Mesfushori anglez u prezantua dje në skuadrën PSG në Francë, ndërsa u shpreh se ishte shumë i lumtur që në moshën 37-vjeçare vijonte të ishte shumë i kërkuar
“Mirë se vjen tek PSG, Bekam!” Një mirëseardhje e shkruar në trupin e saj. Kështu ka vendosur ta përshëndesë futbollistin anglez aktorja dhe modelja franceze Virxhinie Kapriçe. Në faqen e saj të internetit bukuroshja ka vendosur një foto joshëse të vetën ndërsa në trup ka shkruar një mirëseardhje për lojtarin e ri të skuadrës franceze.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp pasditen e djeshme në Paris, mesfushori anglez 37-vjeçar do të shprehej: “Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, edhe pse momentalisht, gruaja dhe fëmijët e mi do të mbeten në Londër. Megjithatë, më motivon shumë prania ime këtu dhe duke dashur diçka të veçantë, vendosa të dhuroj të gjithë pagën time për një organizatë bamirësie në Paris. Nuk e di nëse kjo është bërë më parë, por jam shumë krenar për vendimin që mora”.
Bekam e cilësoi veten me fat “që në moshën 37-vjeçare të kesh ende shumë oferta, më shumë se kurrë në jetën time. Megjithatë, perceptoj se Parisi ka një projekt shumë të rëndësishëm, që do ta lejojë të arrijë suksese të mëdha brenda viteve të ardhshme. Për këtë arsye, për mua është një nder që të jem pjesë e këtij projekti dhe të bashkëpunoj me Ancelottin, një prej trajnerëve më të mirë që kam njohur në jetën time”.
Mesfushori anglez ritakohet sërish me Ançelotin dhe Leonardon, dy njohjet e vjetra të tij në kohën kur u transferua te Milani. Pasi t’i nënshtrohet vizitave mjekësore, David Bekam do të firmosë një kontratë me PSG-në, e cila do të jetë e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.