Prof. dr. Bardhosh Gaçe
(Shënime për krijimtarinë e të poetit dhe shkrimtarit Zaho Vasili)
Zaho Vasili ka shkruar që herët poezi dhe në lloje dhe zhanre të tjera të letërsisë artistike. I prirë për të qenë bashkëkohor dhe me një përditësim të përjetimit artistik të jetës dhe marrëdhënieve me njerëzit, kohën, ngjarjet, fëmijët, trevat urbane dhe rurale, me historinë dhe kulturën e komunikimit njerëzor, krijimtaria e tij ka qenë e gjerësishme, tematike dhe mjaft e larmishme. Që nga viti 1973, kur ai ka botuar dhe librin e parë poetik të titulluar “Buste dhe lapidarë”, Zaho Vasili nuk ka reshtur së shkruari, duke e gdhendur kohë pas kohe profilin e tij prej poeti, prozatori, satiristi, humoristi dhe fabulisti. Kaq shumë zhanre letrarë nuk janë pak për një krijues sqimatar dhe erudit. Në vitin 2015 autori i është afruar lexuesit shqiptar me një botim mjaft të rëndësishëm. Një krijimtari e zgjedhur nga gjithë krijimtaria e tij deri në këtë kohë është botuar në një libër voluminoz, të punuar me kujdes si nga zgjedhja lëndore, paraqitja në një antologji disa zërash, që nuk është aspak e lehtë për ta bërë, në pikëpamjen redaktoriale dhe përkujdesjet tjera që kërkon një libër i tillë, duket se ka qenë dhe mbetet një nga librat e tij më komunikues me lexuesin, studiuesin dhe kritikën letrare. Libri titullohet “Mëndafshi i fjalës”, që siç kuptohet, duket se ka të bëjë me merakun dhe “kultin” e komunikimit estetik, që një poet apo prozator kërkon të ketë me lexuesin.
Libri “Mëndafshi i fjalës” është ndërtuar me krijimtarinë në një shtrirje kohore nga viti 1973 deri në vitin 2015, krijimtari e cila fillon me vëllimin poetik “Buste dhe lapidarë” (1973) dhe mbyllet me një libër me poezi “Pres një copë qiell” (2015), ndërsa në strukturën e vet të komunikimit estetik dhe artistik ka në përbërje në të lloje dhe zhanre të krijimtarisë artistike si: Poezi për të rritur në 15 tituj, poezi për fëmijë në 4 tituj, poezi satirike në 1 titull, fabula në 1 titull, pjesë teatrale në 1 titull, tregime humoristike në 1 titull, tregime për të rritur në 1 titull, poezi humoristike në 1 titull dhe aforizma poetike në 1 titull. Në një farë kuptimi kjo është një “enciklopedi” e krijimtarisë së poetit, detajeve poetike, fabulave, stileve, muzës, karaktereve, tipave, kohëve që ai ka marrë në konsideratë për të ndërtuar struktura komunikuese, gjendjeve të caktuara emocionale, tipizimet dhe përgjithësimet kohore, frymëzimin e tij emocional në kurbën e moshës, progresit dhe pjekurisë prej krijuesi, pra është një ditar i gjerësishëm poetik e jetik, i cili është sintetizuar në të gjithë krijimtarinë e tij.
E gjithë kjo pamje prej mozaiku që ka libri “Mëndafshi i fjalës” në vetvete është kthyer në një ri-konceptim modern të hulumtimit nga lexuesi dhe studiuesi të profilit prej poeti dhe shkrimtari të Zaho Vasilit në një kohë të rëndësishme bashkëkohore për mënyrën dhe mjetet me të cilat sot studiohet dhe perceptohet krijimtaria artistike. Poeti, prozatori dhe krijuesi Vasili ka një natyrë komplekse prej krijuesi. Ai ka një perceptim prej krijuesi të realitetit social, natyrës, karaktereve njerëzore dhe raportin me veten, me unin prej krijuesi bashkëkohor. Një një hapësirë të konsiderueshme kohore, që nga vitet 1970 të shekullit të XX, d.m.th gjysmëshekullor, krijuesi nuk ka reshtur së shkruari dhe së komunikuari përmes letërsisë dhe krijimtarisë artistike. Rreth 28 vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme ngjajnë si një mozaik i bukur dhe real, ku jeta dhe natyra, njerëzit dhe shpirti njerëzor, historizmi dhe aktualiteti janë vizatuar larmishëm dhe me një kolorit herë poetik, herë prozaik, përmes ndjesive komunikuese me fëmijët, humorin e ëmbël, me ndonjë tendencë teatrore dhe në format e tjera të komunikim krijues.
Siç dhe shihet, Zaho Vasili është një poet me emër të përveçëm në brezin e vet, ka shkruar libra për fëmijë, fabula, poezi humoristike, poezi të natyrës kushtimtare, pjesë teatrale, dedikime të natyrës historike, duke shfaqur një densitet emocional dhe një natyrë aktive prej krijuesi. Përveç aftësive për ta përthithur realitetin social dhe natyrën, poeti dëshmon cilësi brilante prej shpirtëzimi të kohës, , pasi letërsia krijuese e shpirtëzon shoqërinë, dukuritë, kur ato përfshihen në gjendjet e brendshme të poetëve, prozatorëve, dramaturgëve dhe piktorëve. Ky shpirtëzim dhe jetësim i realitetit gjen shprehjen në libra të tillë, “Lule nga Sopoti”, “Ejani fëmijë”, ”Fjala shket si ngjala”, “Kush kishte do të ketë”, “Vajza e pëllumbave”, “Qesh e mos përqesh”, “Më pëlqen të gënjej” (poezi satirike), “Pylli dhe sëpata” (fabula) dhe libra të tjera të cilët janë disa nga llojet tjera të krijimtarisë së Vasili, d.m.th jashtë krijimtarisë së tij poetike për të rritur, e cila është shumë më e madhe se krijimtaria tjetër e tij.
Në të gjithë këtë krijimtari të begatë dhe mjaft jetësore, ku ndihet aroma e kohës, fytyra e njeriut të thjeshtë dhe të lidhur shumë me jetën dhe me aktualitetin jetësor në kuptimin e gjerë të fjalës, Zaho Vasili sjell një frymë jetësore, ku lëviz indi i jetës përmes njerëzve dhe veprimtarisë së tij. Ndoshta kjo tregon një nga arsyet pse krijimtaria e Zahos është kaq e gjerësishme, kaq depërtuese në indin e jetës, por dhe pse ajo është kaq e shumtë. Jo pak motive, po të shohësh krijimtarinë e pas viteve ‘90, ku qasjet poetike dhe krijimtaria në përgjithësi patën një marrëdhënie më të pakushtëzuar, duket se janë plotësuar gjatë kësaj kohe, pasi jo pak nga këto krijime kanë një tharm konservativ brenda tyre, ose në të kundërt poeti ka ruajtur një frymë të qëndrueshme në motivet dhe në trajtimet e këtyre motiveve, duke u dhënë edhe prirje filozofike e urtake.
Një frymë e re, madje motive të rëndësishme dhe komunikuese ka në krijimtarinë e Zaho Vasilit pas viteve ’90-të, pasi në shikimin e parë titujt e librave dhe zgjerimi i llojeve dhe zhanreve krijuese marrin jetë pikërisht pas kësaj kohe, çka tregon se poeti dhe krijuesi e ka prekur nga afër realitetin, si liri krijimi, por dhe me zgjerimin tematik dhe trajtimet e këtyre motiveve, të cilat kanë qenë të shumta pas vitit ‘90-të. Pas këtij kufiri të rëndësishëm, i cili në letërsinë artistike, trajtimin kritik, studimorë dhe në trajtimin e motiveve ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Poeti Zaho Vasili ka tentuar të mbajë një lloj qëndrimi racional, të cilin e kërkon vetë ritmi i zhvillimit dhe i emancipimit njerëzor. Qëndrimet korrekte dhe kritika e realitetit me sytë e një shkrimtari janë në natyrën emancipuese të shoqërisë, dhe kjo lidhet me një traditë të përjetshme, pasi krijuesit e diktojnë gjithmonë të ardhmen, ndryshe historisë apo një fushe tjetër të dijes, që pasqyron atë që ka ndodhur.
Librat e tillë si “Më pëlqen të gënjej”- poezi satirike (1999), Pyelli dhe sëpata”- fabula (2000), “Sekonda nuk merret hua”- pjesë teatrale (2001), “Qesh e mos përqesh” –tregime humoristike (2003), “Vajza e pëllumbave”- tregime (2009), “Një gaztor veresie”- poezi humoristike (2005), “Fjala shket si ngjala” –aforizma poetike (2008) dhe ndonjë krijimtari tjetër e autorit, tregojnë një trajtesë të gjerësishme tematike, por dhe një sens qytetar që poeti ka ndërmarrë të shpalojë gjatë kësaj kohe. Siç dhe mund të shihet e kuptohet lehtësisht, zhanret dhe llojet letrare që poeti ka lëvruar, por dhe orientimet tematike për lexuesin tregojnë një lloj përditësimi problemor, dhe një bashkëkohësie, të cilën në mjete dhe forma të ndryshme e ka trajtuar letërsia artistike e shkruar në këtë kohë. Satira si një lloj i mprehtë që lidhet me shoqërinë e një vendi në kushte dhe rrethana të caktuara të zhvillimit, është një nga llojet më të rëndësishme që e ka shoqëruar shoqërinë njerëzore, trajtimi përmes të cilës është një aftësi brilante për një krijues, ashtu siç është dhe lloji i fabulës, dhe kjo me një traditë të hershme që nga koha e Ezopit, i cili përmes paralelizmave të njohura me kafshët i afroi njerëzimit një lloj drite për ta kritikuar shoqërinë e padrejtë nga njëra anë, por dhe si një produkt ku zënë vend cilësitë e rëndësishme morale.
Një natyrë të mprehtë, kanë zakonisht dhe krijimet që tentojnë të kenë një raport me shqetësimin e krijuesit, por dhe të qëndrimeve të tij (nuk ka krijim pa një qëndrim të caktuar nga autori!) ku zë vend humori, qoftë i natyrës së pastër poetike, por dhe i një niveli më të përvojësuar dhe më induktiv, siç është dhe vëllimi i Zaho Vasilit i titulluar “Fjala shket si ngjala” (2008), duke e konsideruar një krijimtari të vështirë që kërkon deduktivitet të madh jetësor dhe një natyrë komunikuese filozofike, pavarësisht harmonisë që ka në vetvete forma poetike në të cilat ato derdhen nga autori me një përvojë të gjatë krijuese.
Ndoshta krijuesi disa- dimensionesh Zaho Vasili, duhej të kishte këmbëngulur në lëvrimin e nën- llojit dramatik, të cilën ai e quan «pjesë teatrale» dhe të tregimit të shkurtër, përvojë që ai e ka të mirë, ku shquajnë tendencat e qëndrueshme për të zbuluar dhe për të trajtuar karaktere nga njëra anë, por dhe probleme, sado të trajtuara prej tij me një lloj lirizmi të dukshëm, për shkakun e lidhjes së tij të fortë me poezinë lirike. Zaho Vasili ka një temperament interesant në këto lloje trajtimesh dhe krijimesh të “shtrira”, pasi përveç karaktereve, ai krijon gjendje, një argument i rëndësishëm për t’u lexuar, absorbuar dhe për të komunikuar dhe në këto nivele.
Zaho Vasili spikat një profil të dukshëm dhe të shpalosur mirë në kohë si poet. Duke qenë profili i një krijuesi, i cili ka krijuar dhe ka kaluar, d.m.th ka gjetur dhe ka shpalosur motive në dy kohë, atë të totalitarizmit dhe atë të pas viteve ‘90, poezia e tij ka shfaqur një marrëdhënie të hapur dhe emocionale me kohët, njerëzit, ngjarjet, kulturën jetësore, karakteret, natyrën, shoqërinë dhe zhvillimin. Në një këndvështrim tematik, Vasili nuk ka ndryshuar gjë të madhe në “deltën” e frymëzimit të tij në poezinë që ka shkruar në të dy kohët, ai vazhdon të jetë një poet me një pamje të gjerë, diellore, meditative dhe një lloj vetërrëfimi lirik të mrekullueshëm, të një njeriu që kërkon të komunikojë me njerëzit përmes motiveve të tij dhe ato historike, por që trajtohen përmes një note të theksuar lirike.
Libri poetik “Buste dhe lapidarë” duke qenë një libër motivor i krijimtarisë së një të riu ka një prirje për të “raportuar” në një kohë tjetër historinë dhe lidhjet emocionale me të. Poezitë “Një legjendë”, “Një helmetë e braktisur”, përthyhen në motivet e tyre nga poezi të tjera të natyrën sociale si poezia “Çiftelia”, dhe pse një motiv veriu ajo ka gjetur shtrirjen e saj deri në Labërinë e Jugut të Shqipërisë, e cila ka një mënyrë tjetër, muzikalitet nga lashtësia, por dhe në poezitë e tilla si “Festë në fshat”, një motiv i njohur i kohës, por që poeti e ka shndërruar në një lirikë të bukur, ku spikat harmonia sociale dhe dashuria Çajupjane.
Vëllimi “Rinia e qytetit tim” është një libër më social, libri duket se ka “mushkëri të gjelbërta”, pasi poeti kë një lloj qëndrueshmërie emocionale dhe një rrugëtim të qëndrueshëm. Në libër vijnë motive më komunikuese në natyrën poetike, ku shquajnë poezi të tilla si “Për vendlindjen”, “Peizazh i bardhë ne Berat”, “Çobani”, një poezi që i kushtohet poetit të rilindjes kombëtare Naim Frashërit, “Popullore”, “Rinia e qytetit tim”, poezi këto të një komunikimi realisht të rëndësishme për kohën, ku pleksen bashkë e shkuara e qytetit, pasi poeti kërkon që rinia e qytetit të tij t’iu ngjajë burrave të njohur të këtij qyteti”, poezia “Bilbilenjtë” , një histori e rëndësishme për të gjithë jugun ka gjetur shpirt dhe në motivet poetike të Zaho Vasili, “Vallja e luftës”, “Vajza e valëve”, ku spikasin motivet e jugut, si elementë të rezistencës shpirtërore dhe kulturologjike, në të cilat poeti gjen një dritë të brendshme emocionale.
Dhe pse vëllimi “Festë në kantier” duket se mbart një karakteristikë të poezisë që është shkruar deri në vitet ‘90 për shkakun e censurës dhe të rregullave të poezisë së shkruar në kriteret ideologjike, poeti Zaho Vasili ka një armë të vetën për të realizuar një komunikim të ëmbël me lexuesin dhe me kohën, të cilën e reflekton mjeshtërisht në kontekstin e librit përmes poezive të tilla si “Hajt t’ia marrim këngës”, “Ç’bukuri që keni”, “Gjirokastra jonë”, e cila ngrihet në një shtrirje historike si një lloj karakolli qëndrese në kuptimin e gjerë të nocionit qëndresë, por dhe në njerëz të spikatur, siç është poezia “Hasan Tahsimit”, një figurë e njohur e dijes shqiptare.
Mjaft interesant është vëllimi “Qaj si përrua malor”, një vëllim ku duket një shqisë e epërme e vëzhgimit të realitetit dhe trajtimit të tij me një ngrohtësi të brendshme njerëzore dhe poetike. Spektri i komunikimit të poetit është i gjerësishëm, duke u mbështetur në konvencionet e kohës dhe të natyrës, tipareve dhe cilësive të heroit lirik (me hero lirik në këtë rast duhet të kuptojmë motivin e poetit që gjallon në poezinë e tij, Poezi të tilla si “Magjia e gurit”, me ç’rast poeti shkruan për Gjirokastrën dhe kohën, “Pusi i shpirtit tim” një poezi që shpalon një lloj meditimi të brendshëm jetësor dhe motivor poetik njëherësh, “Qaj si përrua malor” një lirike e bukur me një konvencionalitet vizatues karakteristik, poezitë “Mërgimi”, “Fjala”, “Poema e udhës”, një poezi e shkruar me një mjeshtëri të madhe dhe mbresëlënëse, pasi në të ka një lloj “relievi” të rrugëtimit, të ecjes njerëzore përmes elementëve të tillë si këpucët, ortë e mëngjesit, moti etj.
Duke mbetur në stilin e tij komunikues të zbulesave përmes motiveve, në vëllimin poetik “M’u gremis zemra”, poezia e Zaho Vasilit ka dhe një tipar tjetër, atë të densitetit emocional brenda strofës, vargut dhe fjalës. Prirja për ekonominë e fjalës është interesante në këtë rast. Duke mos iu larguar motiveve të vendlindjes dhe të vendeve të njohura të Jugut, ku poeti ka lindur, është rritur, është edukuar dhe është mëkuar poetikisht për të shkruar poezi të tilla si “Piluri”, “Buzë Jonit” etj, në vëllim shquajnë poezitë e shkurtra si “Jeta”, “Lajka”, “Farën”, “Lakmia” , pa harruan atë ndjesinë e ngrohtë që përcjellin poezi të tilla si “Toka dhe gruaja”, “Shega mbi det” apo ndonjë poezi tjetër, të cilat kanë një ndjesi të theksuar lirike dhe të vendosura në një peizazh poetik ndryshe poezisë së mëhershme të poetit.
Në poezinë e Zaho Vasilit ka një rrugëtim interesant, një rrugëtim ku ndoshta mund të duken dhe gurët kilometrik të tij, jo vetëm nga pjekuria dhe siguria e poetit për vargun, figurën, rimën dhe elementët e tjerë bazikë që mbart poezia e tij, por dhe një lloj moderniteti tematik dhe motivor. Nga vëllimi në vëllim shquajnë gjendet e kohës, lirizmi është më i receptuar, ndërsa strukturat e komunikimit poetik janë më racionale. Kështu shquajnë poezitë në vëllimin poetik të titulluar ”Do vdes duke puthur”, poezi të tilla si “Do vdes duke puthur”, ku poeti kërkon t’i japë poezisë një koncept dhe perceptim universal brenda natyrës së tij prej poeti lirik, “Femra”, “Kaloi”, “Kjo poezia që tund zemrat”, “Letra”, “Dashuria e parë”; pastaj poezi të vëllimit «Mashkullora ime”, ku legjenda e rrapit të Mashkullorës (“Legjendë për rrapin e Mashkullorës”), sjell në vëmendjen e bashkëkohësisë një nga figurat e njohura të saj Çerçiz Topullin dhe historinë, të parë në një kohë pa luftë dhe në paqe; vëllimin “Më krisi zemra”, ku shquajnë tonalitet lirike, një lirikë e mrekullueshme me elemente të gjetura më mjedisin jetësor dhe njerëzor të jugut nga poeti, ku bien në sy poezi të tilla si “Pjeshkëza ime”, një lirike e kompozuar mjeshtërisht për njeriun dhe për natyrën, “Frymëzimi”, “Poetët dhe poezia”, “Familja”, “Pena e krijuesit”, “Trishtimi”, “Loti”, “Vajet”, “Tek molla” dhe poezi të tjera që përbëjnë një raport të rëndësishëm fondamental që në vërtetë çdo poet ziliqar për muzën e tij.
Zaho Vasili është një poet i thellë emocionalisht. Nga vëllimi në vëllim pesha e mendimit poetik tek poezia e tij rritet, duke marrë në misionin e saj një lloj përditësimi, problemet e ditës, të cilat kanë zënë vend mjaft në poezinë e pas viteve ‘90 për shkakun rrjedhës së jetës, ngjarjeve dhe raportin ndryshe me kohën dhe kulturën jo vetëm të njerëzve, por dhe të vetë poetëve. Vëllimet poetike “Pse m’i fsheh sytë”, “Ma shuaj etjen”, “Në pëllëmbë të zemrës”, “Sonte do të kërcesh me mua”, “Toka shkruan me lule”, “Një grusht me flakë”, “Pres një copëz qiell” janë vëllime të natyrës sintetike, ku koha ka zënë vend më mirë së në të gjithë librat e tjerë poetikë për shkakun e shfaqjes së një lirike refleksive tek poeti, por dhe për raportin e brendshëm shpirtëror që poeti ka me kohën, ku nuk mungon kujdesi për poezinë si një “zeje”, e cila ka një sërë punësh në vetvete, për të qenë vërtetë një mjeshtri e disa njerëzve të veçantë.
Zaho Vasili ka një lidhje të fortë dhe një koncept të mirëformuar për strukturën e komunikimit përmes poezisë. Poezia është komunikim, një komunikim elitar i rëndësishëm dhe i vështirë për t’u bërë i tillë nëse atë nuk e njeh mirë. Mjafton të sjellim në këtë qasje një nga poezitë e shkruara për fëmijë për të kuptuar sa i rëndësishëm është komunikimi poetik, kur ai është ndërtuar drejt, i zgjedhur dhe i balancuar për kulturën e komunikimit me moshën e fëmijëve. Poezia “Migena” është një nga poezitë më të bukura të poezisë së tij. Ajo është një poezi me një lirizëm të qartë dhe mjaft komunikuese jo vetëm brenda moshën së fëmijëve, por dhe si koncept social. E shkruar mbi strofa dyvargnore ajo tingëllon aktuale. Poeti shkruan:”Për të mbajtur dritë pallatin, zgjodhën sot një kujdestar,/ Kur mbi shkallë ta hedhim hapin, ato të jenë qelibar.” “Pallatin e mori mami, e mori me shumë dëshirë,/ Po mami është e sëmurë, mami e ka shumë vështirë.” “Migenën për çdo ditë, e shikon me kovë në duar,/Banorëve u qeshin sytë, se ndjehen shumë të gëzuar.” “Ujit lulet nëpër shkallë, dritë i mban të gjitha dyert,/ Migena është vajzë e rrallë, në mësime e shkëlqyer.” “Migena e ndihmon mamin,/ fshesën në dorë do ta mbajë,/ Migena lehtëson dhe babin, ti‘i blejë vetë librat e saj.”
Siç dhe shihet poezia ka një komunikim brilant, ku lexuesi kupton subjektin lirik, heroin lirik, marrëdhënien shoqërore, marrëdhënien familjare, kulturën e komunikimit, harmonia sociale dhe familjare, pse dhe si kultura prindërore e zbukuron njeriun, elementë dhe ndjesi të mrekullueshme që vijnë përmes një shpirti lirik pa ngarkesa figurative, por përmes një fjalori të zgjedhur dhe një lloje harmonie rimash. Poeti është mjeshtër në endjen e mendimeve poetike. Poezia “Migena” është një tregues i rëndësishëm i kësaj mjeshtërie, duke përmbushur dhe një merak të brendshëm që poeti e ka pasur dhe vazhdon ta ketë në të gjithë hapësirën e librit të zgjedhur “Mëndafshi i fjalës”. Bota poetike e Zaho Vasilit është si një ullishte e bleruar buzë jonit, në të cilën shpërfaqet shpirti i tij i madh lirik, duke i folur kohës dhe njerëzve, me mesazhet dhe filozofimet e tij me prirje bashkëkohore.
Tiranë – Vlorë, dhjetor 2020

” … ne nje kohe te rendesishme bashkekohore …”
Loni
Nje studim i thelluar dhe gjithperfshires . Rralle ndeshim vleresime te thelluara , per njerez te shkences , artit dhe shkrimtare . Autori i shkrimit e ka zberthyer vepren shkrimore te Z vasilit , me ndjenje pergjegjesie dhe elokuence te merituar . Lexusit kane nevoje te ballfaqohen me prodhimtarine e autoreve te shquar , te c’do zhanri . Njerzit lipset te zhvillojne nje game te gjere te bisedave te lira , per te larguar mendimet e keqia dhe bisedat shterpe . Ne kemi talente , ne c’do fushe te kultures dhe te artit . Te mos presim te shkruajme ne pervjetoret e vdekjeve te tyre . T’i duam dhe t’i vleresojme , per aq sa jane . Kritika , per ta do te jete ndihme , per ta persosur krijimtarine letrare artistike te brezit te ri. Z. Gace , meriton falnderime , per kete trajtese profesionale dhe te thelluar . Zgalem
Bukur mire.