Dërguar me SMS
në numrin e redaksisë
I nderuar z.Thano. Kur më ka qëlluar të pyes, poshtë e lart nëpër Shqipëri, për origjinën e kësaj apo të asaj familjeje, jo rrallë më janë përgjigjur se të parët e atyre erdhën në qytet (në fshat) për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Informacion të ngjashëm merr edhe në botimet që janë bërë, në lidhje me demografinë e qyteteve shqiptare: për shembull Shkodrës. Edhe tani ndesha në një informacion për familjet e vjetra të Tiranës – dhe aspak nuk u habita, kur lexova se mes tyre kishte të ikur prej gjakmarrjes. Përndryshe të qëllon të dëgjosh rastësisht se dikush – një katragjysh, një patriark, një i parë i fisit – ka ardhur aty pasi ka vrarë dikë. Edhe kur nuk ta thonë, gjasat janë që ky t’i jetë arratisur jo dorës së ligjit, por marrjes së shpagës; madje edhe në vise ku Kanuni nuk vepron si i tillë. Gjakmarrja si faktor i migrimit të brendshëm: a është e mundshme kjo hipotezë? Do dëshiroja një analizë nga DITA për këtë fenomen.
