionuar pas turizmit malor, po punohet për filmin më të ri “ Zemra blu e Europës”, që do të jete gati në pranverën e vitit 2019. Shoqata “Gjithë pamjet e Shqipërisë” ka në gjirin e saj arkeologë, ambientalistë, sociologë e djem e vajza, miq të Shqipërisë. Ata po zbulojnë përherë e më shumë objekte arkeologjike pak të njohura dhe nisma madhore e tyre është përpjekja për të shpëtuar Lumenjtë e e fundit të egër dhe të virgjër të Europës. Mbi të gjitha po bëjnë çmos të shpëtohet nga projektet absurde të hidrocentraleve që duan të ndërtohen në lumin Vjosa.
“Ky do te ishte fundi i lumit më të bukur të Europës”- shkruajnë ata.
Ndaj sot të gjithë ne shqiptarët urojmë megjithë zemër: Jetë të gjatë dhe prosperitet Shtetit Çek e Sllovak dhe popujve të tyre.
*Artist i Popullit, ish-ambasador në Republikën Çeke

Republika Cekosllovake u krijua ne Versaje si pasoje e diktatit te fuqive fituese te Antantes.
Marrveshjen e Versajes e kundershtoi vetem presidenti Vilson i cili tha:”Kjo nuk eshte nje marrveshje paqeje.Kjo mbart ne vetvehte dhe 22 luftera te tjera boterore”.
Problemi ishte ne sanksionet qe ju vendosen Gjermanise qofte territoriale qofte ekonomiko-ushtarake.
Kjo solli ne fuqi revanshizmin gjerman,armatosjen ne menyre ilegale te Gjermanise dhe shperthimin e LII Botnore.Sa per shkrimin e Z.Milkani,me pelqen sepse eshte nje shkrim i mire dhe permbledhes i historise se Cekosllovakise.Para disa javesh,amabsadori rus ne Tirane kishte nje shkrim ku midis te tjerash theksonte se marrveshja e Munihut (1938) midis Rusise(Molotov),Anglise (Chamberlain) dhe Frances (Daladier) i hoqen antifashizmit boteror nje aleat te fuqishem:Cekosllovakine.Kjo mu duk teper interesante.Vete ceket me kane thene se ne vitet 30 ky shtet bente pjese ne 7 me te fuqishmet shtete te botes.
Per kete shtet eshte shkruar edhe ne kohen e Zogut ,per presidentet Massaryk dhe Benes ku i pari kishte grua amerikane te quajtur Garrigue.
Urime autorit te shkrimit !
V.Stafa
Zoti Milkani,si gjithmone dhe si kudo,ndrit,me punen e tij,me artin e tij,me embelsine e fjales se tij,por edhe me penen e tij.E njoh Cekosllovakine,prandaj desha te shtoj, se ata,jane shume korrekt,pamvaresisht se nami nuk perputhet me realitetin.Firmat cekosllovake,me te cilat kemi patur maredheni,dalloheshin per korrektesine e tyre,sidomos ne levrimet e mallrave qe ne importonim prej tyre.Uzina e famshme “Skoda” ka qene nje nga themelueset e prodhuesve te automobilave.Ndersa mineralit te hekur-nikelit qe merrnin prej nesh,ata nuk e perpunonin (ne kuptimin e mirefillte)por vetem veconin pre ti,Nikelin dhe cobaltin.